Kthehu lart

“Institucionalistë” që kapin shtetin

“Institucionalistë” që kapin shtetin Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Gjatë bashkëqeverisjes me PDK’në, LDK u tregua fort e zellshme t’i kapë institucionet, në vend se t’i çlirojë ato nga kapësit, siç kishte premtuar. Ka aq shumë raste që i demantojnë zyrtarët e kësaj partie kur përpiqen ta vërtetojnë të kundërtën dhe të shfaqen engjëj, karshi të tjerëve që i konsiderojnë demonë. Demonë me të cilët qeverisën dhe bashkë e kapën shtetin. Natyrisht, si “institucionalistë”

Zyrtarë të LDK’së nuk lodhen së përsërituri se janë institucionalistë, kur flasin për mënyrën e veprimit të partisë. Kjo i bie se ata i respektojnë institucionet dhe se qasja e tyre është e tillë. Por, gjatë mandatit të kaluar qeverisës, kur e kishte postin e kryeministrit, LDK u tregua parti që i do fort institucionet - aq fort sa nuk përton t’i kapë ato, një praktikë kjo e njohur për PDK’në.

Mjafton të shohësh vetëm kush e përbën bordin e një ndërmarrjeje të vetme publike, siç është ajo “Ibër-Lepenc”, për të konstatuar se qasja e LDK’së “institucionaliste” nuk ndryshon nga ajo e “PDK’së së krimit e korrupsionit”, siç kanë dëshirë ta etiketojnë partinë rivale.

Në shtator të vitit të kaluar, Isa Mustafa trumbetonte se LDK arriti të nisë çkapjen e shtetit dhe “dha shembull se si qeveriset”. Avdullah Hoti, ndërkaq, në fushatë zgjedhore vjet thoshte se procesin e çkapjes së shtetit do ta çonin deri në fund gjatë mandatit ri. “Kemi filluar çkapjen e shtetit, por ta çojmë në fund këtë proces deri në përfundim të mandatit të ardhshëm”, thoshte ai. Mandat të ri për LDK’në nuk pati, por, përderisa Mustafa e Hoti thurnin lavde, familjarë të zyrtarëve të lartë të partisë ishin rehatuar nëpër borde ndërmarrjesh publike e institucionesh. “Ibër-Lepenci” ishte “çkapur” duke i rehatuar në bord Fatos Sahitin, Albina Malokun, Imer Hamitin e Sami Veliun. Ata janë ende aty, por ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik po kërkon t’i shkarkojë.

Momentalisht kryesues i bordit të kësaj ndërmarrjeje publike, Fatos Sahiti është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Albina Maloku është motra e Vlora Dumoshit, ndërkaq i afërt me LDK’në, respektivisht kryetarin e kësaj partie, është edhe Imer Hamiti. Sami Veliu është vëllau i Agim Veliut.

Përkundër premtimeve në fushatë zgjedhore, se do t’i çkapte institucionet nga PDK’ja, LDK vetëm kishte marrë hisen e vet në to. Kështu, partia e Isa Mustafës kishte emëruar zyrtarë partiakë ose të afërt me partinë edhe në borde të tjera, si në atë të Postës së Kosovës, Aeroportit të Gjakovës, Infrakosit, Trainkosit, KOSTT’it etj.

Kështu, LDK jo që nuk bëri çkapjen e institucioneve, siç kishte premtuar, por punoi t’i kapë ato, qofshin ndërmarrje publike apo institucione të pavarura. Premtimet e Mustafës dhe të zyrtarëve të tjerë partiakë mbetën veç premtime të pambajtura, sikurse edhe zotimi se kurrë nuk do të arrihej koalicion me SHIK’un dhe PDK’në. Partia “institucionaliste” u tregua fort e zellshme t’i kapë institucionet, në vend se t’i çlirojë ato nga kapësit.

* * *

Rrëfimi për kapjen e shtetit nga LDK nuk duhet kuptuar si amnisti e veprimeve të ngjashme të PDK’së. Afera Pronto ka treguar se si kjo parti, në mënyrë sistematike ka kapur pozita të rëndësishme në institucione, agjenci e ndërmarrje publike, me zyrtarë e militantë partiakë.

Para dy vjetësh qytetarët kishin organizuar një varg protestash, duke kërkuar ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të PDK’së të përfshirë në aferë, aktakuza ndaj të cilëve është ngritur tek para disa ditësh. Por zyrtarë të LDK’së nuk i bashkoheshin protestës, ngase qeverisnin bashkë me PDK’së. Ndërkohë që qytetarët protestonin kundër kapjes së shtetit, LDK kapte pjesën e vet, duke rehatuar zyrtarë e militantë në pozita kyçe.

Kjo mënyrë veprimi, madje, është konsideruar e drejtë dhe normale nga një zyrtare e lartë e partisë. Deputetja Besa Gaxherri ka thënë publikisht se është gjë normale që prioritet në punësim të kenë njerëzit që kanë libreza partiake. Kaq sa për qasjen e drejtë dhe të barabartë në punësim, që promovon kjo parti.

Një hulumtim i Preportr që përfshinte periudhën 2010-2014 kishte gjetur se 249 zyrtarë të lartë publikë që janë punësuar nëpër pozita vendimmarrëse në institucione shtetërore, kanë qenë dhe janë anëtarë të partive politike. Nga ky numër, sot ende punojnë rreth 200 sish. Nga 249 zyrtarë të lartë publikë që Preportr kishte arritur t'i identifikojë si persona me prapavijë të qartë partiake dhe që mbajnë pozita të larta në institucione publike, PDK prin me 120 sish, e pasuar nga LDK me 72, AAK me 25, AKR me 12 etj. Natyrisht, pas koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR, këto shifra kanë ndryshuar.

* * *

Zyrtarë të LDK’së, partia më e madhe opozitare, tash po thonë se ky subjekt është shpresa e vetme e qytetarëve karshi një qeverisjeje të dobët dhe të dëmshme të koalicionit aktual. Por, pak muaj më parë kur ishin në qeverisje, ata nuk vepruan ndryshe nga PDK’ja, sa i përket kapjes së shtetit dhe nepotizmit. Mos të përmendim shërbimin dioplomatik, ku LDK po ashtu mori hisen e vet të majme.

Vetëm pse partitë tjera – veçmas PDK, sipas LDK’së, janë të këqija, kjo nuk i jep të drejtën asaj që ta kopjojë atë për keq. Në vend se të qeveris e të veprojë me logjikën e çkapjes së shtetit, LDK vetëm iu bashkua PDK’së në kapjen e tij. Ka aq shumë raste që i demantojnë zyrtarët e kësaj partie kur përpiqen ta vërtetojnë të kundërtën dhe të shfaqen engjëj, karshi të tjerëve që i konsiderojnë demonë. Demonë me të cilët bashkëqeverisën dhe bashkë e kapën shtetin. Natyrisht, si “institucionalistë”.

    Data: 08 Maj 2018 10:38
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera