Kthehu lart

I krijuar si shembëlltyrë e njeriut

I krijuar si shembëlltyrë e njeriut Autori: Lena Andersson GazetaExpress E martë, 18 Prill 2017 13:19

Nëse gjykojmë nga sjelljet e njerëzve duket se shumë pak njerëz besojnë në Zot. Ata që më shpesh thonë se e adhurojnë Zotin, dhe në emër të tij marrin ligjin në duar të veta, veprojnë dhe flasin sikur ai të ishte krejt i pafuqishëm ose nuk ekziston fare. Ata fajësojnë njerëzit për atë pushtet që sipas tyre na udhëheq të gjithëve. Kjo është për t’u habitur pasi që njerëzit për një produkti të prodhuar keq zakonisht fajësojnë prodhuesin. Mirëpo kur njerëzit gabojnë disa të devotshëm i nënshtrohen Zotit sikur të konsideronin se produkti ka krijuar vetveten

Duke patur parasysh se terroristët e kohës sonë pohojnë të jenë të motivuar nga religjioni është e çuditshme që ata asnjëherë nuk zemërohen me Zotin por me njerëzit. Mbase sepse Zoti në thelb nuk është relevant dhe se nocionet religjioze ua errësojnë pamjen.

Zoti kishte fat që nuk ekzistoi javët që kaluan. Nëse mendojmë paksa rreth asaj që ndodhi, vuajtjes dhe vdekjeve në Siri, Egjipt dhe Stockholm, le t’i marrim vetëm këto tri vende dhe këto ditë, duket se Zoti duhet ta çmojë veten të lumtur që nuk ekziston dhe as që ka ekzistuar ndonjëherë. Në këtë kohë të mbrapshtë njeriu lehtë mund të fitojë përshtypjen se ateistët janë të vetmit që përkujdesen mbi esencën e vërtetë të Zotit, dhe mbi atë që kjo esencë duhet të përmbajë që të mund të quhet Zot. E vërteta është mbase se edhe ata që e quajnë veten religjiozë të devotshëm vërejnë disonancën dhe ia parandiejnë kuptimin: se njerëzimii i duhet t’ia dalë pa të.

A do të ishte pra më mirë nëse luftëtarët e zotit të mos kishin ndonjë Zot rreth të cilit formësojnë agresionet e tyre? Mbase jo, sepse në të vërtetë të gjitha sistemet ideore kanë të njëjtin burim, trurin e njeriut. Nëse dikush do të vrasë e të përdhunojë ai gjen mënyra që racionalisht të përligj atë që bën, me ose pa Zot, e edhe kur nuk do të vrasë e përdhunojë ai poashtu gjen argumente për këtë. Problemet e njerëzimit nuk janë religjioze, por filozofike dhe materiale. Zoti u mvishet ideve më pas, si stoli, ose u shërben si armaturë. Vullneti i Zotit të cilin e pohojnë ata i shtohet gjërave që nga të gjithë konsiderohen si të drejta dhe të vërteta. E drejta dhe e vërteta religjioze mund të motivohen logjikisht dhe racionalisht porse është shumë më lehtë të thirresh në Zot.

Fillimisht njeriu krijoi Zotin si një hipotezë të përkohshme, deri sa t’i gjendej një shpjegim më i mirë observimeve empirike dhe shpresave morale të krijuara në tokë. Në të çarën ndërmjet asaj që njeriu kishte potencial të bënte dhe gjërave që ishte i prirur të bënte kanë lindur ambiciet etike. Nga ato u krijuan rregulla dhe parime udhëheqëse për bashkëjetesë njerëzore që deri diku – së paku më mirë se në një katrahurë paligjësie dhe në një shoqëri në të cilën i forti sundon – i përshtatej nevojave të njerëzve, mënyrës se si funksionojmë dhe gjërava të cilat mund t’i përballojmë. Mos ha këtë, pastrohu kështu, mos vrit, bindju Zotit dhe çdo gjë bëhet mirë, dallo punën prej pushimit, ndëshkimi të jetë proporcional me krimin, mos kthe goditjen, mos godit gruan, pos nëse ajo është kokëfortë.

Pastaj kësaj iu shtua demiurgu, zejtari i konstruksionit. Si një vazo e formësuar që gjithmonë ka një krijues mendohej se edhe bota ka një zejtar, dhe për të marrë vesh qëllimet e këtij zejtari njeriu kundronte me kujdes gjësendet që ai kishte krijuar dhe me një logjikë reversibile përpiqej të mësonte se cili ishte qëllimi. E që më vonë shumë njerëz kanë arritur në përfundimin se nuk ka asnjë qëllim dhe as nuk ka ndonjë zejtar edhe nuk ka rëndësi për krijimin e ideve, sepse ato burojnë nga struktura mendore e trurit të njeriut dhe kjo nuk ka ndryshuar. Numri i mënyrave për të menduar mbi botën është i kufizuar. Pikërisht ngaqë Zoti asnjëherë nuk ka ekzistuar idetë religjioze dhe sekulare në thelb janë të njëjta; njeriu nuk mund të lirohet nga mendimet e tija. Në një mënyrë dhe sipas disa parimeve ne na duhet të jetojmë edhe nëse askush nuk na ka krijuar dhe as nuk ekziston një fuqi superiore që ka ndonjë qëllim me ne. Mjafton që ne njerëzit duam të bëjmë diçka me vetveten për të zhvilluar ide të qëndrueshme për të jetuar.

Kur Zoti të ketë vdekur çdo gjë do të jetë e lejueshme, thoshte Dostojevski dhe e kishte gabim nga arsyeja e thjeshtë se njeriu ka krijuar Zotin i bindur se çdo gjë assesi nuk është e lejueshme. Atë që Dostojevski me gjasë kishte ndërmend ishte që me futjen në skenë të nihilizmit të vlerave në ndërgjegje çdo gjë do të lejohej. Objektivisht kishte të drejtë dhe ai kishte arsye të forta që mbështesnin teorinë e tij se duhet t’i frikohemi nihilizmit, por jo në praktikë, sepse njeriu në esencë nuk është nihilist e as anarkist, nuk ia del të jetë i tillë më gjatë se dy minuta, pa u thirrur në një drejtësi më të ngritur, që jo rrallë quhet shtet juridik, e që disa e quajnë Zot. Të dyja këto burojnë nga një ndjenjë e paluhatshme mbi të drejtën dhe të vërtetën, drejtësinë dhe padrejtësinë.

Thuhet se njeriu është kafshë religjioze. Më saktë do të ishte të thuhej se njeriu është kafshë filozofike. Kjo do të kishte përparësinë se ne sinqerisht dhe pa respekt paralizues ose etiketime përjashtuese do të mundeshim të flisnim mbi idetë.

Nëse gjykojmë nga sjelljet e njerëzve duket se shumë pak njerëz besojnë në Zot. Ata që më shpesh thonë se e adhurojnë Zotin, dhe në emër të tij marrin ligjin në duar të veta, veprojnë dhe flasin sikur ai të ishte krejt i pafuqishëm ose nuk ekziston fare. Ata fajësojnë njerëzit për atë pushtet që sipas tyre na udhëheq të gjithëve. Kjo është për t’u habitur pasi që njerëzit për një produkti të prodhuar keq zakonisht fajësojnë prodhuesin. Mirëpo kur njerëzit gabojnë disa të devotshëm i nënshtrohen Zotit sikur të konsideronin se produkti ka krijuar vetveten.

Ata më të sofistikuarit natyrisht na qortojnë se Zoti është më i madh se kaq dhe se nuk i përshtatet fajësimeve infantile dhe silogjizmave sterile të logjikës formale. Sofizma të tilla religjiozë mbajnë të gjitha karakteristikat e shfajësimit, dhe të varësisë. Më e besueshme është se Zoti është i lirë sepse shumica, thellë në arsyen e tyre, e kuptojnë se ne jemi të vetëm në këtë botë, me gjykime filozofike mbi të drejtën, të denjtën dhe të arsyeshmen si të vetmen pikë të qëndrueshme.

Këto janë gjykime që në të ardhem do të duhet të ishin objekt i të gjitha përpjekjeve intelektuale të njerëzimit.


    Data: 18 Prill 2017 13:19
    Autori: Lena Andersson
    • A është NATO shumë e madhe për të pasur sukses? 0

    Të tjera