Kthehu lart

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas meje

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas meje Autori: Berat Buzhala GazetaExpress

Para 25 vjetëve shqiptarët e Kosovës ia kishin dhënë Ibrahim Rugovës 867 mijë vota, kurse LDK'së 574 mijë vota. Këto dy rekorde ende nuk janë thyer. Ka mundësi që as nuk do të thyhen ndonjëherë. Mirëpo, si ka ecur LDK në këto 25 vjet pluralizëm? Cila është historia e kësaj partie? A ka mundësi që të dielën ta kthejë ‘nderin’ e humbur në nëntor të vitit 2007? Kjo është një seri e shkrimeve për subjektin më të vjetër politik në vend.

Prej kur votohet në Kosovë, është fjala prej kur votohet lirshëm, prej kur votohet për shumë parti, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë më së shumti kokrra. Është fjala si tërësi.

Demokracia në vendin tonë ka lindur në një periudhë të errët. Ne kemi filluar të votojmë për njëri tjetrin, për parti të ndryshme, në kohën kur pushteti faktikisht dhe juridikisht i takonte okupatorit serb. Mirëpo një gjë e tillë nuk na pengonte që të improvizonim. Më shumë se sa demokraci, ajo ishte një hyrje në demokraci. Një lloj ushtrimi demokratik, pa efekte anësore. Nuk i bënte dëm askujt. Ustah i kësaj fushate ishte Presidenti Rugova. Për të e rëndësishme ishte që ne që banonim në Kosovë, në kokën tonë, në iluzionet tona, të jetonim në Republikën e Kosovës. Pastaj, nëse pasdite një polic serb na kthente në realitet duke na rrahur të gjithë fshatin para dyerve të oborreve, kjo për Rugovën kishte pak ose aspak rëndësi. Për të ishte e rëndësishme se çfarë dëshironim ne, e jo çfarë dëshironte regjimi serb. Ata hesapet e tyre, ne i kishim tonat. Ata votat e tyre, ne i kishim tonat. Ata hallet e tyre, ne i kishim tonat - shumë më të mëdha.

Po të kishte Facebook në atë kohë dhe po t’i kërkohej Kosovës që ta tregonte statusin civil, sigurisht që do të duhej ta shkruanim ‘complicated’ E tillë ishte gjendja. Mirëpo, për dallim prej sot, kur uniteti kombëtar ekziston vetëm në libra të historisë, në atë kohë kur kryenim ushtrime demokratike, kur votonim, kur serbët shqyeheshin së qeshuri me pretendimet tona, shumica dërrmuese e popullatës e votonin një person dhe një subjekt politik. LDK'në dhe Ibrahim Rugovën. Që të mos dukej ushtrimi komik, Rugova vendoste t'i verë konkurrencë të brendshme, të paqenë. Pluralizmi është i lidhur ngushtë me emrin e tij. Para Rugovës në Kosovë nuk ka ekzistuar koncepti i zgjedhjeve. Ka ekzistuar vetëm koncepti i emërimeve. Për të mos dështuar procesi Rugova ndërhynte aty ku kishte nevojë. Bie fjala duheshin shpikur parti të reja dhe politikanë të rinj. I tillë ishte, ndoshta i mbijetuari i vetëm, Gjergj Dedaj, zëvendësministri kryesor i 10 viteve të fundit. Nuk ishte vetëm Gjergji. Ishte edhe Mark Krasniqi. Rugova e donte shumë tolerancën fetare. Prandaj kastile i shtynte në plan të parë katolikët, ndonëse në përqindje, si komunitet, ishin, dhe janë, inferior. Pra, bashkë me demokracinë Rugova synonte që ta ushqente edhe tolerancën fetare në mes të shqiptarëve. Jo vetëm kaq, ai vazhdimisht tregonte që në një Kosovë të pavarur, të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, do të jetojnë edhe serbët dhe minoritetet tjera.

Kështu, besimtar i këtyre koncepteve, Rugova e ftoi popullin të dal në zgjedhje për të zgjedhur Presidentin dhe për t'i zgjedhur deputetët e ardhshëm të Kuvendit të ardhshëm, të parit kuvend demokratik.

Kështu, në maj të vitit 1992, shqiptarët e Kosovës, para hundëve të forcave serbe, në radhë të gjata dolën për të votuar. Rugova e kishte dizajnuar një sistem parlamentar ndryshe prej këtij që është sot. Kosova ishte Republikë gjysmë presidenciale. Presidenti zgjidhej nga qytetarët dhe kishte kompetenca më të mëdha prej çfarë i ka sot. I kishte në letër ato kompetenca, sepse nuk mund të ushtroheshin në asnjë instancë. Mirëpo, ose shumëçka, fillon në letër. Pra, e para është ideja. A nuk është kështu edhe në fusha të tjera? Duhet ta shikoni filmin The Founder për t'i bindur për këtë që e them. Tregon për themeluesin e McDonalds'it. Për idenë e çmendur të Ray Kroc'it, e cila fillimisht ishte tallur, sikur që ishte tallur ideja e Rugovës. Kroc gjatë gjithë dramës së tij tregon qysh gjëja më e rëndësishme në biznes, e unë po supozoj edhe në fusha të tjera, është persistenca, që do të thotë një lloj këmbëngulje e vazhdueshme. Pra, nuk është gjenialiteti ai që fiton në fund. Është ideja dhe këmbëngulja.

E tillë ishte kjo e Rugovës. Ai idenë e kishte. Në fakt ideja kishte qenë edhe më herët, por e parealizuar. Ata, para tij, nuk kishin qenë sa duhet këmbëngulës në të. Ndoshta nuk kishin besuar aq sa duhet. Hapi i dytë ishte plasimi i idesë në publik. Ta shesësh atë.

Rugova e kishte shitur me sukses atë në referendumin e vitit 1991, 7 muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 1992. Shqiptarët e Kosovës i kishin dhënë dritën jeshile fillimit të aventurës së gjatë dhe të dhimbshme drejt realizimit të aspiratave historike, krijimin e shtetit të Kosovës. Mund të themi që në shtator të vitit 1991 kishte filluar faza eksperimentale e idesë së pavarësisë. Pastaj ishte hapi i dytë, jetësimi i saj. Kalimi nga e thëna në të bërë. Si rrjedhojë e kësaj logjike u zhvilluan edhe zgjedhjet e vitit 1992. Ato ishin zgjedhjet e para, e me gjasë edhe të fundit, që nuk ishte i rëndësishëm fundi i procesit zgjedhor, sa ishte i rëndësishëm fillimi i procesit. Nuk ishte e rëndësishme se çfarë kishte në votë. Ishte e rëndësishme vota. Ajo ishte edhe revoltë, edhe projekt, edhe ide. Qytetarët po e hidhnin votën e tyre në kuti të votimeve për të mos u kthyer mbrapa. Për disa muaj nuk pata të drejtë vote. Mirëpo votuan të gjithë të tjerët. Si në karvan. Votimet bëheshin nëpër shitore, nëpër hangare, nëpër shtalla. Kudo. Askush nuk frikësohej që po vidheshin votat. Ajo ishte e pasigurt vetëm deri në momentin që ishte jashtë sandëkut. Kur futej brenda bëhej e plotfuqishme. Politikanët, ata që na udhëhiqnin, edhe më tutje nuk ishin të komprometuar, siç janë sot bie fjala. Në fakt ata ishin shndërruar në idhuj. Po rriheshin e po vriteshin me popullin dhe për popullin.

Kjo ishte fryma e zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992. Ekzistonte vetëm një parti. Në fakt ekzistonte vetëm një njeri dhe një popull. Shqiptarët dhe Ibrahim Rugova. Ky nga frika e turpërimit publik arriti ta improvizonte një skenë të paqenë politike, ku kishte shumë parti.

Në këto zgjedhje, Ibrahim Rugova i fitoi rreth 860 mijë vota, duke u bërë kështu, edhe sot e kësaj dite, si politikani me më së shumti vota në të gjithë historinë. Kjo shifër, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet e pa cenueshme sa të ketë jetë mbi tokë. LDK në anën tjetër, si subjekt politik, i mori mbi gjysmë milioni vota. E njëjta logjikë, si për Rugovën, vlen edhe për LDK'në.

(Vijon)

    Data: 12 Nentor 2017 21:51
    Autori: Berat Buzhala
    • Demokracia në rrezik

      Demokracia në rrezik 0

    Të tjera

    • Humori i zi për politikën e zezë

      Humori i zi për politikën e zezë 0

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

      Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0