Kthehu lart

Gratë e dhunuara nuk janë numra

Gratë e dhunuara nuk janë numra Autori: Sibel Halimi GazetaExpress

Gratë e dhunuara gjatë luftës sot e kësaj dite dhunohen nga diskursi që e përdorin zyrtarët si Bedri Hamza, ministër i Financave, sa herë që në agjendë ndodhet trajtimi i fatit të tyre

Z. Hamza, mos u merakosni! Gratë kosovare nuk janë mësuar dhe as që kanë përfituar ndonjëherë. Madje, në asnjë situatë nëpër të cilën ka kaluar Kosova. Gratë e dhunuara gjatë luftës, z. Hamza sot e kësaj dite dhunohen nga diskursi që e përdorët edhe ju, sa herë që në agjendë ndodhet trajtimi i fatit të tyre.

Kur gjërat përsëriten, e tejkalojnë aspektin aksidental dhe marrin konotacion të qëllimshëm.

Më 2013, në njërën nga seancat si kjo e djeshmja, kolegu juaj z.Muja kishte bërë një propozim anakronik: që grave të dhunuara gjatë luftës t`u ekzaminohet trupi!

Po ç`u desh ta pasosh qasjen e tij?! Këto gra të dhunuara, nga prizmi i një ekonomisti nuk mund të kundrohen as si numra e as si monedha.

Gratë e dhunuara gjatë luftës janë në të njëjtën gjendje si në luftë, përveç se nga dhunimi fizik, ato tashmë dhunohen shpirtërisht nga qasja diskursive e tillë.

Z.Hamza, këto gra as të raportojnë nuk arrijnë, sepse në institucionin që merr vendime për jetën tonë nuk ka ndjeshmëri për to. Prandaj, mos keni frikë, se cilido që te jetë numri i konstatuar zyrtarisht, nuk do të rritet. Ato s`kanë fuqi të dalin as përtej shtëpive të tyre, le më të vijnë në kthinat e institucioneve shtetërore për të dëshmuar llahtarinë. Për ta dëshmuar braktisjen nga burrat, mbase jo vetëm të atyre. Edhe të atyre për të cilët të njëjtën ditë diskutuat në Kuvend e që mbajnë epitetin ‘veteranë’.  

Argumenti më i fuqishëm janë përjetimet dhe rrëfimet e tyre. Të tjerat janë vetëm rend i fjalëve në fjali, ekzibiocinizëm morfologjik e sintaksor.

Mbase, mund ta ndash një 5-minutësh nga koha juaj ministeriale e ta lexosh një rrëfim të njërës nga ato.

Në një intervistë për çështje studimore, kam regjistruar rrëfimin e njërës. Të lutem, lexoje integralisht, pastaj ndërto qëndrim dhe shihi ato përtej numrave dhe letrave me vlerë!

Rrëfim në veten e parë

Leni more bustet, na keni betonu për së gjalli!

Filloi lufta. Unë bashkë me katër motrat e mia, tre vëllezërit dhe prindërit e mi lëvizëm nga fshati në fshat për të gjetur strehë. Diku na dëbonin, e diku vërenim ardhjen e forcave serbe, detyroheshim të iknim. Në njërën prej shtëpive ku qëndruam disa kohë, pas maltretimeve, babai im ndërroi jetë. Mbeta vetëm unë me nënën.

Gjatë lëvizjes sonë, një natë të vonë u strehuam në një shtëpi. Erdhi një grumbull policë, ushtarakë apo paramilitarë. Nuk di t`i identifikoj. Mbaj mend kur na futën në një shtëpi dykatëshe të gjitha grave. Aty nuk isha unë e vetmja me familje, kishte edhe shumë të tjera.

Bashkë me motrat dhe shoqen time të klasës na përdhunuan. Nuk më kujtohen fytyrat. Kisha dhimbje të madhe në duar, sepse njëri prej tyre mi shtrëngonte duart. Ishin shtatgjatë dhe kundërmonin alkool. Më futën në njërën prej dhomave, kur papritmas u kthjella një shishe alkool u dedh mbi trupin tim të dërmuar. Ata ishin të dehur, tërësisht. Në atë shtëpi ndodheshim përafërsisht 40 gra, teksa në dhomën tonë ishin 3 vajza dhe 5 policë. Na përdhunuan deri në mëngjes. Më kujtohet si sot. Kur u zgjova nga ai tmerr nuk e dija as ku isha. Prej atë ditë m`u shua jeta! Më nuk jetoj, sepse kjo ma diktoi fatin tim që më ndjek edhe sot. Nuk po mund t`ia dalë... nuk po mundem. Çdo mëngjes kur zgjohem i drejtohem zotit, pse ai nuk pati mëshirë ndaj meje që sot të mos e përjetoj tmerrin. Nuk po arrij as fëmijët e mi t`i dua e t`ua përcjell rritën...

Isha vetëm 17 vjeçe, deri në atë kohë ëndërroja se si të bëhesha nuse...të bëhesha e lumtur. Natyrisht, si çdo vajzë që ëndërron të ardhmen e saj. Isha ruajtur. Isha e përkushtuar ndaj prindërve, motrave dhe vëllezërve të mi. Sot kur kujtoj, ishte periudha e vetme kur ndihesha e plotësuar dhe e lumtur. Por kjo nuk zgjati shumë. Unë bashkë me katër motrat e mia dhe nënën u përdhunuam. Motra ime më e vogël ishte vetëm 14 vjeçe, ishte sall një fëmijë që kur ia mendoj gëzimin që i shkrepte në fytyrë, kurrë  më s`ia  shoh...iu shua!

Vëllezërit e mi bashkë me një grua të moshuar ishin në bodrumin e shtëpisë, natyrisht dëgjonin britmat e tmerrin. Ama vëllai i vogël ishte vetëm shtatë vjeç. Sot është i traumatizuar dhe shpesh i inatosur, ndonëse kanë kaluar shumë vjet. Ne të gjitha ia lëshojmë rrugën, sepse në heshtje të gjithë e dinë çfarë ka. Por, edhe sot nuk arrijmë të merremi me njëri tjetrin, na ka marrë jeta para, skamja dhe e keqja e sotme- e paqes!

Kaluan tri ditë dhe net, e ne kaluam tmerrin dhe kohën kur pushuam së ekzistuari. Unë jam e shuar. Përfunduan këto ditë ku unë u ballafaqova me jetë a vdekje. Si e kam hapur derën dhe jam dal nga ajo dhomë me flokë të shprishura, këmishë të veshur mbrapshtë, trupi më dhembte. Kisha plagë, se fikën cigare që e kishin pirë e kishin fikë në trupin tim. Nuk arrija as të përqendrohem mirë. Mendoja se isha në ëndërr, ia këpusja flokët vetes për ta zgjuar nga gjumi. Personin e parë që takova ishte nana. Ajo më shikoj thellë në sy, duke mbajtur kokën ndër duar, më tha: “shuj, se edhe mu më ndodhi, por krejt kjo çka na ndodhi duhet më shti në dhe”. Që nga ajo ditë nana, asnjëherë nuk arrin ta tejkalojë turpin. Dhembja na u shndërrua në turp dhe fjalë të njerëzve. Turpi nanën e përcillte në vazhdimësi, nuk na lejonte që të diskutonim kurrë. Ne, motrat ndonjëherë mblidheshim së bashku, donim të rrëfeheshim, të diskutonim, kjo ishte një mënyrë për të përballuar tmerrin e përjetuar. Ajo gjatë gjithë kohës na vështronte dhe si ta dinte pse jemi mbledhur, ndërhynte duke na trembë. Ishte qëllim i saj që tmerrin ta varroste. Por, nuk është e lehtë, kanë kaluar 17 vite unë nuk mund të jem e qetë kurrë! 

Faqja e turpit nanës filloi t`i bije kur unë mora vendimin për t`u martuar vetëm për ta heqë këtë të keqe që na kishte ra. Më kujtohet si sot. Kisha dhimbje dhëmbi menjëherë pas luftues. Burri im ishte oficer, e kishin plagosur dhe shkonte tek ambulanca për ta mjekuar plagën. U pamë rastësisht, u turpnova... Nuk e di, nuk arrija më kurrë asnjëherë ta shihja një burrë në sy. E mendoja shpesh, si t`ia dalë kur ai përpiqet të ma ledhatojë trupin tim. Jam e trishtuar! Kaloi një kohë, kur më mesitët më erdhën tek shtëpia e nënës dhe kështu unë hiç pa menduar vendosa që të pranoja martesën. Ishte vendim për t`ia lehtësuar nanës barrën e turpit që i kishte ra. Nuk kisha dashuri fare, jeta ime ishte shu. Kështu u martova. Burri im ishte invalid lufte, pa strehë! Arrita t`i qes në dritë 2 fëmijë, pa e ndjerë asnjëherë burrin tim. Sot e njoh vetëm si babë të fëmijëve të mi, por si ndjehet një burrë, unë kurrë s`kam arritë ta kuptoj. Ai e dinte që më kishin përdhunuar.

Nëna, pasi vendosëm, më tha që nusja dhe dhëndri sigurisht kanë diçka për të diskutu. Natyrisht, ne dolëm jashtë i tregova. Më pranoj kështu, madje ndoshta duke qenë edhe vetë i përfshirë në luftë dinte saktë se çfarë kishte ndodhur. Ai kishte vendosur të krijonte familje. Sot, unë nervozohem shumë dhe qajë. Djali shpesh më thotë pse nanë nuk je si tezja, ajo sa e afërt dhe e lumtur është. Ti sa shumë qanë. O sa vështirë e kam, ka pasur momente kur nuk kam mund t`i duroj as fëmijët, edhe pse sot me japin një trohë vullnet për të jetu. Sot, jeta ime është shumë e vështirë. Përjetuam shumë, por sot nuk arrij as të integrohem diku, të punoj, t`ia plotësoj dëshirat fëmijëve të mi. Kanë kërkesa shumë, tepër shumë. Ata nuk dinë për tmerrin e përjetuar dhe pse duhet ta dinë. Unë nuk do t`ua tregoj kurrë, asnjëherë. Por, prapë edhe tash jam duke menduar se sa mirë do të ishte sikur mos të jetoja fare! Ne nuk u përdhunuam në luftë, por edhe në paqe. Përdhunimi mbi trupin në fund po mbetka një pjesë e një historie personale. Mendoj që shumë vajza përdhunohen në një formë a tjetër. Mua më përdhunuan në luftë, ishin armiqtë. Ne sot përdhosemi çdo ditë e më shumë. Përdhunimin nuk na kanë lënë vetëm si një pjesë historie, por na e kanë vazhduar, me gjuhë, duke na detyruar që shumë gra dhe vaja të braktisin familje, fshatra vetëm t`i ikim fjalës së rëndë. Dhunimi që na vije nga thashethemet, shikimet... Kaluan 17 vite e ne jetojmë me barrën për të cilën askush s`na pyeti si jemi. Tash, derisa jam këtu, burri im dhe fëmijët janë në të ftohtë. Çdo ditë që zgjohem mendoj si ta mbush tavolinën, me çka!? A nuk është ky dhunim, më thuaj?! Pse dhunim duhet të jetë veç kur të shkatërrohet trupi?! Dhunimi më i rëndë është mostrajtimi, papunësia e skamja. Nuk mund të hyjmë askund në punë, sepse pa pasur dikë të njohshëm s`mund të punojmë as si pastruese. Pas lufte, u ndërtuan sa shumë buste nëpër Kosovë, derisa neve na betonun për së gjalli në mjerimin dhe varfërinë e skajshme. Nuk jam kundër shpërblimeve, por drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Ky shtet u ndërtua me kontributin e gjithsecilit, por jo të gjithë përfituan. Në  këtë gjendje në të cilën jam, çfarë pritet që unë të bëjë. Pas 17 viteve hapet diskutimi për ne, po brenda këtyre viteve ne u shkatërruam, shumë prej ne hoqën dorë nga jeta. Shoqja ime e klasës i dha fund jetës së saj me substancë kimike. Nuk arrita t`i ndihmoja, t`i jepja pak shpresë qoftë edhe nëpërmjet bisedës. Më kujtohet, kur filluan në Parlament të diskutonin, urgjent më thirri motra e më tha: “lëshoje  televizorin se po flitet për neve”. U ula pranë televizorit, mendoja se ma hoqën dhembjen që më kishte prekë si kancer tërë jetën time. Por, më pas më kapi një mallëngjim shumë i madh. Vonë shumë vonë e zuna veten në heshtje t`u mendu... 

/Autorja është sociologe dhe aktiviste e të drejtave të grave

    Data: 26 Tetor 2017 10:45
    Autori: Sibel Halimi
    • Demokracia në rrezik

      Demokracia në rrezik 0

    Të tjera

    • Humori i zi për politikën e zezë

      Humori i zi për politikën e zezë 0

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

      Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0