Kthehu lart

Gërdia nga Diaspora

Gërdia nga Diaspora Autori: Dimal Basha GazetaExpress E mërkurë, 02 Gusht 2017 16:12

Diaspora ka nxjerrë Eliza Dushkun, Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, kurse ne kemi nxjerr Linda Morinën. Diaspora ka nxjerrë vëllezërit Xhaka, ne vëllezërit Mziu. Diaspora ka nxjerrë Ferid Muratin, ne Burdushin. Diaspora ka nxjerrë Joseph DioGuardin, ne Adem Grabovcin. Shkurt, diaspora qe 18 vite ka krijuar pasuri, kurse ne veç varfëri. Ata intelektualë, ne analfabetë. Dhe kush kujt po i shet mend këtu?

Të kuptohemi në fillim, se kur flasim për diasporën ne veç po flasim për një grup shqiptarësh që kanë përfunduar në diasporë për shkak të një halli. Është vështirë të gjeni shqiptarë që për pikë të qejfit ka marrë familje edhe ka ikur me jetu jashtë këtij vendi. Për me shtu pak këtu, shumë prej këtyre që sot janë në diasporë janë mu për shkak se kanë bërë vepra patriotike duke synuar me çliru këtë vend prej atij regjimi fashist. Të gjithë ne njohim nga një që ka ikur nga ky vend për shkak se policia millosheviqiane rrethonte shtëpitë duke i kërkuar t’i vrasin për arsye të veprimeve të tyre politike. Të burgosurit politikë i mbani mend, po? Edhe ata nëpër protesta që ballafaqoheshin me policinë fashiste duke kërkuar demokraci? Eh, ata janë sot diaspora që sot na vizitojnë. Ata kanë përfunduar në diaspora për shkak të patriotizmit, por jo se ata kanë zgjedh me jetu jashtë këtij vendi me dëshirë.

Sa për njohuri shtesë, një numër i madh i tyre me dekada ka jetuar pa vizituar familje e as vendin për shkak se regjimi fashist i ka pritur t’i vrasë. Ka injorantë që mendojnë se diaspora shqiptare ka ikur nga Kosova me pushime nëpër vendet si Zvicra, Gjermania, Anglia, Amerika, e tjera. Kjo vjen për shkak se injorantët e njohin patriotizmin vetëm pas vitit 1999, atëherë kur familjet e tyre janë instaluar në pushtet.

Paramendo sa duhesh të jesh injorant me pas këtë mendim, përveç nëse nuk ke asnjë ndjenjë apo përvojë të asaj që u ka ndodhur mërgates gjatë regjimit fashist të Millosheviqit. Prandaj po du me mbyll këtë pjese duke ju treguar injorantëve se jo, diaspora nuk ka zgjedhur me jetu në mërgatë për qejf, as nuk kanë qenë atje me pushime. E kundërta, ata këtu vijnë me pushime, pra me qef, kurse atje ku jetojnë kane shku për zor. Kurse për lirinë që sot e gëzojmë, diaspora ka poaq merita sa edhe vetë ne. Diaspora bashkë me qytetarët e Kosovës kanë dhënë paret por edhe jetën, dhe krejt kjo për të gëzuar këtë rrëmujë që e gëzojmë ne sot. Ata nuk janë përgjegjës për kaosin.

Kurse sa për dijen e atyre që patriotizmin e masin me tifozeri, unë ju them se patriotizmi dhe dashuria ndaj vendit nuk matet me se ne cilin vend jeton, por atë çka bën për atë vend. Me fjalë të tjera, me siguri gruaja e Ministrit e di mirë se ka prej miqve të burrit të saj që jetojnë në këtë vend dhe njëkohësisht zhvatin milionat e qytetarëve të po të këtij vendi. Ata , sa për dije, nuk shquhen për patriot dhe për dashurinë që kanë ndaj vendit, por vetëm si kriminelë. Prandaj, fakti se jeton këtu nuk të bën patriote as patriot. Pikë!

Pjesa tjetër është tek zhurma dhe sjelljet e diasporës kur vijnë ata në vendin e tyre. Pra ne, si vendas, thuajse se jemi krejt në rregull dhe njihemi botërisht për sjelljet, trafikun e mirë, parkingjet e rregullta, dhe prandaj ankesat vijnë vetëm pas ardhjes se diasporës.

Prapë, jo!

Problemi nuk është diaspora, problemi jemi pra ne. Arsyet për ankesat vijnë mu pikërisht të rrëmujes që kemi krijuar vetë. Kush është përgjegjës për rrugët e ngushta e të pista? Kush qenka përgjegjës për ndërtimet e mbindërtimet që ne i gëzojmë sot? Po mangësia e rrymës, ujit, kulturës, vozitjes, e parkingjeve? Diaspora paska faj? Apo thuani se kanë faj për shkak se ata zgjedhin të vijnë me shumicë te na vizitojnë, derisa ne këtu krejt çka ju ofrojmë është një kaos urbanistik që nuk ju jep hapësirë as të qarkullojnë?

Mbani mend se jemi shume me fat, dhe kjo për shkak se Kosova është një nga vendet e rralla në botë, qe nuk ka det dhe gati asgjë atraktive për turistë, mirëpo njëkohësisht e ka një turizëm të garantuar nga diaspora, dhe ne prapë kemi disa injorantë që dalin ankohen për shkak të tollovive dhe kaosit thuajse ata na kanë faj pse ne nuk arrijmë t’i bëjmë ballë fluskit të tyre. Çka tash, të ju kërkojmë që të mos vijnë në numër aq të madh sepse po na mërzitni? Unë them se Kosova është shumë me fat që i ka, por sigurisht se diaspora janë shqiptarë, dhe ata e kuptojnë se këtu kemi injorantë që kërkojnë paren e tyre, por jo edhe zhurmën. E dojnë ashtu gratis, dhe bile bile, ne jemi aq te ngritur sa qe gjejmë kohë edhe te ju përqeshim dukjen dhe intelegjencën. A e dini pse? Sepse Kosova njihet për boten e modës dhe shkollimin e larte që e kemi. Nëse nuk e besoni, PISA është dëshmi e inteligjencës së lartë që e kemi ne, dhe për këtë “arritje” janë përgjegjës po ata qe sot po ju përqeshin.

Mua më shumë me mundoi koha që u desh që të shkruaj për këtë temë për shkak se duket komplet idiotike të trajtosh diasporën si të huaj, kur shumica kanë tokat e tyre, shtëpitë e tyre, dhe kane veturat e tyre. Ata janë përgjegjës vetëm për ngritjen e standardit në këtë vend, sikur ne shërbime, ashtu edhe në mirëqenie dhe infrastrukturë. Kurse në anën tjetër, ne jemi përgjegjës sepse i dështojmë duke mos i ofruar as shërbime, as infrastrukturë, dhe prandaj si gjithmonë e kërkojmë fajtorin diku jashtë dhe rrjedhimisht duam t’i fajësojmë ata për dështimet tona, thuajse ata duhet te jenë përgjegjës të sjellin me vete rrugët dhe parkingjet nga vendet që vijnë.

Krejt ne fund, ne krejt çka mundemi është të kërkojmë falje pse ata vazhdojnë të vijnë edhe kur ne i dështojmë, sepse përndryshe i dimë kush është më i suksesshëm, me inteligjent, dhe kush duket më bukur. Ata që zgjedhin të jenë injorantë, po ju kujtoj se diaspora ka nxjerrë Eliza Dushkun, Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, kurse ne kemi nxjerr Linda Morinën. Diaspora ka nxjerrë vëllezërit Xhaka, ne vëllezërit Mziu. Diaspora ka nxjerrë Ferid Muratin, ne Burdushin. Diaspora ka nxjerrë Joseph DioGuardin, ne Adem Grabovcin. Shkurt, diaspora qe 18 vite ka krijuar pasuri, kurse ne veç varfëri. Ata intelektualë, ne analfabetë. Dhe kush kujt po i shet mend këtu?

    Data: 02 Gusht 2017 16:12
    Autori: Dimal Basha
    • Iluzionet tona të humbura 0

    Të tjera

    • Hipokrizi dështakësh 0

    • ​Rikthimi i Milladin Popoviqit 0