Kthehu lart

Forcat e Armatosura, një përpjekje e përbashkët

Forcat e Armatosura, një përpjekje e përbashkët Autori: Burim Ramadani GazetaExpress

Rruga përpara ka të bëjë me dimension të koordinuar mirë, sepse suksesi i këtij procesi do të jetë i plotë kur planifikimet, vendimet e veprimet janë të koordinuara. Transformimi është proces i pakthyeshëm. Është proces i sigurt dhe momenti i vendimmarrjes politike do të jetë moment i suksesit të përbashkët

Në bindjen time, rrugë të shkurtër për transformim nuk po kërkohet. Nuk ka rrugë të shkurtër për Forcat e Armatosura. Por, ka proces të koordinuar mirë, gjithëpërfshirës, të argumentuar dhe të saktë në secilin detaj, veprim dhe vendim.

Procesi për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është në rrugë të mbarë, me përpjekje të vazhdueshme dhe në konsultim gjithëpërfshirës. Të tri këto elemente janë të domosdoshme për të arritur suksesshëm në trasnformim dhe Qeveria e Kosovës është e interesuar që përmbyllja e këtij procesi të jetë një hap i rëndësishëm lehtësues në komunikimin me NATO-n dhe të shërbejë si një arritje e angazhimit të përbashkët.

Sepse, qëllimi është i ndërlidhur me promovimin e sigurisë nacionale dhe sigurisë rajonale, përmes ndërtimit të kapaciteteve të konceptit që njihet si “mbrojtje e mençur”, që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë dhe të mbrojtjes në qasje kolektive të vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Procesi është Kushtetues në tërësinë e vet. Ndryshimet Kushtetuese dhe ndryshimet Ligjore janë pjesë e vazhdueshme e përpjekjeve institucionale. Prandaj, kërkon edhe mbështetjen e komuniteteve jo-shumicë. Në rastin e komunitetit shumicë, përkatësisht partive shqiptare në Kosovë, nuk ka ndonjë proces tjetër që ka marrë konsensus deri në unifikim më të madh sesa transformimi i FSK-së në FAK.

Rruga përpara ka të bëjë me dimension të koordinuar mirë, sepse suksesi i këtij procesi do të jetë i plotë kur planifikimet, vendimet e veprimet janë të koordinuara.

Në kontekstin e përgjithshëm, nuk duhet pritur që me vendimmarrjen politike do të ndryshojë gjithçka në kuptimin praktik. Vendimmarrja politike do të jetë nisje e një procesi të avancimit të kapaciteteve, që merr kohë dhe angazhim.

Institucionet e Kosovës dhe partnerët mbështetës e kanë bërë të qartë vazhdimisht se transformimi i FSK-së në FAK është një përpjekje të përbashkët, edhe në planifikim, edhe në vendimmarrje, dhe më pas edhe në konsolidim. Transformimi është proces i pakthyeshëm. Është proces i sigurt dhe momenti i vendimmarrjes politike është çështje do të jetë moment i suksesit të përbashkët.

Transformimi është një prej temave kryesore vazhdimisht në të gjitha angazhimet institucionale, në të gjitha nivelet vendimmarrëse. Sigurisht se Kosova ka edhe tema tjera tejet të rëndësishme për shtetin dhe për qytetarët në tërësi, por kjo nuk e zëvendëson asnjëherë kursin e veprimit të Kosovës në konsolidimin e Arkitekturës së Sigurisë Nacionale.

    Data: 06 Mars 2018 10:46
    Autori: Burim Ramadani

    Të tjera