Kthehu lart

FINALJA E DIALOGUT KOSOVË – SERBI

FINALJA E DIALOGUT KOSOVË – SERBI Autori: Shkelzen Maliqi GazetaExpress

Formati i dijalogut Kosovë – Serbi, që për qëllim kishte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, u tregua me mangësi serioze që ndikuan në vonesa dhe moszbatim të marrëveshjeve të arritura. Dialogu zhvillohej pa afate dhe instrumente penalizuese sepse BE-ja, si lehtësuese e dialogut, nuk e kishte autoritetin e mjaftueshëm kushtëzues.

Stimulues i vetëm për dinamizimin e dialogut ka qenë vlerësimi i sukseseve në dialog si momente shpërblyese për hapa avancues në proceset integruese. Serbia shfrytëzoi më mirë këtë ndërlidhje të dialogut me hapat e integrimit, ngase hyri në biseda për anëtarësim. Kosova, ndërkaq, ngeci shumë, duke mos e marr madje as liberalizimin e vizave. Kjo nuk ndodhi ngase Kosova ishte më pak kooperative. Problemi ishte te mosuniteti i BE-së rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës.  Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro nuk e njohin pavarësinë, kështu që në cështjet e përparimeve për integrim mungonte koncensusi i duhur në instancat vendimarrëse të BE-së.

Ngecja karshi avancimit të Serbisë ndikoi në rritjen e pakënaqësisë në Kosovë me efekte negative për procesin e dialogut. Gjatë përplasjeve të brendshme politike në Kosovë janë fuqizuar dukshëm forcat të cilat kanë qenë që nga fillimi kundër dialogut. Atyre iu dha një argument propagandues i fuqishëm se dialogu i formatit ekzistues shkon në favor të Serbisë. Nëse vazhdohet trendi, thoshin ata, do të vijmë në situatë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së shumë para Kosovës. Me këtë Serbia fiton fuqi shtesë bllokuese pasi që vendimmarrja në BE është me koncensus. Nëse Serbia arrin e para në cak, pamundëson anëtarësimin e Kosovës në BE!

Kuptohet, ky skenar negativ nuk ka qenë asnjëherë intencë reale e Brukselit. Nëse jo zëshëm, atëherë me gjysmë goje, zyrtarët e BE-së gjithnjë pohonin se momentin e caktuar  Serbisë do t’i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, si dhe mospengimi i anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara.

Rolin vetëdijesues ndaj Serbisë për qëllimin e fundit të dialogut prej kohësh e kishte marrë Gjermania, si një zëdhenëse më me ndikim e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Është e vërtetë pra që Serbia ka përparuar më shpejtë, I ka hapur edhe bisedat për anëtarësim, por që në kapitujt e parë të bisedimeve ajo është vënë që të ballafaqohet me çështjen e normalizmit të marrëdhënieve me Kosovën. Me këtë edhe kushtëzon çdo përparim i mëtutjeshëm të Serbisë drejt anëtarësimit në BE. Dhe kjo krijon mundësinë që edhe Kosova ta zë hapin, aq më parë që njohja eksplicite ose implicite e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, do tëndruyshonte rrënjësisht situatën, sikundër që do të ndikonte edhe te pesë anëtaret e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ta ndryshojnë mendjen.

Megjithatë, janë edhe dy faktor të tjerë madhor në zhvillimet gjeostrategjike, që kushtëzuan ndërrimin aktual të formatit të dialogut dhe caktimin me urgjencë të një afati një vjeçar, ose 18 maujsh, për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse dhe obliguese të normalizmit të marrëdhënive Kosovë – Serbi, që është ajo finale e madhe e dialogut me të cilën të dy shtetet e hapin portën e BE-së.

Çështja e parë ka të bëjë më krizën e brendshme të BE-së: referendum i  Britanisë për dalje nga BE-ja, kriza e euros, borxhi marramendës i Greqisë, fuqizimi i euroskepticizmit dhe nacionalizmave në shumë shtete anëtare të BE-së… Në këtë kontekst edhe vonesave e dialogut Kosovë – Serbi, merr hijën e të qenit pjesë e gjendjes së pasigurisë në tërë kontinentin. Për më shumë, jostabiliteti i Ballkanit perceptohet si bombë me sahat që kërcëenon BE-në.

Faktori i dytë kërcënues janë proceset në Evropën Lindore ku Rusia ringjalli ambicjet për ta rikthyer rolin e superfuqisë botërore, pasi që aneksoi Krimenë, e ndau Ukrainën në dysh, patronizoi shkëputjet e pjesëve të territoreve të Gjeorgjisë, intervenoi ushtarakisht në Siri etj.

Po kështu, duke përfituar nga vetoja në Këshillin e Sigurimit që bllokoi Kosovën, Rusia investoi shumë që Serbinë ta fut në orbitën e interest të saj: bleu të gjitha resurset energjetike të saj, ndërtoj e bazën ushtarake në Nish ( e maskuar si “humanitare”), kontron mediat serbe etj.). Rusia punoi që të vendos kontrollin edhe mbi Maqedoninë, Malin e Zi dhe Republikën Serbska etj. mbase e udhëhequr me pretendimin që ta kthejë formulën e vjetër të ndarjes së sferave të interesit 50 me 50 % sipas paktit të Jaltës Churchill – Stalin të vitit 1945.

Këto ndërmarrje të Rusisë gjithsesi janë sfiduese për stabilitetin dhe sigurinë e Kontinenti të Vjetër.  Ndërkaq në rajonin tonë kjo drejtpërsëdrejti bie ndesh me interesin e BE-së që tërë Ballkani, me gjith vendet që nuk janë anëtare, konsisderohet si pjesë të BE-së, konfirmuar kjo nga Samiti në Selanik I vitit 2003. Depërtimi i Rusisë në Ballkan kërcënon nëse jo përçarjen, atëherë gjithësesi dobësimin e mëtejmë të BE-së.

Perëndimi dhe NATO aktualisht janë alarmuar nga ambicjet e Rusisë, duke e ndëshkuar me sankcione.  Këto zhvillime rreth Rusisë nuk mund të kalojnë pa ndikime edhe në dialogun Kosovë – Serbi, madje edhe duke imponuar dinamikë, format dhe përmbajtje të re.

Pasi që në dialogun paraprak shumica e marrëveshjeve teknike janë realizuar ose të paktën janë draftuar zgjidhjet e tyre, faza e re do të duhej të ishte esencialisht politike, një lloj strategic end game që qëllimin kryesor e ka pengimin e depërtimit të Rusisë në Ballkan.

Unë jam i bindur se edhe marrëveshja finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në pikat kryesore tashmë është draftuar. Për të biseduar kanë mbetur disa çështje ku kërkohet arritja e kompromiseve diplomatike statutore që do t’i rrumbullaksonin zgidhjet tashmëm të paralajmëruara me elemente siç janë anëtarësimi i Kosovës në OKB, zbatimi i detyrueshëm i Asociacionit të komunave serbe me kompetenca që nuk janë ekzekutive.

Assesi nuk bëhet për marrëveshjë eventuale “kompenzusese” çfarë kërkon Serbia duke përmendur ndarjen ose këmbimin e territoreve.

Kosova në këtë end game nuk do të duhej të hynte e përçarë, pa aritjen e një unitetit të shumicës shqiptare.

Kjo mund të arrihet qoftë përmes rikonstruimit të Qeverisë në koalicionit të madh, ku individët duhet të heqin dorë nga sedrat dhe ambicjet personale, qoftë duke autorizuar një ekip të unitetit që do t’i zhvillojë dhe përfundojë bisedimet.

Ky editorial  është shkruar në kuadër të projektit të KDI-së 'Fuqizimi i rolit të kuvendit në mbikqyrjen e ekzekutivit dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces' i financuar Departamenti Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës. Vëzhgimet e autorit, jo domosdo përputhen me qëndrimet e KDI-së dhe donatorit

    Data: 31 Mars 2018 13:32
    Autori: Shkelzen Maliqi

    Të tjera