Kthehu lart

Erdogani është kërcënim për të gjithë

Erdogani është kërcënim për të gjithë Autori: Roberto Saviano GazetaExpress

Gazetarë të burgosur pastaj të liruar pas asnjë shpjegim. Të drejtat e mohuara në Turqi janë një çështje europiane

Ditëve të kaluara drejtësia në Turqi ka qenë protagoniste, përsëri, e debatit publik. Asli Erdoğan, shkrimtare dhe gazetare e arrestuar pas grushtit të shtetit të gushtit 2016, me akuzën për «propagandë terroristike», «pjesëmarrje në një organizatë terroriste» dhe «nxitje të turbullirave», shkruan: «Besomëni, nuk është e lehtë të jesh shkrimtar dhe gazetar në Turqinë e sotme. […] Po të isha franceze, a do të isha trajtuar kështu? Nuk besoj dhe ky është faji edhe i ne turqve: problemi është se letërsia, këtu, nuk merret parasysh».

Për Turqinë është folur për shkak të dy lajmeve të ndryshme mes tyre, të cilat kanë të bëjnë me arrestimet e pashpjegueshme, burgosjet preventive, dënimet jonjerëzore dhe lirimet sa të pamotivuara po aq të pamohueshme. Në Turqi e drejta është e pasigurt, në Turqi intelektualët dhe gazetarët nuk e dinë pse arrestohen dhe nuk e dinë as pse lirohen. Deniz Yucel, korrespondent i të përditshmes gjermane Die Welt, është arrestuar një vit më parë dhe është mbajtur më shumë se 365 ditë në arrest preventiv pa iu formalizuar kurrfarë akuze. Lirimi i tij ka ka ardhur pas presionit nga Gjermania. Deniz Yucel, kur është liruar, i ka thënë të njëjtat fjalë që i kishte thënë Asli Erdoğan në momentin e lirimit: «Nuk e di pse jam arrestuar. Dhe nuk e di pse jam liruar».

Kësaj i shtohet dyshimi, të cilit pak i duhet që të bëhet ndjenjë faji, i marrëveshjeve të luajtura mbi kurrizin e të burgosurve të huaj që nuk kanë bërë asgjë tjetër pos punës së tyre. Një intervistë me një rival politik të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan mund të  të kushtojë me arrestim dhe dënim.

Në këtë moment, si pasojë e grushtit të shtetit të dështuar, në Turqi janë mbi 50 mijë të ndaluar, të arrestuar me akuzën e grushtetit apo pjesëmarrjes në një organizatë terroriste të matricës guleniste apo kurdë dhe mbi 100 mijë persona e kanë humbur punën.

Në këtë moment në Turqi gazetarët e huaj, pas shumë bisedimesh, lirohen; ndërsa gazetarët turq, për të cilët nuk mund të ketë peshë asnjë presion i huaj, dënohen me burg të përjetshëm, në kushte burgosjeje tepër të rënda.  

Vëllezërit Ahmet dhe Mehmet Altan, gazetarja Nazli Ilicak, Fevzi Yazici, Yakup Simsek dhe Sukru Tugrul Ozsengul, janë akuzuar të kenë tentuar të «prishin rendin kushtetues» dhe për këtë janë dënuar me burg të përjetshëm. Me këtë dënim, nëse ndokush kishte ende ndonjë dyshim, shteti turk  ka varrosur veten përfundimisht.

Dënimi i parashikuar është më i ashpri, është më i larti i kërkuar nga akuza: burgimi i rëndë, për gjashtë intelektualët, do të thotë 23 orë izolim në ditë dhe mundësi për të pranuar vizita një herë në 15 ditë. Një torturë dhe një paralajmërim në të njëjtën kohë; jo vetëm një paralajmërim për qytetarët turq, por ehde për europianët, gazetarët, shkrimtarët e intelektualët, se duhet ta dimë saktësisht me kë kemi të bëjmë sa herë që duam të merremi me Turqinë. Si është e mundur të mos na kujtohen fjalët profetike të Marco Pannella-s, që e kishte zakon ta përsëriste rëndësinë jetësore të hyrjes në Bashkimin Europian të Izraelit dhe Turqisë. Pannella, që ka qenë një intelektual i rafinuar, iu referohej rrënjëve europiane të shtetit të Izraelit dhe në të njëjtën kohë rëndësisë së Bizanti ka pasur në kulturën dhe në ekuilibrat politikë të shteteve që sot bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Po e paguajmë një mosdëgjueshmëri të fajshme; po e paguajmë, e kolegët në burg në Turqi janë viktimat e blatuara, mungesën e vizionit dhe pragmatizmit. E tërë kjo që po e jetojmë veç ishte shkruar, por interesat e veçanta dhe paaftësia për të përfshirë i kanë bërë kufijtë lindorë të Europës një bombë me sahat.

E duke folur për burgun, mendimi, siç është e natyrshme të ndodhë, shkon te sistemi ynë i burgut që, për ta respektuar Kushtetutën e mrekullueshme për të cilën flasin shumëkush, por të paktë janë ata që duan ta aplikojnë, ka nevojë për ato reforma për të cilat Rita Bernardini dhe pothuajse 10 mijë të burgosur e kanë vënë në veprim një satyagraha të madhe, një grevë urie, një shembull i vërtetë i protestës civile, një leksion për të gjithë ne që jemi jashtë, një leksion nga ai që ka gabuar dhe për këtë, përveç që e ka humbur lirinë, në burgjet tona, është duke e humbur edhe dinjitetin.

/Marrë nga L’espresso; titulli është i redaksisë

/Përktheu: GazetaExpress

    Data: 27 Shkurt 2018 11:46
    Autori: Roberto Saviano

    Të tjera