Kthehu lart

Dhjetë arsye pse duhet përkrahur komunitetin LGBTI

Dhjetë arsye pse duhet përkrahur komunitetin LGBTI Autori: Dimal Basha GazetaExpress

Ne nuk duhet të harrojmë se jo larg edhe ne vetë kemi qenë e diskriminuar, dhe kemi qenë viktimë e paragjykimeve. Prandaj, sot do të ishte e pafalshme që ne të lejojmë që të shndërrohemi nga viktima në abuzues. Homoseksualët nuk paraqesin rrezik dhe jeta e tyre mbetet private që nuk ndërhyn në jetën e askujt. Rreziku më i madh i secilës shoqëri janë injoranca, hajnia, korrupsioni dhe Kosova ballafaqohet me shumë rreziqe si këto, mirëpo homoseksualët nuk janë një prej tyre

I.

Pse duhet respektuar?

Një prej rregullave bazë të demokracisë është respektimi i të qenit dhe bindjeve ndryshe edhe atëherë kur nuk na pëlqen. Prandaj, respektimi i të drejtave të komunitetit LGBTI nuk nënkupton pëlqimin e preferencave të tyre, por nënkupton obligim dhe detyrim ligjorë që të respektoni të drejtën e tyre që ata të dashurojnë kë të duan dhe si të duan. Është pra sikur puna e duhanxhiut. Ju mund të mos ju pëlqej preferenca që dikush konsumon duhan, mirëpo kjo nuk do të thotë të urreni vet duhanxhiun.

II.

A janë homoseksualët njerëz të këqij?

Preferencat seksuale të një individi nuk përcaktojnë karakterin e tij/saj. Ka shumë kampe që argumentojnë se të qenit homoseksual nënkupton të jesh njeri me karakter të keq, dhe kjo shpesh shkakton urrejtje ndaj këtij komuniteti. Mirëpo kjo përveç se është gabim, është edhe ofenduese, për faktin e thjeshtë se të qenit homoseksual nuk e bën njeri të keq, kurse të qenit homofob po, sepse njerëzit vlerësohen sipas veprave që bëjnë, e jo për preferencat seksuale që ata zgjedhin.

III

A zgjedhin vetë homoseksualët preferencat seksuale të tyre?

Të qenit homoseksual nuk është zgjedhje. Ka zëra që pretendojnë se të qenit homoseksual është zgjedhje e tyre. Mirëpo këtë dilemë e zgjidhni me një eksperiment mendorë. Për shembull, ndaloni dhe pyesni veten, kur keni vendos të zgjidhni të jeni heteroseksual? Pra, a ka pas një moshë ku jeni ndalur dhe keni pyetur veten se do të dashuroni një femër apo mashkull? Nëse nuk keni pasur një moment të tillë, atëherë e kuptoni se as homoseksualët nuk e kanë pasur një zgjidhje të tillë. Dashuria e juaj e parë ka qenë përcaktim i natyrshëm i juaji, dhe shumë prej jush e mbani mend këtë, dhe e natyrshme është edhe për homoseksualët. Pra, sikur që heteroseksualët nuk zgjedhin të jenë atraktivë me gjininë e kundërt, njëjtë edhe homoseksualët, që rrjedhimisht nënkupton se të qenit homoseksual nuk është zgjedhje, por lindesh i tillë.

IV

Kush janë homoseksualët?

Sipas shumë burimeve, Joseph Priestly është përndjekur dhe laboratori i tij është demoluar në shkekullin e XVIII me arsyen e vetme se ka qenë homoseksual. Priestley pastaj zhvendoset ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe zbulon pastaj oksigjenin. Historia e njejtë i ka ndjekur anglezë edhe me Alan Touring. Touring ka qenë homoseksual, por edhe një nga gjenitë që shpesh i kontribohet fitimi i luftës së dytë botërore kur ai theu kodin e nazistëve. Touring mbetet një nga intelektualët më të shquar botërorë dhe Anglia ka shpërblyer atë me çmim për kontributin e tij diku mbi 30 vite pas vdekjes së tij. Sot, kemi kryeministra, filozof, shkencëtarë, novelist, biznesmen dhe shumë koka të ndritshme që janë homoseksual dhe nëse ne i përjashtojmë ata, ne rrezikojmë të përjashtojmë veten nga bota e moderuar dhe nga një vlerë e shtuar e shoqërisë sonë.

V

A mbrohet Zoti duke sulmuar homoseksualët?

Shpesh argumentohet se të qenit homoseksual është kundër bindjeve fetare të shumicës se religjioneve monoteiste dhe rrjedhimisht këto bindje janë shkas për sulmet dhe urrejtjen ndaj tyre. Megjithatë çfarëdo sulmi ndaj homoseksualëve e dobëson e bindjen argumentin ndaj Zotit që e besoni. Nëse besoni në plotfuqinë e Zotit, atëherë duhet kuptuar se Ai nuk ka nevojë për ndihmën tuaj. Personat të cilët ushtrojnë ose thërrasin në dhunë në emër të Zotit, ata nuk paraqesin mbrojtjen e vlerave të Tij, por bastardizimin e tyre, sepse një Zot i plotfuqishëm nuk ka nevojë ndihmën e injorantëve më të mëdhenj të këtij katundi.

VI

A ndihmon fenë nëse sulmon homoseksualët?

Nëse pretendon se feja jote është fe e paqes, atëherë dhuna kundër çfarëdo komuniteti nuk arsyetohet ose rrezikon ta etiketoj si fe të dhunës. Për më tej, duhet kuptuar faktin se thirrja për urrejtje ndaj tyre nuk shton numrin e besimtarëve, por vetëm i humb ata. Për shembull, sondazhet e fundit në SHBA tregojnë se arsyeja kryesore për braktisjen e religjionit tek të rinjtë amerikanë është ofendimi i homoseksualëve që ata e hasin tek religjionet. Më shkurt, ata njohin shokët dhe shoqet e tyre si njerëz të mire, dhe kur dëgjojnë se klerikët fetarë i ofendojnë miqtë e tyre të ngushtë, ata zgjedhin miqtë para klerikëve dhe rrjedhimisht braktisin fenë. Prandaj, thirrja në urrejtje nga klerikët është një bumerang, që eventualisht çon besimtarët në braktisjes e fesë, jo afrimit ndaj saj. 

VII

A ka rrezik nga homoseksualët?

Rreziku vjen nga urrejtja, jo nga respekti, sepse urrejtja ndaj tyre çon në një shoqëri të dhunshme, jotolerante. Korrelacionet në shoqëritë perëndimore tregojnë se sa më tolerant, aq më të zhvilluar je. Nëse frika është faktor në këtë të ashtuquajtur problem, atëherë pyetja më e mire që do duhej të shtronit është “cili kamp paraqet më shumë rrezik?” 1) Kampi i banditëve të devotshëm që për zgjidhje e kanë dhunën dhe diskriminimin? Apo 2) kampi i homoseksualëve, zgjedhja e të cilëve nuk ka asnjë ndikim në jetën e askujt. Unë mendoj se banditët e devotshëm janë shumë më të rrezikshëm, sepse dhuna është antiligjore, jodemokratike, që rrezikon të thellojë intolerancën dhe injorancën. Të dy këto cilësohen si dy armiqtë më të rrezikshëm në secilën shoqëri dhe prandaj zgjidhni dashninë para urrejtjes.

VIII

Çfarë do themi nesër?

Një duhet kuptuar se sa më e civilizuar dhe demokratike është një shoqëri, aq më shumë respekton të drejtat e komuniteteve pakicë. Shoqëria jonë mund të jetë konservative dhe sot të diskriminoj ndaj tyre, mirëpo kuptojeni se do t’ju dënojë historia dhe gjeneratat e ardhshme do të turpërohen me qëndrimet tona, sidomos duke pas shembuj tek shtetet e tjera civilizuese me të cilat ndajmë të njëjtin kontinent. Prandaj, përkrahi komunitetet pakicë, përkrah komunitetin LGBTI, dhe rri në anën e drejtë të historisë, sepse përkrahja e tyre nuk është degradim etik në shoqëri, por përmirësim i standardeve morale për të gjithë ne.

IX

A është homoseksualiteti sëmundje

Përgjigja është jo. Bota e civilizuar, pra ajo pjesë që ka arritur majat e zhvillimeve shkencore, nuk e konsideron homoseksualitetin si sëmundje, kurse në anën tjetër homofobia në disa raporte është cituar të jetë një formë e çrregullimit mental. Që i bie se sot në botën e civilizuar homofobia ka filluar të shikohet si e metë mentale, kurse homoseksualitetin e konsiderojnë si formë dashurie që meriton respektin e të gjithë neve.

X

Për fund, respektimi i të drejtat civile nuk është opcionale, sepse vet fjala e drejtë  nuk lejon kompromis dhe nënkupton respektim pa marrë parasysh a na pëlqen neve apo jo. Kjo e drejtë garantohet me Kushtetutë. Ne nuk duhet të harrojmë se jo larg edhe ne vetë kemi qenë e diskriminuar, dhe kemi qenë viktimë e paragjykimeve. Prandaj, sot do të ishte e pafalshme që ne të lejojmë që të shndërrohemi nga viktima në abuzues. Homoseksualët nuk paraqesin rrezik dhe jeta e tyre mbetet private që nuk ndërhyn në jetën e askujt. Rreziku më i madh i secilës shoqëri janë injoranca, hajnia, korrupsioni dhe Kosova ballafaqohet me shumë rreziqe si këto, mirëpo homoseksualët nuk janë një prej tyre.

    Data: 09 Tetor 2017 10:52
    Autori: Dimal Basha
    • 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë…

      22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë… 0

    Të tjera

    • Ballkani nuk u bë dot Zvicër

      Ballkani nuk u bë dot Zvicër 0

    • Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

      Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve 0