Kthehu lart

Deri ku mund të shkojë kjo valë iliberale

Deri ku mund të shkojë kjo valë iliberale Autori: Joseph Stiglitz GazetaExpress E mërkurë, 19 Prill 2017 11:32

Vladimir Putin dhe autokratë të tjerë të postkomunizmit reklamojnë sistemet e tyre të “demokracisë joliberale” mbi bazën e pragmatizmit, jo mbi ndonjë teori universale të historisë. Por ndërsa ata dukshëm kanë qenë efikasë në nxitjen e ndjenjave nacionaliste dhe në shtypjen e disidentëve, kanë qenë më pak të suksesshëm në ushqimin e rritjes ekonomike afatgjatë

Sot, një çerek shekulli pas fundit të Luftës së Ftohtë, Perëndimi dhe Rusia janë ende në armiqësi. Këtë herë, gjithsesi, së paku në një drejtim, mosmarrëveshja është në mënyrë më transparente e lidhur me pushtetin gjeopolitik dhe jo mbi ideologjinë. Perëndimi ka mbështetur në shumë mënyra lëvizjet demokratike në rajonin post-sovjetik, pa u përpjekur të fshehë entuziazmin për revolucionet “me ngjyra” që kanë zëvendësuar diktatura të vjetra me udhëheqës më llogaridhënës – megjithëse jo të gjithë rezultuan demokratë të angazhuar siç pretendonin se ishin.

Shumë tepër vende në ish-bllokun Sovjetik mbeten nën kontrollin e udhëheqësve autoritarë, përfshirë disa, si Vladimir Putin i Rusisë, të cilët kanë mësuar si të mbajnë një fasadë më bindëse zgjedhjesh në krahasim me paraardhësit e tyre komunistë. Ata reklamojnë sistemin e tyre të “demokracisë iliberale” mbi bazën e pragmatizmit, jo mbi bazën e ndonjë teorie universale të historisë. Këto udhëheqës pretendojnë se ata thjesht janë më efikasë në bërjen e punëve.

Kjo është dukshëm e vërtetë kur vjen puna te nxitja e ndjenjave nacionaliste dhe shtypja e disidencës. Por ata gjithsesi kanë qenë më pak efikasë në ushqimin e rritjes ekonomike afatgjatë. Ajo që dikur ka qenë një nga dy superfuqitë e vetme të botës, Rusia, ka aktualisht PBB sa 40 për qind e Gjermanisë dhe sa 50 për qind e Francës. Në treguesin e jetëgjatësisë së pritshme në lindje renditet në vend të 153-të në botë, pas Hondurasit dhe Kazakistanit.

Në treguesit e të ardhurave për frymë, Rusia tashmë renditet në vend të 73-të (me kriteret e barazisë së fuqisë blerëse) – shumë më poshtë se sa ish-shtetet satelite të Bashkimit Sovjetik në Europën Qendrore e Lindore. Vendi është deindustrializuar: shumica dërrmuese e eksporteve tashmë vijnë nga burimet natyrore. Rusia nuk ka evoluar në një ekonomi tregu “normale”, por në një formë të çuditshme të shtetit kapitalist klientelist.

Po, Rusia ende godet mbi peshën e saj në disa fusha, siç janë armët bërthamore. Dhe ajo ruan fuqinë e vetë në Kombet e Bashkuara. Siç demonstron edhe hakerimi i Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, ajo ka kapacitete kibernetike që i mundësojnë asaj të jetë jashtëzakonisht ndërhyrëse në zgjedhjet në Perëndim.

Ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se ndërhyrje të tilla do të vijojnë. Duke marrë parasysh lidhjet e thella të presidentit të SHBA-së Donald Trump me personazhë të neveritshëm rusë (të cilët nga ana e tyre janë të lidhur me Putinin), amerikanët janë thellësisht të shqetësuar mbi ndikimin potencial të Rusisë në SHBA – gjëra që tashmë do të duhet të sqarohen nga hetimet që kanë nisur.

Shumë patën shpresa shumë më të larta për Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik më gjerësisht, kur Perdja e Hekurt ra. Pas shtatë dekadash komunizmi, tranzicioni tek ekonomia e tregut dhe demokracia nuk pritej të ishte e lehtë. Por, duke marrë parasysh avantazhet e dukshme të kapitalizmit të tregut demokratik ndaj sistemit që sapo qe rrëzuar, supozohej se ekonomia do të lulëzonte dhe qytetarët do të kërkonin të kishin më shumë zë.

Çfarë shkoi keq? Kush, nëse ekziston, e ka fajin? A mundej që tranzicioni post-komunist i Rusisë të ishte menaxhuar më mirë?

Ne nuk mund t’i japim kurrë një përgjigje përfundimtare pyetjeve të tilla, historia nuk mund të përjetohet për herë të dytë. Por unë besoj se ajo me të cilën ne po përballemi sot është pjesërisht trashëgimi i defekteve të Konsensusit të Uashingtonit, i cili farkëtoi tranzicionin e Rusisë. Ky kuadër bazë ndikimesh u reflektua në theksimin dramatik që reformuesit i bënë privatizimit, pa marrë parasysh se si po kryhej ai, ku shpejtësia mori precedencë mbi çdo gjë tjetër, përfshirë mbi nevojën për krijimin e infrastrukturës financiare që duhej ta bënte ekonominë e tregut funksionale.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur unë shkrova Globalizimi dhe të Pakënaqurit e tijargumentova se përqasja e “terapisë së shokut” ndaj reformave ekonomike qe thjesht një dështim zhgënjyes. Por mbrojtësit e asaj doktrine kërkonin që të bënim durim: një gjykim i tillë mund të bëhet vetëm pasi të kemi parë ecurinë afatgjatë.

Sot, më shumë se një çerek shekulli që nga fillimi i tranzicionit, ato konkluzione të hershme janë konfirmuar dhe ata që argumentuan se të drejtat e pronësisë private, sapo të krijoheshin, do t’i hapnin rrugë rritjes së kërkesave më të gjera për sundim ligji, kanë rezultuar të gabuar. Rusia dhe shumë vende të tjera me ekonomi në tranzicion kanë mbetur edhe më prapa ekonomive të avancuara nga sa qenë më parë. PBB në disa vende në tranzicion është më i ulët nga sa qe në fillim të këtij tranzicioni.

Shumë në Rusi besojnë se Thesari i Shteteve të Bashkuara cyti për politika të Konsensusit të Uashingtonit për të dobësuar vendin e tyre. Korrupsioni i thellë në skuadrën e Universitetit të Harvardit që u zgjodh për të “ndihmuar” Rusinë në tranzicionin e saj, përshkruar në një raport të hollësishëm të publikuar në vitin 2016 nga Institutional Investor, i përforcoi këto besime.

Unë besoj se shpjegimi qe shumë më pak dashakeq: ide të gabuara, pavarësisht nëse kishte qëllimet më të mira, mund të japin pasoja të rënda. Dhe mundësitë për babëzi dhe vetinteres të ofruara nga Rusia thjesht qenë tepër të mëdha dhe disa njerëz nuk rezistuan. Qartazi, demokratizimi në Rusi kërkonte përpjekje për të siguruar mirëqenie për të gjithë, jo politika që sjellin krijimin e një oligarkie.

Dështimet e Perëndimit për rrjedhojë nuk duhet të minojnë vendosmërinë e saj për të punuar tani për të krijuar shtete demokratike që respektojnë të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar. SHBA po vuan për të parandaluar normalizimin e ekstremizmit të administratës Trump – qoftë ky ekstremizëm një ndalim për udhëtimet e myslimanëve, qoftë mohimi i shkencës mbi politikat mjedisore apo kërcënimet për të injoruar detyrimet e tregtisë ndërkombëtare. Por as dhunimet e ligjit ndërkombëtar nga vende të tjera, të tilla si veprimet e Rusisë në Ukrainë, nuk duhet të “normalizohen”.

    Data: 19 Prill 2017 11:32
    Autori: Joseph Stiglitz
    • Nga financa në Elysee. “Alieni” ndihet që tani fitimtar 0

    Të tjera

    • Erdogani i mori të gjitha 0

    • Franca para zgjedhjeve pa drejtim 0