Kthehu lart

Çakordi qeveritar në komunikime publike

Çakordi qeveritar në komunikime publike Autori: Ibrahim Berisha GazetaExpress

A ekziston mundësia, pra, e koekzistencës, kur secili ta marrë përgjegjësinë konkrete që i përket? Qytetari të veten dhe qeveritari të tijën. Pa u fshehë qeveritari mbas qytetarit dhe pa iu falur përkulshëm qytetari qeveritarit. Në pikën e fundit, ekziston realiteti, i cili sa është sprovë gjeneruese e ngritjes, po kaq është edhe kërcënues i rënies në të njëjtin bunar. Një shoqëri vlerësohet kur e di ku është dhe di nga do të shkojë. Flet dhe bën hapa të qartë, të thjeshtë dhe të dobishëm

Çka, si dhe pse flasin kaq papajtueshëm zyrtarët? Presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat (mbase 5), ministrat (mbase 20), zëvendësministrat (mbase 71), këshilltarët (mbase 100 e sa), për tema të njëjta, gjithsecili flet si e kujt t’i teket. Pa shkas, kjo është qeveri me shumë çakorde dhe konflikte në komunikimet me publikun. Është e pashoq, sa shumë ka qasje dhe pikësynime të veçanta dhe të ndryshme për pika të njëjta. Mbasi në asnjë temë të qenësishme të agjendave themelore shtetetërore, nuk ka pajtueshmëri dhe tolerancë të natyrshme. Është fjala për qeverinë dhe jo për Parlamentin, në të cilin dallimet ndërlidhen me pluralizmin partiak dhe ato, të njohura tashmë për opinion, eksponueshëm ndjekin kënaqjen e pasioneve personale a grupore.

Qeveritarët të lënë gojëhapur me manifakturën sa avanturiere, aq ekskluzive në trajtimin e temave që reflektojnë në jetën e përditshme të qytetarëve. Nuk është se ndokush kërkon disiplinë pajtimi absolut të komunikimeve të të pushtetshmëve, por nuk mund të jenë të efektshme kundërshtimet reciproke për gjithçka përbrenda një trupi ekzekutiv, përbrenda një programi qeveritar, që thuhet se është kaherë i harmonizuar dhe strategjik. Vërehet hapur kjo, aq shumë bllokojnë njëra-tjetrën pjesët e koalicioneve në secilën ide a veprim, edhe po të jenë në dobi të shtetit dhe të qytetarit, sa nuk ka asnjë nevojë tjetërkush t’u dalë përpara për t’i ndalur.

Qeveria sikur është pajtuar me familjarizim komunikues me diskurs përjashtues, plot konfuzione dhe pa forcë për t’u korrigjuar nga dualizmat dhe gafet, të cilat nganjëherë janë jo vetëm të habitshme, por edhe të frikshme. Shih konfliktin politiko-juridiko-diplomatik me partneret strategjikë ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës. Më së lehti thënë, kjo gjuhë sjellë telashe epidemike. Pastaj, çfarë prodhon ky konflikt komunikimi, me partnerë që kanë treguar aq herë se mbështetja e shoqërisë së Kosovës në ndihmën e tyre, është e plotë dhe e pakompromis. Më së thjeshti thënë: shteti i Kosovës nuk do të ishte sot në 10-Vjetorin e Pavarësisë, pa ndihmën e shumëfishtë të tyre.

Pse ka zhurmë dhe kërcënime në këtë komunikim lavdesh? E gjitha nisë me lajka për vetveten, por lavdia nuk mbahet gjatë me lavdërime dhe lajka. Flasin kështu qeveritarët e një qeverie të përbashkët duke rivalizuar njëri-tjetrin, duke rivalizuar qytetarët, duke rivalizuar institucionet dhe bashkësinë ndërkombëtare, sikur bëhet fjalë për përfaqësues të një superfuqie botërore dhe jo të një shteti që ende është në proces ndërtimi, sa edhe ekzaminimi njëherësh. Ritualet oratorike të shprehjes së forcës tregojnë avantura sipërfaqësore, tregojnë shumë më shumë frikë dhe komplekse. Ato preokupime përmbajtësore, sado dukshëm të lexueshme, povohen të fshihen në korin e buçimën e madhe të mospajtimeve dhe rivaliteteve. Përsëriten problemet dhe nuk zgjidhet asnjëra. Me vite, të njëjtat tema pa lëvizuar, ato në pikë të nëjtë. Pikërisht, ndodhë në qeveri të përbashkët, njëri i bie thumbit, tjetri patkoit.

Plot paradokse që vështirë gjenden dhe as u gjendet arsyeja nëse më shumë bëhet fjalë për spekulime apo moralizime. Si të fiksojë qytetari të vërtetat dhe qëllimet reale të qeverisë kur njëri thotë, do t’i mbyllim universitetet publike (Ministri i Arsimit), tjetri thotë (Kryeministri) se nuk do të mbyllen universitetet publike. Njëri thotë (PDK, AKR) se duhet të miratohet demarkacioni me Malin e Zi nga Parlamenti i Kosovës, tjetri thotë (AAK) kështu si është nuk do të miratohet demarkacioni me Malin e Zi nga Parlamenti i Kosovës. Njëri thotë se do të bëhet për tre muaj ushtria e Kosovës (Ministri i FSK), tjetri thotë se kurrë nuk do të bëhet Kosova me ushtri (njëri nga zëvendëskryeministrat serb). Njëri thotë se do të anulohet Specialja (PDK, AAK), tjetri thotë se nuk mund të anulohet më Specialja, sepse nga ky veprim Kosova do të kishte vetëm dëme (AKR, Nisma). Njëri thotë se duhet të miratohet kështu si është propozimi për Asociacionin (PDK, AKR), tjetri thotë se nuk duhet të miratohet Asociacioni (AAK)  …  Si mund të funksionojë një qeveri me kaq pak mirëbesim mes vetë qeveritarëve dhe pa pajtim e koherencë minimale në pikat themelore juridiko-politike të shtetit?

Qytetari, veçmas i riu që pret në karantinë pa mundësinë të lëvizë i lirë jashtë vendit, i hutuar për perspektivën, është i detyruar edhe joformalisht, t’i dëgjojë këto lavdërime zyrtare  “të bashkëqeveritarëve”. Por, sa i kupton dhe sa u beson atyre për atë që thonë? Kujt t’i besojë qytetari, aq më shumë i riu, nga gjithë këto që thuhen, me kaq kontradikta? Si mund të parashohë ai operacion të thjeshtë vendimmarrës nga një konglomerat qeveritar kaq episodik me interesa  komplekse, ambicie, politika, që nuk lidhen shumë me synimet jetësore të qytetarëve dhe të ardhmes  së shtetit të Kosovës.

 …

A ekziston mundësia, pra, e koekzistencës, kur secili ta marrë përgjegjësinë konkrete që i përket? Qytetari të veten dhe qeveritari të tijën. Pa u fshehë qeveritari mbas qytetarit dhe pa iu falur përkulshëm qytetari qeveritarit. Në pikën e fundit, ekziston realiteti, i cili sa është sprovë gjeneruese e ngritjes, po kaq është edhe kërcënues i  rënies në të njëjtin bunar. Një shoqëri vlerësohet kur e di ku është dhe di nga do të shkojë. Flet dhe bën hapa të qartë, të thjeshtë dhe të dobishëm. Ndryshe, pas flijimit, nuk ka më ndonjë arsye për vetëflijim. “Domine, quo vadis? (Zot, ku vete), e pyet Krishtin Shën Pjetri. “Romam, iterum crucfigi” (Në Romë që të kryqëzohem prapë), i përgjigjet Krishti. Pastaj, në fund të fundit: S’duhet harruar se, edhe kur nuk flasin, më mirë thënë heshtin, edhe të tjerët kanë nganjëherë të drejtë.

/Shkruar enkas për Gazeta Express

    Data: 31 Janar 2018 14:38
    Autori: Ibrahim Berisha

    Të tjera