Kthehu lart

Blerim Latifi letër Behgjet Pacollit

Blerim Latifi letër Behgjet Pacollit © GazetaExpress Foto: Rudina Hoti Autori: Blerim Latifi GazetaExpress

I nderuari z. Pacolli, Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës!

Projekti Juaj për zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës nga qendra e kryeqytetit, në ara e djerrina, diku në periferi të tij, në thelb përbën një projekt antikombëtar. Antikombëtar, jo për qëllimet paraprakisht të menduara të projektit, të cilat nuk besoj se i ke, por antikombëtar në pasojat që do të kishte zbatimi i tij. Prej kohërash që nuk mbahen mend vazhdimisht përseritet një paradoks në sjelljen njerëzore: duke dashur të bëjmë mirë shpesh herë bëjmë sherre.

Arsyeja pse është i tillë ky projekt ka të bëjë me një fakt themelor: Universiteti i Prishtinës nuk është thjeshtë Universitet. Universiteti i Prishtinës ka qenë epiqendra e të gjithë përpjekjeve gjysmë shekullore për afirmimin e identitetit shqiptar të Kosovës dhe përpjekjeve për çlirim kulturor e politik prej sundimit brutal serb. 

Territori i tij është territor i identitetit dhe kujtesës historike të shtetit të Kosovës. Secili që ka  një kulturë elementare nga dijet humane, e di se kujtesa dhe identiteti janë të lidhura me vende dhe territore të caktuara (territorialization of memory, Smith). Që nga Mali Biblik i Sinait në Egjipt e deri tek Ground Zero e 11 Shtatorit në NewYork, e gjithë historia e kulturës njerëzore është dëshmi e kësaj lidhje të fuqishme të kujtesës me territorin e ngjarjeve të saj. Miliarderët e Manhattan-it do t’i kishin ringritur në afat rekord kullat binjake të rrënuara nga sulmi terrorist, por në fund u vendos që vendi i tyre të kthehet në shenjë territoriale të kujtesës. Dy kullat të reja, të po atyre përmasave, janë ndërtuar pak më tutje. Në këtë mënyrë është gjetur ekuilibri në mes interesit ekonomik dhe interesit identitar.

Deterritorializimi i kujtesës së një kombi e zhdukë gradualisht kujtesën e tij, e  zhdukja e kujtesës historike për një komb është hapje e rrugës për zhdukje të vetë kombit, sepse, siç thoshte historiani i madh britanik EricHobsbawm, kombi pa të kaluar është term kontradiktor. Ajo çfarë e bën kombin është pikërisht e kaluara e tij, e kjo e kaluar, pandashmërisht, varet nga lidhja me territore të caktuara identitare.

Heqja e Universitetit të Prishtinës nga territori i tij është zhdukje e shenjave historike që rrëfejnë lindjen dhe zhvillimin e projektit të lirisë dhe shtetit të Kosovës. Është shkatërrim me buldozer i një pjese qendrore të kujtesës kolektive të këtij vendi.

Por, pasojat antikombëtare të këtij projekti, nuk përfundojnë këtu. Në të parashihet ri funksionalizimi i kishës politike të Millosheviqit, që është afër Bibliotekës Kombëtare.

Edhe ky është akt kundër kujtesës historike të këtij vendi.

Të gjithë e dimë se ajo kishë u ndërtua për të shënjuar serbizimin total të Prishtinës e Kosovës. Mospërfundimi i saj, praktikisht dhe simbolikisht, paraqet rrëfimin për dështimin e gjenocidit në Kosovë. Kjo kishë, e tillë si është sot, reprezenton memorialin më të mirë të dështimit të përpjekjes së Serbisë për pastrimin etnik në Kosovë, prandaj në këtë funksion ajo duhet të konservohet e të ruhet. Shndërrimi nga memorial në institucion funksional fetar është i barabartë me zhdukjen e një shenje historike të së kaluarës tonë të hidhur.

Projekti Juaj për zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës nga qendra e Kryeqytetit në thelbin e tij, përbën një projekt antimodern, antievropian dhe regresiv.

Secili, që ka njohuri elementare nga dijet shoqërore, e di se  shoqëritë moderne, sëpaku në hemisferën perëndimore të botës, bazohen mbi principin e sekularitetit, që do të thotë- zhvendosje e religjionit nga qendra e jetës sociale në periferi të saj.

Me projektin tuaj, Ju, po kërkoni të bëni saktësisht të kundërtën: dijen, shkencën dhe kulturën sekulare moderne  t’i degdisni në periferi, ndërsa dogmën fetare ta riktheni në qendër.

Kjo i bie: Ata që duan të studiojnë për liberalizimin perëndimor të Xhon Lokut, për të drejtat e njeriut, si fondamente të kushtetutave të vendeve demokratike perëndimore, duhet të shkojnë në periferi, ndërsa në qendër do të vijnë sheikë të pasur të Arabisë Saudite që të ligjërojnë dilemat e islamit mbi lejimin ose moslejimin e grave për të vozitur vetura. Regresi brirë nuk ka.

Pra, me këtë ide Tuajën, arrihet që projekti evropian i Kosovës të bëhet periferik, ndërsa tendenca salafiste të qendërzohet në zemër të Prishtinës. Në këtë kuptim, projekti juaj është në kundërshtim edhe me vetë detyrat që u përshkruhen si Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, detyra që dalin nga strategjia kombëtare për ta bërë vendin tonë pjesë të sistemit të vlerave politike, kulturore e shpirtërore të botës perëndimore.

Projekti Juaj për zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës nga qendra e kryeqytetit, në thelbin e tij, shpreh arrogancën e kapitalit, arrogancën e miliarderëve, të cilëve, veç profitit të tyre, nuk u intereson asgjë tjetër në këtë botë. Kjo arrogancë sot manifestohet hapur, në mënyrën më brutale, në vendet në zhvillim, ku, në emër të zhvillimit e modernizimit, shkatërrohen pamëshirë historia, identiteti dhe vlera të paçmueshme të shoqërive njerëzore. Ne, është e vërtetë se jemi vend në zhvillim, por gjithashtu, është e vërtetë, se jemi edhe vend evropian. Kosova nuk është Kazakistan, e as Prishtina nuk është si Astana, pronë private e shefit të shtetit.

Komuniteti mysliman i Prishtinës, ka të drejtën e plotë për ndërtimin e një xhamie të re në kryeqytet, por askush, kushdo qoftë ai, nuk ka të drejtë të cenojë apo zhdukë shenjat e lirisë sonë.

Liria jonë, është mbi çdo vlerë tjetër që kemi, e sigurisht, edhe mbi nevojën për të marrë ca vota më shumë në luftën për pushtet duke ngacmuar emocionet e njerëzve. Filozofi amerikan i shekullit të XIX James Freeman Clarke, derisa shihte garën e paskrupullt për vota në atdheun e tij, bënte dallimin e madh mes politikanëve të rëndomtë dhe burrështetasve të nevojshëm: Të parët mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, të dytët vetëm për gjeneratën e ardhshme. Shtetet e reja, në ndërtim e sipër, si puna jonë, kanë nevojë më shumë për të dytët. Bëje zgjedhjen e duhur! Rastin e ke!

    Data: 20 Tetor 2017 15:41
    Autori: Blerim Latifi
    • Urgjenca morale për shëndetin mendor

      Urgjenca morale për shëndetin mendor 0

    Të tjera

    • Reflektime nga renia e Murit të Berlinit

      Reflektime nga renia e Murit të Berlinit 0

    • Pesha e kryqit tonë medial

      Pesha e kryqit tonë medial 0