Kthehu lart

Beogradi kërcënon Kryeministrin kosovar, liron kriminelë nga burgu, e BE-ja hesht

Beogradi kërcënon Kryeministrin kosovar, liron kriminelë nga burgu, e BE-ja hesht Autori: Halil Matoshi GazetaExpress

Krejt kjo po ndodh në një situate kur, sipas ekspertit amerikan të politikave të Ballkanit, Daniel Serwer po rritet ndikimi rus dhe në këtë situatë Komisioni Europian i alarmuar e ka lënë të hapur një dritare për anëtarësim për vendet e Ballkanit, pra BE-ja duhet me urgjencë ta krijojë mundësinë për anëtarësim në pako të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor

Rikthimi i Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në listën ‘Interpol Srbia’ si dhe kërcënimi i Ministrit të Brendshëm serb Stefanovic për arrestimin e tij duhet të ishte shqetësim i madh për Brukselin zyrtar, pra do të duhej që sëpaku të ndërpriteshin kontaktet me kreun serb për negociimin e kapitujve për anëtarësim të Serbisë, derisa Beogradi zyrtar nuk heq dorë nga politikat bizarre karshi shtetit të Kosovës.

Dhe absurdi më i madh, për çka në selinë e BE-së nuk dëgjohet asnjë fjalë publike së paku, është lirimi nga akuza i Cvjetan për një krim të dëshmuar tashmë (vrasja e një familjeje të tërë në Kosovë.)

Saśa Cvjetan, ish pjesëtari i grupit famëkeq “Skorpionët”, ishte dënuar për krimin e rëndë kundër 14 civilëve shqiptarë, ku shtatë prej tyre ishin fëmijë të moshës nga 2 deri 15-vjeç si dhe shtatë femrave, si dhe për plagosjen e rëndë të pesë fëmijëve të tjerë në oborrin e familjes Gashi në Podujevë më 28 mars të vitit 1999. Por për habi, ai tani është liruar me kusht me vendimin gjykatës së lartë të Beogradit dhe në bazë të sugjerimit të qendrës së paraburgimit në Sremska Mitrovicë.

Nuk jam ithtar i reciprocitetit në agresion, porse nëse kërcënimi me arrest i kryeministrit të një vendi të pavarur, nga një vend si Serbia që nuk garanton të drejtën themelore për jetë, nuk shkakton indinjatë në BE dhe nëse për lirimin nga akuzat të kriminelëve që kanë ekzekutuar civilë në Kosovë, si të bëhej fjalë për tejkalimin e shpejtësisë në autostradë, nuk reagohet në Bruksel deri në shkallë tronditjeje, vërtet mund të konstatohet se Kosova po ballafaqohet me diskriminim klasik nga BE-ja

Dhe kjo po ndodh në një situate kur, sipas ekspertit amerikan të politikave të Ballkanit, Daniel Serwer po rritet ndikimi rus dhe në këtë situatë Komisioni Europian i alarmuar e ka lënë të hapur një dritare për anëtarësim për vendet e Ballkanit, pra BE-ja duhet me urgjencë ta krijojë mundësinë për anëtarësim në pako të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor.

    Data: 27 Prill 2018 12:35
    Autori: Halil Matoshi

    Të tjera