Kthehu lart

Belgrade or Bruxelle, this is the question!

Belgrade or Bruxelle, this is the question! Autori: Çim Peka GazetaExpress

Ka zgjatur shumë pak tryeza e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në Durrës. Ky takim i quajtur “informal”, në fakt ka qenë thjesht një formalitet për diçka të madhe, të gatuar me kujdes kohë më parë në zyrat e lobistëve të fuqishëm, që mbështesin Beogradin dhe në zyrat e burokracisë europiane, që po investojnë në çdo mënyrë të heqin qafe vendeve e rajonit tonë, si kandidatë të mundshëm për t`ju bashkuar familjes së tyre të pasur, BE.

Pas gati një ore, kryeministrat dhe Komisionieri Johanes Hahn dolën të buzëqeshur, por edhe me një siklet të dukshëm që shfaqej më së shumti te Rama dhe vetë Hahn, të cilëve do tu duhej të shpjegonin live përpara mediave, se për çfarë bëhet fjalë në fakt.

Këmbëngulën për liri ekonomike, heqje të barrierave doganore mes vendeve, rritje të punësimit, etj, por ende nuk po guxojnë që të artikulojnë dimensionin politik të këtij procesi, që po ndodh në atë pjesë të Ballkanit, që ka derdhur aq shumë gjak e ka prodhuar aq shumë intriga ndërkombëtare, në favor të një federate gjigante, të dominuar nga sllavët.

 Duket se ajo që tashmë është pagëzuar si, “Ish-Jugosllavia e Re, plus Shqipëria”, po merr rrugë. E ngjizur në Berlin, e piketuar me kujdes në Samitin e Triestes dhe e shpallur sot në Durrës, ajo po na paraqitet ne shqiptarëve që e rrëzuam diktaturën me postulatin, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, si e vetmja alternativë pas dështimit të burokracisë europiane dhe të qeverive ballkanike për anëtarësimin në BE.

Komisionieri Hahn, që mesa duket është emëruar si koordinator i planit të kësaj “Jugosllavie të vogël”, e tha copë: Jeni të destinuar në këtë rrugë, pasi anëtarësimi në BE nuk është më alternativë!!

Por çfarë po ndodh në fakt, cila është loja prapa skenave dhe përse në gjithë këtë projekt, të humburit dhe viktimat e vërteta janë shqiptarët në dy shtete?

Le të hedhim sado pak dritë dhe të sqarojmë atë, që Edi Rama dhe mediat që ka në shërbim, po e paraqesin si një “normalitet” për nxitjen e ekonomisë së rajonit.

Rreth pesë muaj më parë, miljarderi i Ballkanit Bogoljub Kariç në një intervistë në “Prva TV” deklaroi, se tregu i përbashkët doganor pa taksa, do të nxjerrë në pah potencialin e Serbisë si prodhuese dhe eksportuese supreme, në zonën e Europës Jugperëndimore, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Pra e thënë shkoqur, plani që u zyrtarizua sot nga Hahn, pikërisht në qytetin (Durrësin) për të cilin kanë luftuar e ëndërruar serbët, ta kenë portë ekonomike detare dhe jo vetëm, synon shndërrimin e Serbisë në një lider ekonomike-politik të një konfederate ballkanike, siç edhe kanë pasur në plan paraardhësit e Aleksanër Vuçiç, gjatë më shumë se një shekulli.

Pikërisht në këtë periudhë kur miliarderi serb Kariç dekonspiroi qëllimin final të këtij plani, Hahn, në 27 prill 2017 ka pasur një takim me miliarderin George Soros, të cilit pas fitores së Trump i janë bllokuar projektet në gjithë botën dhe foleja e fundit ku mund të bëjë “një gjë të madhe” i ka ngelur, në aksin Beograd-Tiranë.

 Qëllimin e këtij takimi e tregoi vetë komisionieri i BE-së, që rezulton në listat e Soros. Në të njëjtën ditë ai shkroi në adresën e tij zyrtare në Twitter:

 “Always good to meet George Soros to discuss our joint efforts to boost reforms & open societies in the Western Balkans and Eastern Europe”.

Por çfarë është në të vërtetë ky “plan i madh ekonomik”, për Ballkanin Perëndimor?

Si datë zyrtare e tij, mund të cilësohet “Samiti i Triestes” i 12 Korrikut, ku u nënshkrua marrëveshja për, “Tregun e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor” (TPBP) që shfaqet si ish-Jugosllavia e Titos, minus Kroacia dhe Sllovenia, por plus Shqipëria.

Me pak fjalë kjo krijesë e pagëzuar “TPBP” është ish-Jugosllavia, por pa të vetmet shtete perëndimore si Kroacia dhe Sllovenia, ndaj të cilave Serbia ka qenë gjithmonë inferiore në kohën e Fedearatës. Brenda kësaj krijese të Beogradit mbështetur fuqishëm nga lobe pro sllave në botë, do të jenë edhe shqiptarët e dy shteteve të cilët janë trajtuar nga akademia serbe “si popull, që lindin me bisht”.

Atë që nuk e arritën për shekuj me hekur dhe zjarr, shfryrjen e racës së tyre “superiore” mbi racën tonë “inferiore”, që ju ka zënë detin dhe diellin, po e realizojnë në shekullin e 21-të me ndihmën e vetë qeveritarëve shqiptarë, në të dy shtetet.

Mediat e Edi Ramës, po përpiqen dhe do të intensifikojnë në ditët në vijim, retorikën për ta quajtur këtë shqetësim si qesharak dhe për të bindur popullin se bëhet fjalë thjesht, “për ekonomi, tregti dhe punësim”.

Ky është një mashtrim i madh. Në fakt Tregu i Përbashkët i Ballkanit Perëndimor ekziston, prej 11 vitesh.

Që prej 19 dhjetorit të vitit 2006 është nënshkruar nga këto vende marrëveshje e tregtisë së lire, midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e CEFTA. Pra ju bashkuan asaj, siç kanë bërë më herët të gjithë vendet e tjera ish-komuniste të Europës, si rrugë tranzicioni, drejt procesit të anëtarësimit në BE.

 CEFTA (Central Europe Free Trade Agreement), Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore) është një organizatë ekonomike ndërkombëtare e cila u krijua me qëllim përgatitjen e vendeve ish-komuniste të Europës Qendrore, për t’ u anëtarësuar në Bashkimin Europian sa më natyrshëm.

 CEFTA ka funksionuar në mënyrë perfekte për të gjithë vendet ish-komuniste, që sot janë anëtarë me të drejta të plota në BE.

Të gjitha këto vende që po futen në këtë “TPBP” e kanë në fakt një marrëveshje në kuadër të CEFTA, pikërisht për këto përfitime ekonomike, që shiste sot me të madhe Hahn dhe me gjysmë zëri dhe i zverdhur, Edi Rama...

 Pyetja është e thjeshtë dhe kërkon një përgjigje politike, në radhë të parë.

 Përse duhet që të krijohet një bashkim i ri “ekonomik”, kur ekziston një i tillë në kuadër të gjithë Europës Qendrore?!

 Përse duhet krijuar një “hartë” e re në Europë, e cila të kujton historinë e përgjakshme dhe synimet qindravjeçare të sllavëve mbi trojet e shqiptarëve?!

 Dhe me nismë të kujt e gjitha kjo; të vetë Beogradit, kryeqytet ku, “ubi, ubi, shqipëtari” është trend dhe pas ku çdo sondazhi, shumica e popullsisë, preferojnë Rusinë përpara BE-së

Dhe ja ku mbërritëm te thelbi, Rusia dhe synimet e saja qindravjeçare në Ballkan, me pikë mbështetëse për levën e vetë, Beogradin.

Rusia e ka një nga prioritet e saja Ballkanin, e kërkon të gjithin për vete atë pjesë që ka ngelur në staniacion dhe me qeveri të korruptuara. Nuk mundet dhe nuk i intereson më, as Kroacia dhe as Sllovenia.

Ato që i duhen, janë portet e Durrësit dhe Barit në Mal te Zi, të cilët ndër shkuj i ka synuar ti ketë porta daljeje strategjike, në Adriatik.

Atë herë lind pyetja, çfarë duan shqiptarët në këtë projekt?!

 Shqipëria gjithmonë e drejtuar drejt perëndimit dhe Kosova e krijuar shtet, me një bazë ushtarake gjigante amerikane si “Bondstil” brenda?!

Si ka mundësi, që klasa politike që qeveris në dy shtetet shqiptare të pranojë dhe të bëhet pjesë e kësaj loje të madhe pansllave?!

Përgjigjen mund ta marrim te SPAK në Shqipëri dhe Gjykata Speciale, institucione këto që do të merren me korrupsionin e klasës politike dhe shtetarëve. Është interesant fakti që po kjo qeveri aktuale në Kosovë është deklaruar fillimisht kundër krijimit të “Ish-Jugosllavisë së vogël”, kurse tani papritur hesht dhe madje bëhet pjesë, me kokën ulur.

 Ndërsa për sa i përket Edi Ramës dhe klanit të tij të korruptuar, nuk ka nevojë për shumë shantazh dhe tregimin me gisht të SPAK-ut, pasi mëkatet e tyre me paratë e taksapaguesve shqiptarë, janë sheshit.

Bota njeh precedent, kur shtetarë të korruptuar në fund fare kanë pranuar edhe dënimin e tyre, por jo hedhjen e firmës nën shantazh, kundër kombit.

Ajo që po bën Edi Rama me Isa Mustafën (dhe përse janë të detyruar) duket qartë, por shqiptarët kanë parë në shekuj shumë të tillë, që kanë firmosur në Beograd.

    Data: 26 Gusht 2017 15:27
    Autori: Çim Peka
    • Urgjenca morale për shëndetin mendor

      Urgjenca morale për shëndetin mendor 0

    Të tjera

    • Reflektime nga renia e Murit të Berlinit

      Reflektime nga renia e Murit të Berlinit 0

    • Pesha e kryqit tonë medial

      Pesha e kryqit tonë medial 0