Kthehu lart

BE-ja duhet të ndalojë fondet për vendet joliberale

BE-ja duhet të ndalojë fondet për vendet joliberale Autori: Guy Verhofstadt GazetaExpress

Çdo shtatë vjet, Bashkimi Europian jep fonde për të ndihmuar vendet anëtare më të reja të zhvillohen ekonomikisht dhe të arrijnë bllokun e vendeve më të pasura. Por tani këto fonde po abuzohen nga qeveri si Polonia dhe Hungaria, ndaj është koha të merren masa

Që nga viti 2004, kur Bashkimi Europian u zgjerua për të përfshirë shumë nga vendet ish-komuniste për Europën Lindore dhe Qendrore, mekanizimi i saj i financimit rajonal është përshtatur shumë për të përmirësuar pabarazitë ekonomike mes shteteve anëtare të reja dhe të vjetra. Për të siguruar kohezion brenda BE-së, tejkalimi i ndasive mes vendeve dhe përmirësimi i tregtisë, transportit dhe komunikimit në bllok është parë prej kohësh si kritik.

Politika e BE-së për kohezion është në fakt iniciativa e saj më e dukshme. Investimet e bëra përmes Fondit të Kohezionit promovojnë zhvillimin rajonal, mbështesin inovacionin, përmirësojnë arsimin dhe zgjerojnë dixhitalizimin dhe rrjetet e transportit dhe ruajnë programe që përmirësojnë tregun e vetëm duke nxitur rritja, prodhimtari dhe specializim. Politika e kohezionit i sjell përfitime qytetarëve, komuniteteve vendase dhe bizneseve në BE, por veçanërisht shteteve të reja anëtare.
Buxheti shtatë-vjeçar i Fondit të Kohezionit do të jetë nga viti 2020 deri në 2027 dhe Komisioni Europian do të ofrojë propozime për mënyrën si do të alokohet në fillim të majit. Negociatat për këto propozime pritet të jenë të ashpra. Një gjë dihet, disa prioritete të reja kanë dalë në pah në vitet e fundit, pa përmendur nevojën për mbrojtje më të fortë të kufirit, një sistem për të menaxhuar migracionin dhe më shumë projekte të përbashkëta mbrojtjeje.
Për t’i ndërlikuar edhe më tej çështjet, liderët e BE-së shpresojnë të mbajnë shpenzimet në nivelet aktuale edhe pas tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku pranverën e ardhshme. Dhe sapo të bien dakord për prioritetet e shpenzimeve, Parlamenti Europian do të duhet të miratojë buxhetin final.
Por zhvillimi më i rëndësishëm politik që nga negociatat e buxhetit të fundit në vitin 2014 – më e rëndësishme se flukset e refugjatëve apo Brexit – ka qenë shfaqja e qeverive joliberale populiste të krahut të djathtë në Hungari dhe Poloni. Nën buxhetin e kohezionit të 2014-2020, që ishin në total 350 miliardë euro, Polonia dhe Hungaria morën 77 miliardë euro dhe 22 miliardë euro respektivisht, duke i bërë përfitueset më të mëdha të fondeve të BE-së. Dhe kontribuesit e buxhetit si Gjermania, Franca dhe Britania mbajtën peshën më të madhe.
Dhe megjithatë, në vend që të përqafohen vlerat që frymëzuan një bujari të tillë, qeveritë autoritare të Polonisë dhe Hungarisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje për të penguar sundimin e ligjit dhe për të çmontuar sistemet e tyre juridike. Nëse ndonjë nga këto vende do të aplikonte sot për anëtarësim në BE, kërkesat e tyre do të refuzoheshin.
Të dyja qeveritë kanë luftuar organizatat joqeveritare dhe kanë shënjestruar ose kapur median. Megjithatë, me atë që ka mbetur nga shtypi i lirë i Hungarisë mund të gjesh disa lajme të besuara që pretendojnë se kryeministri Viktor Orban dhe miqtë e tij po plaçkitin fondet e BE-së për të përfituar ata, familjet e tyre dhe partnerët e tyre në biznes. Në fakt, qeveria e Orban ka qenë subjekt i disa investigimeve nga Zyra Europiane Anti-Mashtrim.
Pavarësisht sjelljes së tillë, Orban u rizgjodh në detyrë më herët këtë muaj dhe partia e tij Fidesz në aleancë me Kristian Demokratët, tani mban shumicën prej dy të tretash në parlament – mjaftueshëm për të amenduar kushtetutën. Gjatë fushatës zgjedhore, qeveria e Orban e çoi vendin në propagandë ksenofobike dhe antisemitike. Sipas monitorimeve të zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, votimet “u karakterizuan nga një mbivendosje e burimeve të shtetit dhe atyre partikae, duke penguar aftësinë e konkurrentëve të garonin në bazë të barabartë”.
Ndërkohë, partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Polonisë është aktualisht nën hetim nga Komisioni Europian për shkelje të vazhdueshme të standardeve të sundimit të ligjit të BE-së dhe shkeljet e pavarësisë së gjyqësorit.
Është e papranueshme që paratë e taksapaguesve të BE-së të përdoren për të çuar përpara projekte vanitoze të elitave joliberale që nuk e kanë problem të pengojnë institucionet demokratike që e bëjnë BE-në atë që është. Nga 2020 e në vazhdim, është thelbësore që fondet e kohezionit të shpërndahen me kushtin që shtetet marrëse të mbajnë dhe forcojnë sundimin e ligjit.
Në këtë aspekt, BE-ja duhet të prezantojë një procedurë objektive për të monitoruar përshtatshmërinë dhe për të ngrirë fondet nëse është e nevojshme. Për shembull, nëse neni 7 i Traktatit të Bashkimi Europian aktivizohet ndaj një shteti për shkelje të sundimit të ligjit, të gjitha fondet e dhëna duhet të futen në një fond rezervë. Dhe derisa procedura e nenit 7 të pezullohet dhe përmbyset, këto fonde duhet të dërgohen për të mbështetur universitete, institucione kërkimi dhe grupe të tjera të shoqërisë civile në vend.
Kjo qasje do të tregonte te qytetarët e vendeve që përfitojnë fondet se BE-ja nuk do t’i ndëshkojë ata për sjelljen e qeverive të tyre. Dhe do t’i jepte qeverive një nxitje më të madhe për t’iu përmbajtur rregullave të BE-së dhe për të ruajtur vlerat e përbashkëta që lejojnë funksionimin siç duhet të tregut të përbashkët.
Realiteti i hidhur është se qeveritë joliberale, siç janë ato në pushtet në Poloni dhe Hungari, janë më të lumtura të marrin paratë e BE-së dhe të refuzojnë vlerat e Bashkimit Europian. Është koha të tregojmë se përbuzja e normave të BE ka një çmim.
 
/Project Syndicate

    Data: 07 Maj 2018 11:17
    Autori: Guy Verhofstadt

    Të tjera