Kthehu lart

Analizë e Gazetës Express: Kush kë e mban peng këtu?

Analizë e Gazetës Express: Kush kë e mban peng këtu? Autori: Gazeta Express GazetaExpress

Ekskluzive: Historia e të ardhmes së raporteve Kosovë – Serbi (2). Kur flitet për inkuadrimin e Serbisë në BE, ajo (Serbia) është njëfish pengë e Kosovës, por në anën tjetër, Kosova është disafish pengë e Serbisë.

Natyrisht, rrëfim i djeshëm për darkën shokuese në Bled midis Delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, është krejtësisht imagjinar. Nuk ka politikanë dhe qytetarë shqiptarë të Kosovës që do ta bënte një propozim të këtij lloji, për ta lidhur, qyshdoqoftë, Kosovën me Serbinë, edhe nëse ky do të ishte një raport konfederal, madje, ku Kosova dhe Serbia do ta ruanin sovranitetin e tyre.

Megjithatë, fundi i tij, ai i reagimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić ndaj një propozimi të tillë që kinse vjen prej pesë politikanëve shqiptarë, është qind për qind i vërtetë. Nuk ka politikanë serioz serb në Beograd, duke u nisur këtu prej vetë Presidentit të Serbisë, i cili dëshiron që Kosova ‘të kthehet mbrapa’, apo që Kosova të jetë pjesë e shtetit të Serbisë. Asnjëherë gjatë bisedimeve për adresimin e statusit të Kosovës, në Vjenë, Bruksel, New York  (në vitet 2006, 2007), një herë në formatin e udhëhequr nga Presidenti Ahtsaari, dhe në atë tjetrin të prirë nga Trojka ndërkombëtare  (Ambasadorët Wolfgang Ischinger, Frank Wisner dhe Alexander Botsan-Kharchenko), Delegacioni i Serbisë nuk ka kërkuar që të rikthehet kontrolli i plotë  (i njohur ndër ne si okupim i mirëfilltë), i Serbisë mbi Kosovën. Për Presidentin Tadić dhe Kryeministrin Koštunica, ka qenë me rëndësi që Kosova të mos bëhet shtet i pavarur dhe që të ruhet ana formale e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Por pala serbe nuk ka mundur dot të imagjinojë që politikanët shqiptarë të Kosovës, në një shtet të përbashkët, do të bëheshin deputetë, ministra, madje, edhe zyrtarë më të lartë, midis Beogradit. Kjo nuk ka mundur të vijë në konsiderim. Asnjëherë. Dhe kurrë nuk është trajtuar në negociatat për status. Madje, as si propozim i kotë, provokues, nga autoritetet më të larta të Beogradit.

Kosova, sipas zyrtarëve serbë, atyre në të kaluarën dhe këtyre të sotëm, e ka vendin në Preambulë të Kushtetutës së Serbisë, në organizimin e SPC-së  (Kishës Ortodokse Serbe), në betimin e Presidentit të Serbisë, në deklaratat e shumta politike, gjithsesi, në mitologjinë mesjetare dhe në procesin e shtetndërtimit të Serbisë, prej Shekullit të XIX e tutje (që i ka themelet në mitologji, më së shumti në atë të Kosovës), ama nuk e ka vendin në organizimin e njëmendtë të shtetit të Serbisë.

Kosovën me gjithë këta shqiptarë  (mbi 90% të popullatës së sotme të këtij vendi), nuk e do kush prapa në Serbi. Prandaj është krejtësisht autentik reagimi i Presidentit Vučić në atë darkën imagjinare të Bledit në Slloveni, ndaj propozimit të sajuar të politikanëve shqiptarë.

Që prej se Kosova është marrë me luftë nga Serbia, pas largimit të Perandorisë Otomane  (në vitin 1912, dhe pas Luftërave Ballkanike), gati të gjithë liderët serbë, në harkun kohor 1912-1999  (i fundit pra ka qenë Slobodan Milošević), e kanë ditur shumë mirë që nuk mund ta mbajnë Kosovën përjetë e mot me një strukturë të popullsisë e cila edhe në variantin më të keq, pas gjitha masakrave të bëra nga Ushtria Serbe në ato vitet e para të sundimit mbi Kosovën, i kishte gati 70 për qind të popullatës shqiptarë.

Është e vërtetë që në këtë kornizën kohore prej 87 vitesh,  (1912-1999), ka pasë periudha kur zhvillimet politike dhe historike i kanë shkuar për shtati ruajtjes së strukturës etnike të Kosovës. Vetë rrjedhat madhore ndërkombëtare kanë qenë vendimtare, kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, që shqiptarët të mbesin në Kosovë, e të mos shpërngulen të gjithë, me dhunë, në Turqi, në bazë të Protokollit të vitit 1938-të në mes të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë. Megjithatë, dihet që qindra mijëra shqiptarë të Kosovës janë zhvendosur në Anadoll, prej okupimit të Kosovë e deri kah mesi i viteve të gjashtëdhjeta, për shkak të zullumit të regjimeve të Beogradit, duke përfshirë këtu edhe atë Komunist.

Por, intervalet sado të shkurtëra kohore kur shqiptarët në Kosovë mund të merrnin frymë pak më lirshëm, ku sidomos shquhet periudha 1971-1981, kur këndejpari nisi të krijohet një lidership autentik shqiptar, gjithsesi i orientimit komunist  (sepse as që ka mundur të jetë ndryshe), shfrytëzoheshin për të forcuar rolin politik shqiptar në Kosovë, për të investuar më shumë në arsim, në kulturë dhe në shëndetësi, dhe për të siguruar mbijetesën etnike të shqiptarëve dhe strukturën etnike të Kosovës.

Përpjekja e fundit, më e rënda, më tragjikja për ta prishur, një herë e përgjithmonë lidhjen midis territorit të Kosovës dhe shqiptarëve si popullatë absolutisht dominante, ishte ajo e bërë nga Slobodan Milošević, në vitet e luftës së mbramë në Kosovë, pra, në vitet 1998, 1999. Milošević veçmas në pranverën e vitit 1999, duke shfrytëzuar si justifikim fushatën e Paktit NATO mbi Serbinë dhe Kosovën, përdori të gjitha mjetet e mundshme ushtarake, paraushtarake dhe policore, për të ndryshuar strukturën etnike të Kosovës, duke vrarë mijëra shqiptarë të të gjitha moshave, duke kallë dhe djegë dhjetëra mijëra objekte banimi, dhe duke dëbuar gati një milion shqiptarë në Shqipëri dhe në Maqedoni. Ky krim i tij gjithsesi ka elemente të përpjekjes për të bërë gjenocid, bazuar në Konventën për gjenocid. Zatën, dihet që në fund të majit të vitut 1999, Tribunali i Hagës për krime lufte ngriti aktakuzën kundër tij dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë për krime lufte në Kosovë.

Milošević në fakt kishte kuptuar, prandaj ai as që pranoi Marrëveshjen e Rambouilletit, që çdo kombinim i mundshëm në mes të një qeverisje demokratike me Kosovën dhe strukturës etnike të Kosovës, çon herët a vonë në epilogun e pavarësisë së Kosovës.

Prandaj, ai e diti që Kosova është gjithsesi e humbur, nëse tutje do të popullohet me kaq shumë shqiptarë, dhe nëse ajo do të qeverisej nga shqiptarët, në bashkëpunim me komunitetet pakicë.

Dihet çfarë ndodhi në pranverën e vitit 1999.

Kjo ka qenë ndërmarrja e fundit e politikës së Serbisë për ta zhbërë Kosovën me shqiptarë.

Prania ndërkombëtare në Kosovë, krijimi i shtetit të Kosovës, rrethanat politike ndërkombëtare, e bëjnë të pamundur rikthimin e kësaj politike serbe në Kosovë.

Shqiptarët dhe Kosova do të jenë së bashku përjetë e mot. Këtë e dinë të gjithë. Edhe politikanët më ekstremistë në Serbi.

Ndryshe, politika zyrtare serbe, pas vrasjes së Kryeministrit të Serbisë, Zoran Đinđićit (2003) e këndej, nuk ka shprehë asnjëherë gatishmëri të mirëfilltë për tu bërë pjesë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, apo, ajo ka preferuar një Status Quo, që është ndërtuar mbi sigurimin formal/ kushtetues që Kosova është pjesë e Serbisë  (Kushtetuta e vitit 2006, që ishte konsekuencë e shpërbërjes së Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi), mbi pranimin faktik që Kosova udhëhiqet në radhë të parë nga politikanët shqiptarë, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, dhe mbi vazhdimësinë e pranisë së strukturave të saja në të gjita pjesët ku jetojnë serbët e Kosovës.

Đinđić ka preferuar një prerje radikale të çështjes së Kosovës, me hapjen e kapitullit të ndarjes territoriale të Kosovës si solucion final.

Đinđić ka pasë vullnet dhe guxim madje për t'i shkuar këtij varianti deri në fund, natyrisht, nëse do të gjente përkrahje te faktori ndërkombëtar dhe tek politikanët shqiptarë. Ai ka qenë i bindur që do t'ia arrinte qëllimit të tij, apo që do të gjindeshin bashkëbisedues perëndimor dhe shqiptarë për ndarjen e Kosovës, sepse supozonte që të gjitha janë të lodhur nga pritja për hapjen e kapitullit të statusit.

E mira supreme  (dhe realisht, e vetmja), e nismës së Đinđićit ka qenë bindja e tij që Serbia nuk mund të ecë para, me një hapërim të përshpejtuar, në radhë të parë, në drejtim të Bashkimit Evropian, duke qenë penge e Kosovës, e statusit të saj të padefinuar. Ai me të drejtë pati konkluduar që pa heqjen qafe të çështjes së Kosovës, Serbia nuk mund të përparojë si shtet, dhe nuk mund të arrijë atë identitetin evropian-perëndimor, për të cilin ai pati dhënë gjithë karierën e tij, në fund, edhe vet jetën.

Đinđić u vra në marsin e vitit 2003, duke lënë kështu prapa vete, si të parrumbullakësuara, projektet e shkëputjes së fatit të Serbisë nga Kosova  (dhe anasjelltas, realisht), dhe atë të fuqizimit të identitetit evropian-perëndimor të Serbisë.

Pas tij, ka pasë shumë politikanë serbë, dhe të tillë ka sot e kësaj dite, të cilët vazhdojnë të preferojnë ndarjen territoriale ose edhe shkëmbimin territorial (Veriu i Kosovës kështu do të duhej t'i takonte Serbisë, e një pjesë e Luginës së Preshevës, e jo e tëra kjo Luginë, Kosovës), por asnjëherë nuk kanë pasë guxim që këtë propozim ta bëjnë formalisht në Procesin e Vjenës/ Brukselit, kur definohej statusi i Kosovës, ose edhe në atë të bisedimeve në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për më shumë, në bisedimet që janë udhëhequr nga Trojka ndërkombëtare e ambasadorëve, Kryetari Tadić dhe Kryeministri Koštunica, kanë refuzuar kategorikisht qoftë edhe diskutimin për temën e ndarjes së Kosovës.

Ndryshe, në gjysmë të udhës ka mbetë edhe ai synimi i Đinđićit për afrimin e Serbisë kah BE-ja, duke përqafuar identitetin e njëmendtë evropian dhe perëndimor. Është e vërtetë që Serbia ka bërë hapa të rëndësishëm para në procesin e integrimit formal në BE, por realisht, politika dhe shoqëria serbe, veçmas viteve të fundit kanë bërë hapa poaq të rëndësishëm prapa në distancimin nga identiteti evropian-perëndimor. 

Autoritetet e Serbisë pra, as në ëndërr nuk duan ta shohin Serbinë me një Kosovë që faktikisht, politikisht dhe funksionalisht, është në kuadër të shtetit të Serbisë. Por, nëse Kosova më nuk ka çka të kërkojë në Serbi  (pos në format tashmë të përshkruara formale, juridike, propagandistike dhe mitologjike), të gjithë udhëheqësit serbë, pas Đinđićit e këndej, kanë punuar ditë dhe natë që Serbia të mbetet brenda Kosovës, kudo ku ka serbë. Shtrirja etnike-territoriale e serbëve në Kosovë, ka pasë domethënien funksionale të shtrirjes së shtetit të Serbisë brenda Kosovës, kinse nën pretekstin e përkujdesjes për komunitetin serb në Kosovë.

Qëndrimi i vazhdueshëm i Serbisë brenda Kosovës, edhe pas 20 qershorit të vitit 1999, ka qenë kundër organizimit ndërkombëtarë të qeverisjes me Kosovën, sepse sipas Marrëveshje teknike-ushtarake të Kumanovës dhe Rezolutës 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB-së (9, 10 qershor, 1999), ajo më nuk ka mundur të jetë e pranishme në Kosovë, në asnjë aspekt të ushtrisë, të sigurisë dhe të administratës.

Sidoqoftë, prania e strukturave të shtetit serb brenda territorit të Kosovës, ka pasë disa qëllime, kur bëhet fjalë për interesat strategjik të Beogradit.

Së pari, të dëshmojë kontinuitetin institucional dhe politik të funksionimit të Serbisë brenda Kosovës, i cili do të mbante afër vetes qytetarët serbë të Kosovës.

Së dyti, të ndikojë sa më shumë që është e mundur, me këtë prani, në ndërlikueshmërinë e funksionimit të qeverive dhe administratës kosovare, apo edhe në pengimin e saj, për t'i shtuar gjasat që projekti i pavarësimit të Kosovës të shihet si i gabuar, para se të sendërtohej, apo edhe i dështuar, pasiqë është kryer, në qarqet më relevante ndërkombëtare.

Së treti, kjo prani përherë është dashur të përdorej prej zyrtarëve më të lartë të Serbisë në të gjitha negociatat/ bisedimet që ata i kanë pasë me zyrtarët e Kosovës, prej Procesit të Vjenës e këndej, gjithsesi duke përfshirë edhe dialogun e Brukselit të gjashtë viteve të fundit. Ta zëmë, çdo heqje dorë nga strukturat e Serbisë brenda Kosovës, është dashtë të negociohet në Bruksel, për të mundësuar lansimin e ndërmarrjes së integrimit të Veriut të Kosovës në shtetin e Kosovës.

Në realitet, Serbia detyrohet, edhe në bazë të Kapitullit 35 të Bisedimeve për hyrjen e Serbisë në BE, t'i shuajë këto struktura në Kosovë, por, diçka e tillë nuk mund të pritet të ndodhë pa kombinimin e 'shkopit dhe karrotës', mjeteve të rëndomta diplomatike, që në rastin konkret nënkuptojnë përshpejtimin e procesit të hyrjes së Serbisë në BE, ose ndëshkimin e saj, në rast të mosrespektimit të 'Rregullave të lojës' nga ana e Beogradit.

Megjithatë, të gjithë këndejpari e dinë që perspektiva e inkuadrimit të Serbisë në BE nuk është aq e 'ndritshme', apo, ajo nuk matet dot as me tre-katër vjet, sadoqë këtë kornizë kohore do ta dëshironte ta kishte Serbia. Me Strategjinë për zgjerimin e BE-së, të bërë publike në fillim të muajit shkurt, Serbia ka mundësi që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2025.

Realisht, anëtarësimi i Serbisë në BE nuk mund të ndodhë pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili do të duhej të kodifikohej me Marrëveshjen legale ndërkombëtarisht obligative (modeli i Traktatit midis dy Gjermanive), që është formulim i njohur i Berlinit, i cili është përqafuar edhe në përmbajtjen e Strategjisë për zgjerimin e BE-së.

Por, Aleksandar Vučić dhe lidershipi i tashëm serb, e kanë goxha të qartë që hyrja e Serbisë në BE, përkundër hapave konkret që janë bërë viteve të fundit me hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në, nuk është fakt i kryer, apo nuk ka siguri dhe garanca të plota që diçka e tillë njëmend do të ndodhë. Pastaj, vetë BE-ja është në kërkim të identitetit të saj të ri pas Brexit-it, prandaj, qëndrimi mbizotërues i Francës dhe Gjermanisë  (bosht ky kryesor për funksionimin e BE-së), është që pa rregullimin e punëve brenda BE-së, nuk duhet pranuar anëtarë të tjerë të ri në BE. Këtë e ri-konfirmoi pak ditë më parë edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Në ndërkohë, Vučić e ka ndërmend të mbajë afër Federatën e Rusisë së Vladimir Putinit, si një alternativë më shumë spekulative se sa të njëmendtë për ardhmëninë e Serbisë, duke ofruar si kundërshpërblim për Moskën zyrtare neutralitetin ushtarak  (mosinkuadrimin e Serbisë në Paktin NATO), blerjen e armatimit rus, dhe një bashkëpunim në sektorin e sigurisë.

Sidoqoftë, kur flitet për inkuadrimin e Serbisë në BE, ajo  (Serbia) është njëfish penge e Kosovës, por në anën tjetër, Kosova është disafish penge e Serbisë.

Nesër: Sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të Kosovës si shtet, nuk mund të arrihet pa anëtarësimin në OKB, pastaj, pa inkuadrimin në Paktin NATO dhe në BE.

    Data: 28 Prill 2018 10:00
    Autori: Gazeta Express

    Të tjera