Kthehu lart

Analizë e Gazetës Express: Çka është Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative Kosovë – Serbi?

Analizë e Gazetës Express: Çka është Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative Kosovë – Serbi? GazetaExpress

Ekskluzive: Historia e të ardhmes së raporteve Kosovë – Serbi (3). Sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të Kosovës si shtet, nuk mund të arrihet pa anëtarësimin në OKB, pastaj, pa inkuadrimin në Paktin NATO dhe në BE.

Siç u shpjegua tashmë, Serbia mbeti brenda Kosovës edhe pas 20 qershorit të vitit 1999- të, (përfundimit të luftës), gjithsesi, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt, 2008. 

Pra, funksionimi i brendshëm i shtetit të Kosovës, qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës brenda territorit të vet, ishte dhe mbeti peng i funksionimit të strukturave të shtetit të Serbisë, më së shumti në Veri të vendit. 

I gjithë procesi negociator i Vjenës, i udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari dhe ekipi i tij (UNOSEK), synonte, nga Delegacioni i Kosovës, Presidenti Ahtisaari, SHBA-ja dhe shtetet tjera kryesore perëndimore, të gjente zgjidhje afatgjatë legale dhe politike për akomodimin e komunitetit serb në shtetin e Kosovës. 

Në anën tjetër, gjatë gjithë kësaj periudhe të bisedimesh intenzive, Kryetari dhe Kryeministri i Serbisë, Boris Tadić dhe Vojislav Koštunica, së bashku me përfaqësuesit e tyre në takimet e Vjenës, ia kishin mësyrë që të gjejnë vend, brenda statusit të ardhshëm të Kosovës (të cilin nuk do ta njihnin, sepse Tadić dhe Koštunica e kishin të qartë që statusi i Kosovës do të jetë pavarësia), për strukturat që do të ishin zgjatje e shtetit të Serbisë. Ishin këto dy qasje krejtësisht të ndryshme. Nuk pati gjasa asnjëherë që të gjindej kompromis midis tyre. 

Propozimi Gjithpërfshirës i Presidentit Ahtisaari (CSP), i bërë publik të marsin e vitit 2007, evitoi kurthet legale që do të mundësonin zyrtarizimin e këtyre strukturave në Kosovë, shmangu rrezikun e problemeve ligjore në funksionimin e shtetit të Kosovës, por Ahtisaari nuk ka pasë në mandat të tij të tëfillojë gjendjen konkrete në Kosovë, kur bëhej fjalë për praninë e shtetit serb. 

Për dallim prej Konferencës Paqësore të Rambouilletit, negociatorët ndërkombëtarë nuk kishin në çantat e tyre diplomatike kërcënimin për sulm të Paktit NATO. Nuk e kishte ndërmend kush që t'i kërcënohej Serbisë me ndonjë veprim ushtarak në Veri të Kosovës, në mungesë të bashkëpunimit të Beogradit gjatë bisedimeve të Vjenës. Sidoqoftë, situata në Veri të Kosovës llogaritej, në instancat më të larta ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Administratën e Presidentit Bush, në pranverën e vitit 2008, kur Kosova u bë shtet, si një lloj i 'konfliktit të ngrirë'. 

Ishte paraparë që ICO (Zyra Civile Ndërkombëtare), që ishte mandatuar me mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, të hapë Zyre atje, për të ndihmuar disi integrimin e kësaj pjese të Kosovës, por andejpari pati incidente të rënda, të qëllimshme, me djegie edhe të dy vendkalimeve kufitare (Portat 1 dhe 31 midis Kosovës dhe Serbisë), madje me viktima ndërkombëtare (polic i UNMIK- 2 ut), për të parandaluar çfarëdo nisme politike ndërkombëtare. Dihej mirë që vet Serbia qëndronte prapa këtyre veprimeve të armatosura. Lidershipi i Serbisë nuk zgjodhi aplikimin e 'skenareve katastrofike', siç supozohej në analizat vendore dhe ndërkombëtare para 17 shkurtit, 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli shtetin e Kosovës. 

Nuk pati shpërngulje masive të serbëve të Kosovës nga pjesët qendrore dhe jugore, për ta braktisur Kosovën. Nuk ndodhi as shpallja e pavarësisë së Veriut të Kosovës, në trajtë të ndonjë Republike Serbe brenda territorit të Kosovës, modele këto të njohura në shembujt e Kroacisë dhe të Bosnjë dhe Hercegovinës. 

Tadić dhe Koštunica përkrahën asokohe Planin dhe Strategjinë e Slobodan Samardžićit, që ishte njëri prej negociatorëve kryesorë në Procesin e Vjenës, dhe që në ndërkohë ishte bërë edhe Ministër për Kosovë në Qeverinë e Serbisë (prej majit të vitit 2007). Sipas këtij Plani, Serbia do të vazhdonte praninë e saj brenda territorit të Kosovës, për ta kontestuar sa më shumë që është e mundur, edhe nga brenda, shtetin e Kosovës, pa bërë ndonjë veprim të bujshëm politik. 

Beogradi, në anën tjetër, me të drejtë nuk priste që KFOR dhe UNMIK do të ndërmerrnin ndonjë veprim konkret për ta ndryshuar gjendjen e sigurisë në Veri, sidomos kur dihej që trazirat e marsit të vitit 2004 nisën në Mitrovicë dhe që edhe në marsin e vitit 2008, pati përplasje të dhunshme në mes të strukturave të Serbisë dhe Policisë së UNMIK-ut. KFOR dhe UNMIK ishin në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila asnjëherë nuk u respektua si duhet nga Qeveritë e Serbisë. 

Por tani, Kosova ishte bërë shtet i pavarur, dhe rrethanat e reja politike bënin edhe më pak të mundur farë veprimi ushtarak-policor të KFOR-it dhe UNMIK-ut kundër strukturave serbe të sigurisë në Veri. KFOR dhe UNMIK tani do të prisnin se çka do të ndodhë në shtetin e ri Kosovës. Ata nuk i subordinoheshin shtetit të Kosovës. Kjo madje nuk do të ndodhë as me EULEX-in, megjithëse ai do të vendosej në Kosovë, si Mision i Sundimit të Ligjit, me ftesën e autoriteteve të Kosovës, por nën autoritetit legal të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. 

Në përgjithësi, në Prishtinë dhe në Perëndim, llogaritej që në periudhën e parë të ekzistimit të shtetit të Kosovës, nuk duhet bërë veprime të veçanta në drejtim të çrrënjosjes së pranisë së Serbisë në Kosovës, midis tjerash, sepse synohej që Kosova të merr sa më shumë njohje anëkënd Rruzullit tokësor. 

Lajmet eventuale të këqija nga Kosova, me konflikte të armatosura dhe viktima, do ta ngulfatnin që në fillim depërtimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër, nuk kishte aspak vullnet dhe disponim në Perëndim për të hyrë në konfrontim direkt me autoritetet serbe në Beograd për temën e strukturave të Serbisë në Kosovë. Diçka e tillë ishte e paimagjinushme, në pranverën e vitit 2008. Llogaritej që me kalimin e kohës, do të nisë të ndodhë zbrapsja e Serbisë nga Kosova, kur në Beograd të kuptohej që pavarësia e Kosovës ishte e pakthyeshme, dhe kur (ndoshta) në Serbi do të fuqizohej një Qeveri më demokratike se sa ajo e Koštunicës.

Kjo edhe do të ndodhë në qershorin e vitit 2008, me krijimin e Qeverisë së re të Serbisë, ku më nuk ishte Koštunica. Por Qeveria e re e Serbisë nuk ndryshoi gjë karshi Kosovës. Përkundrazi. 

Qeveria e re e Serbisë, më së shumti për shkak të ambicjeve të Vuk Jeremićit, Ministrit të Jashtëm të Serbisë dhe mikut të ngushtë të Presidentit Tadić, do ta lansojë Planin e kontestimit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, duke inkuadruar në lojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (tetor, 2008), e cila autorizoi Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ-në), për ta vlerësuar procesin e pavarësisë së Kosovës, nga këndshikimi i të Drejtës Ndërkombëtare. Ishte kjo një tjetër pengesë për shtetin e ri të Kosovës. 

Pra, pavarësia e Kosovës u bë objekt trajtimi i Drejtësisë ndërkombëtare. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha verdiktin e saj të njohur, në korrikun e vitit 2010, me ç’gjë u shmang rreziku i kontestimit legal ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. 

Megjithatë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në shtatorin e vitit 2010, miratoi një Rezolutë me të cilën ftoi Bashkimin Evropian që të marrë rolin e lehtësuesit në bisedimet midis palëve (autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë). Pra, në këtë mënyrë u krijua korniza e re politike e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila objektivisht u imponua si konsekuencë e iniciativës diplomatike të Beogradit zyrtar kah ICJ, dhe e realitetit në terren, të pranisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës. 

Dialogu i Brukselit pra, që do të nisë në marsin e vitit 2011, së pari në nivelin teknik, për të vazhduar në tetorin e vitit 2012 në nivelin më të lartë politik, nuk është rezultat i vullnetit të mirëfilltë politik të instancave më të larta politike të Kosovës, por është pasojë e gjendjes në terren, e zhvillimeve ndërkombëtare, e pamundësisë që të imponohet integrimi i Veriut dhe largimi i strukturave të Serbisë nga Kosova. 

Zatën, as Washingtoni zyrtar nuk ka pasë tjetër alternativë për Kosovën pos përkrahjes së dialogut. Dialogu i Brukselit i vendosi që në fillim ‘Rregullat e lojës’. Këto ishin bisedime të vullnetit të mirë të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat si ‘forcë lëvizëse’ e kishin bindjen e Brukselit që autoritetet e Serbisë, për shkak të synimit për tu bërë sa më parë anëtar të Bashkimit Evropian, do të jenë të gatshme që të tërhiqen gradualisht nga Kosova dhe të normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. 

Por tjetër masë ndëshkimore, pos asaj që përkonte me ngadalësimin apo edhe bllokimin e hyrjes së Serbisë në BE, Brukseli nuk ka pasë atëherë, dhe nuk ka as sot e kësaj dite. Megjithatë, dialogu teknik hasi në pengesa të mëdha, ndryshe, lehtë të parashikueshme, kur u kuptua që autoritetet e Kosovës thjeshtë janë në mungesë në Veri të vendit, për t’i zbatuar Marrëveshjet e arritura në Bruksel. 

Për këtë shkak ndodhi korriku i vitit 2011, apo, aksioni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), që si rezultatin e vet më të rëndësishëm pati inkuadrimin e Qeverisë së Gjermanisë në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, dhe përgatitjen e dialogut politik, i cili siguroi mbështetjen e fuqishme të Hillary Clinton, atëbotë Sekretare e Shtetit, dhe ndërmjetësimin e Catherine Ashton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së. Kosova si shtet, ka mbetë penge e Serbisë edhe kur bëhet fjalë për stabilizimin e jashtëm të Kosovës, në Bashkësinë Ndërkombëtare. Kosova deri më tash është njohur prej 115 shteteve anëtare të OKB-së (që gjithsejt ka 193 shtete). 

4

Kosova është njohur prej 23 shteteve anëtare të BE-së (prej 28 shteteve anëtare). Sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të Kosovës si shtet, nuk mund të arrihet pa anëtarësimin në OKB, pastaj, pa inkuadrimin në Paktin NATO dhe në BE. Te tri këto synime të Kosovës janë aktualisht larg për tu përmbushur. Gjithsesi, edhe renditja e anëtarësimit të Kosovës mbetete e njejta: Së pari duhet të hyhet në OKB (në vijim në OSBE dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare), pastaj në Paktin NATO dhe së fundit, në BE. Në rastin e OKB-së, anëtarësimi i Kosovës është kryekëput në duart e Federatës së Rusisë, e cila tok me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Republikën e Kinës, është anëtare e përhershme e instancës më të lartë të sigurisë në Botë. 

Republika e Kinës në vitet kur Kosova është bërë shtet, kishte vendosur të abstenojë kur të vie për miratim në Këshillin e Sigurimit, Propozimi i Presidentit Ahtisaari. Supozohet që abstenimi do të ishte vota kineze edhe sikur tash të paraqitej në East River (selinë e OKB-së), aplikimi i Kosovës për tu bërë shteti i 194-të i OKB-së. Në periudhën kur është adresuar dhe zgjidhur statusi i Kosovës, në vitet 2006, 2007 pra, Vlladimir Putin ka qenë President, Sergey Lavrov ka ushtruar detyrën e Ministrit të Jashtëm. Te dytë janë në po të njejtat pozita sot e kësaj dite. 

Asokohe, qëndrimi i Moskës zyrtare karshi çështjes së Kosovës ka qenë që Rusia do të pajtohej me pavarësinë së Kosovës, nëse Serbia, në negociatat për status, do të pajtohej me këtë epilog të bisedimeve. Në ndërkohë, Federata e Rusisë, Evropa dhe Bota kanë ndryshuar shumë. 

Natyrisht, Moska zyrtare do të votonte në favor të pranimit të Kosovës në OKB, nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës, por të gjithë ne e dimë sa janë gjasat reale për të ndodhë diçka e tillë, në një të ardhme të afërt. Opsioni B i anëtarësimit të Kosovës në OKB është ai që kalon përmes Marrëveshjes ndërkombëtarisht obligative (‘Traktatit gjermano-gjerman’), i cili është kusht suprem edhe i BE-së, për Serbinë, kur bëhet fjalë për sendërtimin e synimit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe më pas për anëtarësimin e Serbisë në BE. Kjo Marrëveshje Gjithpërfshirëse pra, i hapë dyertë Serbisë për në BE, dhe mund ta ndihmojë Kosovën thelbësisht që të përgatitet për anëtarësim në OKB. 

Natyrisht, edhe në atë rast gjithçka do të varej nga politika e Moskës zyrtare. Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative realisht, do të kishte domethënien e njohjes së tërthortë të Kosovës nga ana e Serbisë, ashtu siç kishte ndodhë në relacionet në mes të Gjermanisë Federale dhe Gjermanisë Demokratike nëpërmjet të Traktatit gjermano – gjerman. Në këtë rast, siç mund të mirret me mend, shumëçka do të varej nga përmbajtja e kësaj Marrëveshje, nga mekanizmat e normalizimit të cilët do të kodifikohen në te, nga qëndrimet e shteteve kryesore të BE-së, dhe nga porositë diplomatike që Beogradi do t’i kishte për Moskën. 

5

Nëse udhëheqësia e Serbisë kur kjo Marrëveshje do të bëhet (Aleksandar Vučić gjithsesi do të jetë President i Serbisë, sa për Kryeministrin e Serbisë, me gjasë kjo edhe nuk do të jetë shumë e rëndësishme), do t’ia bëjë me dije Moskës që nuk ka gjë kundër nëse Kosova, përmes kësaj Marrëveshjeje, do të aplikojë të hyjë në OKB, atëherë Federata e Rusisë, do të mund të abstenonte (njëlloj si Republika e Kinës), kur do të votohej në Këshillin e Sigurimit për kërkesën e Kosovës. Por, këtu duhet shtuar nuk mund të ketë një siguri të plotë sa i përket qëndrimit final të Federatës së Rusisë ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në OKB. Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë pra, për Prishtinën, do të duhej të kishte një kuptim të trefishtë. 

Në njërën anë, me te, do të shuhej prania e strukturave të shtetit të Serbisë në Kosovë, dhe do të dakordoheshin të gjitha llojet e përkrahjes së Beogradit për serbët e Kosovës (të cilat gjinden edhe në Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari). Në anën tjetër, kjo Marrëveshje do të mundësonte që Kosova të apilojë për anëtarësim në OKB. Më në fund, llogaritet që me këtë Marrëveshje, Kosova, edhe para se të bëhej shtet anëtar i OKB-së, do të mund ta fitonte njohjen e tri shteteve anëtare të BE-së: Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. 

Sa për njohjen e Spanjës dhe të Qipros, me gjasë ato do të mund të ndodhin vetëm pasiqë flamuri i Kosovës të ngritet në East River. Ndërsa, pa siguruar njohjen e këtyre pesë shteteve të BE-së që njihen si ‘non- recognizers’, Kosova nuk mund ta fitojë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, i cili duhet të jetë hapi i ardhshëm i Kosovës në proceset integruese në BE, pas zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim/ Asociimit. (SAA-së). 

Ndryshe, këtu mund të shtohet që Serbia është fuqizuar ndërkombëtarisht, karshi Kosovës, shumë më tepër falë qëndrimeve të këtyre pesë shteteve ndaj pavarësisë së Kosovës se sa pozicionit të Federatës së Rusisë. Moska zyrtare nuk ka pasë në vitin 2008 ndikim në politikat evropiane, dhe sikur Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro ta kishin njohur Kosovën së bashku me 22 shtetet tjera anëtare të BE-së (që pranuan shtetin e Kosovës në harkun kohor shkurt-tetor të atij viti), i gjithë rrëfimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të kishte karakter dhe përmbajtje krejtësisht tjetër nga ai që ka që nga viti 2011-të. 

Në atë rast, dialogu do të bëhej për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që automatikisht do të nënkuptonte njohjen reciproke në mes të dy shteteve. Zatën, sjellje e shteteve anëtare të BE-së karshi krijimit të shtetit të Kosovës dëshmoi më së miri mungesën e politikave të përbashkëta për çështjet e rëndësisë sipërore, çfarë gjithsesi ishte pavarësia e Kosovës. 

Sidoqoftë, nëse këtu i kthehemi temës së Marrëveshjes ndërkombëtare të Kosovës dhe Serbisë, në parim Prishtina dhe Beogradi kanë një dakordim për këtë Marrëveshje si të tillë (jo për përmbajtjen e saj), megjithëse, në fuqi, së paku në rrethanat e tanishme, janë dy dinamika, dy interesa krejtësisht të ndryshëm. 

Edhe pse kjo Marrëveshje me Kosovën nuk e ka fuqinë e njohjes formale të shtetit të Kosovës, Vučić dhe të gjithë politikanët e tjerë relevantë në Beograd, e dinë mirë peshën dhe rëndësinë e saj në raportet Prishtinë – Beograd, dhe në relacionet ndërkombëtare të Kosovës, pas nënshkrimit të saj. 

Kjo me siguri është një arsye tjetër për Vučićin dhe Beogradin zyrtar për ta shtyrë sa më vonë që është e mundur kohën kur do të duhej të nënshkruhej Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative me Prishtinën zyrtare. 

Nesër: Pse Serbia është e interesuar që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë dhe të pushojë së ekzistuari si shtet i pavarur?

    Data: 29 Prill 2018 10:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera