Kthehu lart

Analizë e “Gazeta Express”: Shteti i Kosovës: Interes nacional shqiptar (4)

Analizë e “Gazeta Express”: Shteti i Kosovës: Interes nacional shqiptar (4) GazetaExpress

Ekskluzive: Historia e të ardhmes së raporteve Kosovë – Serbi. Pse Serbia është e interesuar që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë dhe të pushojë së ekzistuari si shtet i pavarur?

Nga pikëshikimi i Kosovës, por edhe nga ai që është mbizotërues në Perëndim  (në Washington, Bruksel dhe Berlin), raporti historik dhe politik i Kosovës dhe Serbisë, nuk ka si të mos merr trajtën finale, herët a vonë, të njohjes reciproke të dy shteteve.

Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë stadin kur do të jenë shtete fqinje, me marrëdhënie të mira në mes tyre.

Në anën tjetër, njohja e Kosovës nga Serbia si shtet  (dhe anasjelltas), do të shënonte arritjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Megjithatë, për të mbërri te ky hap final, duket që është e pashmangshme Marrëveshja ndërkombëtarisht obligative, e cila në masë të madhe do të duhej t’i relaksonte raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në rrethanat aktuale politike dhe shoqërore në Serbi, duket që është e paimagjinueshme që liderët serbë do të jenë të gatshëm të marrin guximin dhe të bëjnë atë veprimin që do t’i jepte fund kontestit historik dhe etnik, të cilin ia ka nisë Serbia para më shumë se një shekulli me okupimin ushtarak të Kosovës, apo që ata do të ishin të gatshëm ta njohin shtetin e Kosovës.

Në anën tjetër, poashtu do të ishte befasi e madhe, aktualisht diçka e tillë nuk është e mundur as ligjërisht, nëse BE-ja do ta pranojë Serbinë si shtet anëtar, ndërsa Serbia nuk do ta pranonte shtetin e Kosovës, qoftë edhe pak kohë apo disa ditë para se flamuri i Serbisë të ngritet në Bruksel. Precedenti i Qipros, kur ky shtet u pranua në BE, duke mos pasë të mbyllur problemin e integritetit territorial  (ende ky ishull është i ndarë në dy pjesë, në atë që kontrollohet nga pushteti grek, dhe në atë që mbikëqyret nga pushteti turk), ndërsa më pas BE-ja u ballafaqua me një mori problemesh me këtë shtet, është një përvojë që nuk ka si të mos mirret në konsiderim në instancat më të larta të Bashkimit Evropian. Në të kaluarën shumë herë është theksuar prej vetë zyrtarëve të lartë evropianë që BE-ja nuk duhet ta përsërisë gabimin që ka bërë me Qipron.

Natyrisht, Serbia e Aleksandar Vučićit do të përpiqet që në çdo mënyrë ta shmangë këtë detyrim, i cili është më i rëndi për të, në gjithë rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Presidenti i mëparshëm i Serbisë, Tomislav Nikolić, në disa raste edhe publikisht ka përmendur që në bazë të bisedimeve me zyrtarët më të lartë evropianë ka kuptuar që njohja e Kosovës është kusht që Serbia të hyjë në BE, dhe që ky personalisht, në mes të Kosovës dhe BE-së, gjithmonë do të zgjedh Kosovën. Për më shumë, ky i ka sygjeruar edhe politikanëve të tjerë serbë të pajtohen me te në këtë përzgjedhje.

Presidenti Vučić, së paku nga pikëshikimi i sotëm, do të jetë në gjendje, me qëllim që procesi i bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit të mos çojë në këtë konkludim, të njohjes së Kosovës, të jetë konstruktiv aq sa duhet, kur bëhet fjalë për përmbajtjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse me Kosovën  (për normalizimin e raporteve), vetëm për të mos njohur Kosovën. Nuk do të ishte befasuese nëse Vučić do të propozonte që një Paragraf/ Nen i kësaj Marrëveshjeje Ndërkombëtarisht Obligative, të precizonte, në mënyrë eksplicite, që Serbia dhe Kosova nuk kanë detyrim ta njohin njëra tjetrën si shtete të pavarura. Në të vërtetë, qysh tash mund të pritet që Vučić do ta bëjë një propozim të tillë.

Por, aspekti i njohjes reciproke të Kosovës dhe Serbisë, vështirë që mund të shtrohet për trajtim në këtë formatin dhe substancën e deritashme të dialogut, sepse tek e mbrama dihet që me kornizën e këtyre bisedimeve, as Prishtina dhe as Beogradi nuk mund të ia imponojnë njëri-tjetrit asnjë temë në Agjendën e bisedimeve. Shumë më tepër rregullimi formal i relacioneve në mes të këtyre dy shteteve, përmes njohjes reciproke, ndërlidhet me Legalitetin evropian. Beogradi zyrtar i Vučićit, gjithsesi do të përpiqet, gjatë bisedimeve për hyrje në BE, kur të vie momenti për fazën finale, ta prezentojë Marrëveshjen e madhe të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, si 'lejekalimin'  (apo ‘passwordin’), për të hyrë në BE. Për më shumë, edhe në bazë të Marrëveshjes së 19 prillit  (2013), do të pohojnë në këtë rast autoritetet më të larta të Serbisë, Beogradi është zotuar që nuk do të pengojë proceset integruese të Kosovës në BE. Serbia e Vučićit, mund të supozohet në rrethanat e tanishme, do të jetë e gatshme që ne një tjetër Paragraf/ Nen, në Marrëveshjen Gjithpërfshirëse, të konfirmojë që Serbia, si shtet anëtare e BE-së, nuk do ta përdorë të drejtën e Veto-s për anëtarësimin e Kosovës në BE, të cilën ndryshe e posedon aktualisht çdo shtet anëtar i BE-së.

Kur jemi te përmbajtja e supozuar e kësaj Marrëveshjeje, autoriteteve të Kosovës gjithsesi do të ju duhet një Paragraf/ Nen në të cilin në mënyrë eksplicite do të theksohet që kjo Marrëveshje është dokument legal që do t'i mundësojë Kosovës të aplikojë për anëtarësim në OKB, dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, dhe që Serbia nuk do të pengojë dhe as nuk do t'i inkurajojë të tjerët (lexo: Federatën e Rusisë), të pamundësojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në aspektin strategjik, siç po shihet edhe nga kjo përmendje e disa prej momenteve kyç të Marrëveshjes ndërkombëtarisht obligative, autoritetet e Kosovës do të duhej sa më parë që është e mundur të fillojnë përgatitjet për hartimin e Draftit të parë të kësaj Marrëveshjeje. Angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë si këshilltarë në këtë temë është i domosdoshëm.

Në anën tjetër, nuk ka dyshim fare, që Aleksandar Vučić dhe lidershipi i Serbisë, do të vazhdojnë me përpjekjet e tyre që arritjen e Marrëveshjes së përmendur për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ta ndërlidhin me legalizimin e pranisë së strukturave të Serbisë në Kosovë, qoftë edhe duke i kontrabanduar ato me krijimin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe sipas Propozimeve të Beogradit, të cilat do ta rrënonin organizimin shtetëror të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës në temën e Asociacionit/ Bashkësisë, kanë mbështetjen ndërkombëtare që ky trup të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të mos jetë rrafsh i tretë i pushtetit  (pas atij qendror dhe lokal). Edhe Zonja Mogherini, Përfaqësuesja e lartë e BE-së, në fjalën e saj të mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në majin e vitit 2016, ka ripohuar këto qëndrime të BE-së, duke përmendur madje edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës  (dhjetor, 2015).

Aleksandar Vučić në disa prej fjalimeve kyç të tij, kur ka folur për Kosovën, në mënyrë të tërthortë  (pa e eksplikuar këtë propozimin e tij), ka shfaqur mendimin e tij që në Kosovë duhet të aplikohet një lloj i sovranitetit të dyfishtë. Shqiptarët e Kosovës do të jetojnë kështu në shtetin e Kosovës  (siç tha edhe në fjalimin e tij të parë si President në detyrë i Serbisë, Vučić, 'për shqiptarët Kosova është shtet, për ne nuk është'), ndërsa serbët e Kosovës do të mbulohen, në aspektin e sovranitetit, nga Serbia. Këtë Vučić do të provojë ta bëjë edhe duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese të serbëve të Kosovës, sipas të së cilës, ata mund të kenë edhe dyshtetësinë  (e Kosovës dhe të Serbisë), prandaj, përmes saj, ata mund të kërkojnë edhe praninë e strukturave të Serbisë në Kosovë, edhe pse është e qartë, edhe në bazë të dialogut të Brukselit dhe Kapitullit 35 të bisedimeve të Serbisë me BE-në, që diçka e tillë nuk është e mundur.

Tek e fundit, në këtë kontekst është shumë indikativ rasti kur qytetarët serbë të Kosovës, edhe pse kanë pasaporta biometrik të Republikës së Serbisë  (në emër të dyshtetësisë), nuk kanë fituar automatikisht të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë  (kur Serbia fitoi këtë të drejtë), për shkak të adresës kosovare në pasaportat e tyre. Këtu pra u aplikua parimi i mirëfilltë i sovranitetit të Kosovës brenda territorit të vet, i cili përfshinë të gjithë qytetarët e saj, edhe ata serbë.

Nëse ndarja e sovranitetit të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të arrihet si gjendje e përhershme në relacionet në mes të këtyre dy shteteve  (sepse edhe sot e kësaj dite dihet që Serbia cenon sovranitetin e Kosovës nga brenda, përmes pranisë së strukturave të saja), apo, nëse ajo nuk do të kodifikohet në Marrëvshjen ndërkombëtarisht obligative, atëherë, udhëheqësit e Serbisë do të mund të insistojnë në opsionin e ndarjes territoriale të Kosovës  (këtë zatën ata po e bëjnë vazhdueshëm, qoftë në kanale konfidensiale apo në deklarata publike), apo, atë të shkëmbimit të territoreve, si solucion final për Kosovën, madje, me një propozim të veçantë: Kosova mund t’i bashkohet Shqipërisë.

Në shikim të parë, ky është paradoksi më i madh politik dhe historik në gjithë rrëfimin për konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë që po zgjatë, në një formë apo tjetrën, tash e 106 vjet, apo që prej krijimit të Shqipërisë dhe okupimit të Kosovës.

Natyrisht, përgjegjësia rajonale dhe ndërkombëtare për gjithë këtë operacion të ndarjes së Kosovës dhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duhet t’i takojë liderëve shqiptarë të Kosovës. Dhe ata duhet të mbahen në mend si faktorë destabilizues të rajonit dhe të Evropës.

Beogradi zyrtar, në dy vitet e fundit po mbanë të gjallë një fushatë të gjërë propagandistike, në të katër anët e Botës, duke i fajësuar politikanët shqiptarë të Kosovës, që janë nisë në udhën e krijimit të “Shqipërisë së Madhe” duke prishur stabilitetin në rajon dhe më gjërë.

Sidoqoftë, nëse këtu i kthehemi çështjes kyçe, pse Beogradit i konvenon që Kosova të pushojë së ekzistuar si shtet dhe që ajo, për më shumë, t’i bashkohet Shqipërisë  (duke hequr dorë nga Veriu i saj), do të mund të thuhej që siç u përmend më parë, momenti më problematik, aktualisht, krejt i papërballueshëm për lidershipin serb dhe mbi të gjitha, për Presidentin Aleksandar Vučić, është njohja e pavarësisë së Kosovës.

Nëse pra Kosova, por edhe udhëheqësia e Shqipërisë, do të dakordoheshin me Opsionin e Serbisë për ndarjen territoriale të Kosovës, dhe nëse autoritetet e Kosovës, do të vendosnin, që Kosova duhet të shuhet si shtet dhe t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë, Beogradi zyrtar do të shpëtonte nga domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë së Kosovës  (që do të duhej të ndodhte herët a vonë).

Serbia dhe Shqipëria qëmoti kanë njohur njëra tjetrën, kjo njohje është bartur si trashëgimi për Serbinë, pa marrë parayshë emrin e shtetit që ka pasë Beogradin për kryeqytet, dhe në këtë rastin e ri, nëse Kosova do t’i bashkohej Shqipërisë, e tëra që do të duhej të bëhej do të ishte Marrëveshja në mes të Beogradit dhe Tiranës për kufijtë e ri në mes të dy shteteve.

S’do mend që poqëse do të ecte para ky Opsion i dëshiruar i Serbisë, (edhe pse edhe në atë rast, natyrisht, Beogradi do të insistonte në statusin e veçantë të kishave dhe manastirave të Kishës Ortodokse Serbe, në kuadër të Shqipërisë së re), shteti i bashkuar i Kosovës dhe Shqipërisë do të shihej si kërcënim i madh për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Maqedonisë në veçanti, por edhe të Malit të Zi. Sa për Greqinë, diçka e tillë nuk do të mund të thuhej.

Në anën tjetër, Serbia do të mundohej maksimalisht që të kërkojë ‘kundërshpërblimin’ për ‘humbjen e Kosovës’  (të pjesës më të madhe të saj), në trajtë të unifikimit të Republikës Serbe, (të Bosnjë dhe Hercegovinës), me Serbinë.

Natyrisht, gjatë gjithë kohës Beogradi zyrtar do të synonte që i gjithë faji për këto zhvillime dramatike në këtë pjesë të Evropës t’i mbesin Prishtinës dhe Tiranës.

Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë, do të krijonte rrethana për shkëmbim të popullsisë dhe jo të territorit, ku mund të supozohet që do të kishte lëvizje të popullatës shqiptare dhe serbe në drejtime të kundërta.

Mund të mirret me mend se çfarë pasojash do të kishin shqiptarët në përgjithësi, pas pamjeve mediatike të këtyre ngjarjeve të cilat do të zinin kryelajmet e mediave botërore. Sa për Serbinë, kjo nuk do të ishte hera e parë kur diçka e tillë ndodhë në historinë e re të saj.

Lidershipi i sotëm serb pra, është shumë më tepër i frikësuar nga situata e cila duket vështirë e ndryshueshme, (dhe e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurtin e vitit 2008), dhe e cila shquan ekzistencën e shtetit të Kosovës, dhe të shtetit të Shqipërisë, se sa nga mundësia e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të përbashkët.

Megjithatë, i gjithë ky operacion njeh edhe shumë aspekte ndërkombëtare të cilat duket se nuk mirren shumë parasysh në Beograd. Shqipëria është shtet anëtar i Paktit NATO, në Kosovë është Misioni i KFOR-it, dhe për më shumë, në Kosovë është ende në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, etj. etj.

Mbi të gjitha, nuk duhet harruar fakin që është interest strategjik kombëtar i shqiptarëve që Kosova të mbetet shtet i pavarur.

    Data: 30 Prill 2018 10:48
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera