Kthehu lart

Alo, Qeveria?

Alo, Qeveria? Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Diferenca në mënyrën e qeverisjes nis prej gjërave të vogla, siç mund të jetë edhe blerja ose jo e telefonave të rinj celularë për kabinetin e kryeministrit. Është shumë e rëndësishme qasja që kryeministri i ri ka ndaj shpenzimit të parasë publike. Andaj duhet diskutuar për 8000 euro të shpenzuara për telefona, që dikujt mund t’i duket cikërrimë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka shpallur tender për blerjen e 14 telefonave celularë, në vlerë 8000 euro, ndërkohë që zyrtarë të saj janë arsyetuar se ka qenë e nevojshme që këtë ta bëjnë për nevoja pune, e jo luksi.

“Telefoni celular sot konsiderohet mjet pune për një profil të caktuar të punonjësve në Kryeministri dhe jo mall luksi siç pretendoni ju”, ka qenë përgjigjja e Zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express.

Madje, kabineti është arsyetuar se, duke pasur parasysh se mesatarja e pagës së këshilltarit politik në kryeministri është rreth 500 euro, asnjëri nga ta nuk ka mundësi që me buxhetin personal të blejë një mjet pune, qoftë ai edhe telefon, për punë zyrtare. Një logjikë aspak e shëndoshë për një marrëdhënie kontraktuale.

Askush nuk ma mbush mendjen se, secili nga zyrtarët që punon në Zyrën e Kryeministrit nuk e ka një telefon të mençur, me të cilin mund të kryejë punë në mënyrë korrekte. Secili nga ta kur është emëruar në ato pozita e ka marrë me vete edhe telefonin celular. Unë vazhdoj ta konsideroj absolutisht të panevojshme që ata të pajisen me telefona të rinj. Thjesht, ka mjaftuar që sipas rregullave në fuqi këta zyrtarë të përfitojnë heqjen e shpenzimeve. Puna korrekte në raport me përgjegjësitë e tyre ka mundur të kryhet edhe nëpërmjet telefonave që i kanë aktualisht.

Është e lehtë që të hapësh tender për të blerë telefona për stafin, por është shumë e rëndësishme qasja që kryeministri i ri ka ndaj shpenzimit të parasë publike. Andaj ky akt ka marrë vëmendje në publik.

* * * *

Kam marrë shumë mesazhe për këtë çështje nga qytetarët. Disa arsyetohen se 8000 euro nuk janë asgjë, krahasuar me miliona që pretendeohet të jenë shpërdoruar nga zyrtarë publikë. Ka pasur të tjerë që e kanë kritikuar veprimin e Zyrës së Kryeninistrit, duke thënë se me ato para ka mundur të kryhet ndonjë punë tjetër.

Natyrisht, 8000 euro nuk mund të krahasohen, ta zëmë, me tetë milionë, por kjo nuk duhet të arsyetojë të tilla veprime që tregojnë shumë për qasjen qeverisëse. Ata që e kanë këshilluar kryeministrin që qysh në ditët e para të mandatit të harxhojë mijëra euro në telefona celularë, nuk kanë bërë mirë. Të paktën simbolikisht, një shumë e tillë e parave ka pasur mundësi të shpenzohet kudoqoftë tjetër, por jo në telefona. E përsëris, zyrtarët kanë pasur telefona personalë dhe kanë mundur fare mirë ta kryejnë punën edhe me ta. Telefonat e rinj nuk janë nevojë, por luks.

Po që se është premtuar një qasje e re qeverisëse,e jo një qeverisje e luksit si deri tash, atëherë nuk mund të arsyetohen as pretendimet se edhe zyrtarët paraprakë kanë vepruar kështu. Diferenca në mënyrën e qeverisjes nis prej gjërave të vogla.

Askush nuk ka arsye të kontestojë vullnetin e kryeministrit të ri për të qeverisur më mirë se paraardhësit e tij. Por, varet nga veprimet konkrete se sa ai vullnet mund të kapitalizohet.

Askush nuk po thotë se zyrtarëve të kabinetit të tij duhet t’iu mungojnë kushtet elementare për punë. Por, në këtë rast, puna nuk kryhet më mirë nëse shpenzohen mijëra euro për marka më të reja të telefonave. Në këtë rast është përmirësuar luksi, e jo kushtet elementare të punës.

* * *

Mund të ketë nga ata që thonë se, përballë sfidave me të cilat përballet kryeministri, çështja e blerjes së telefonave është një pikë uji në oqean. Është e vërtetë se janë të mëdha problemet që presin zgjidhje nga qeveria e re. Por, publiku duhet të dijë edhe për gjëra “të vogla” që kanë të bëjnë me funksionimin e kabinetit të tij.

Duhet të futemi në lëkurën e pacientëve të shtrirë në QKUK, për të cilët mungojnë edhe barnat themelore, e tek pastaj të vlerësojmë qoftë edhe një euro të shpenzuar nga paraja publike për gjëra të tilla si telefona celularë. Duhet të futemi në lëkurën e mijëra të varfërve e të papunëve që mezi mbijetojnë, në lëkurën e atyre që ende presin dorën e shtetit për t’iu ndihmuar.

Stafi i tij në kryeministri mbase mund ta ketë më të lehtë që t’iu përgjigjet qytetarëve e gazetarëve me telefona të rinj, kur ata mund të kërkojnë qindra përgjigje për problemet secili më i rëndë si tjetri.

Mund t’iu përgjigjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe liberalizimin e vizave që është premtuar të kryhet brenda 90 ditësh, për problemet në shëndetësi e arsim, për papunësinë e varfërinë, për zhvillimin ekonomik e ushtrinë. Ata munden edhe të mos përgjigjen, por kjo nuk do të ndihmojë‰asgjë‰kryeministrin në‰realizimin e zotimeve të‰ veta. Siç, jam i sigurt, nuk do ta ndihmojë as shpenzimi prej 8000 eurosh për telefona të rinj. 

    Data: 21 Shtator 2017 15:40
    Autori: Imer Mushkolaj
    • 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë…

      22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë… 0

    Të tjera

    • Ballkani nuk u bë dot Zvicër

      Ballkani nuk u bë dot Zvicër 0

    • Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

      Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve 0