Kthehu lart

A është popull Edi Rama?

A është popull Edi Rama? Autori: Armand Shkullaku GazetaExpress E shtune, 05 Gusht 2017 14:15

Sikur të mos iu mjaftonte i nxehti përvëlues i kësaj stine, shqiptarëve u duhet të durojnë edhe një stinë të shpifur politike, të cilën mendonin se e kishin kapërcyer një çerek shekulli më parë.

Këto ditë, ata po shqyejnë sytë duke parë një shfaqje të pështirë, ku lideri maksimal vendos para “togës së pushkatimit” administratën publike, e përdhunon atë live, e çnderon dhe e poshtëron dhe këtë e bën në emër të popullit. Në emër të atyre që katër vite më parë u premtoi një administratë të rilindur, që me ndihmën e Tony Blair do t’a modernizonte dhe do të ndërtonte një sistem që nuk do t’i lejonte njerëzit të korruptoheshin.

Ky demaskim publik që udhëheqësi po i bën një grupi të madh “armiqësor” duket edhe më i çuditshëm po të ndalesh pak dhe të pyesësh: po përse Edi Rama e ka caktuar veten nga ana e popullit? Ai ishte ai kryeministri që për këtër vjet ngriti dhe ngjizi këtë admistratë, duke spastruar atë që gjeti dhe duke sjellë militantët e njerëzit e tij? A duhet të kërkojë falje për dështimet, të qëndrojë me kokën ulur ashtu si drejtorët e tredhur që i mbajti për katër vite dhe para se të bëjë gjyqin e tyre, të rrëfejë të vërtetën e dështimeve të tij?

Sigurisht që kryeministri nuk ka ndjeshmëri për skrupuj të tillë. Pa as më të voglin hezitim, ai kalon si pa të keq në rolin e gjykatësit të qeverisjes së tij, sikur vetë të mos kishte qeverisur asnjë ditë. Ai shndërrohet në popull, në qytetar, ndërkohë që është zgjedhur për të dhënë llogari përpara tyre dhe jo të kërkojë llogari në emër të tyre. Kur një lider merr përsipër të mishërojë edhe gjykimin qytetar, të flasë në emër të popullit, të shndërrohet në zëdhënës të masës, dhe jo të përgjigjet për detyrat që njerëzit i kanë ngarkuar me votë, nuk ka dyshim që vendi gjendet në prag të një krize të rëndë.

Kryeminstri i sapomandatuar për herë të dytë, pas mbylljes së mandatit të parë pa asnjë vepër publike, pa asnjë investim të huaj serioz, me rekorde historike në kanabizimin e vendit dhe abuzimet me paranë publike, është i vetëdijshëm se nuk mund të bëjë në katër vitet që e presin atë që nuk mundi, nuk diti apo nuk deshi të bënte katër vitet e para: përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Prandaj në vend të premtive, në fushatën e fundit zgjodhi retorikën e flamujve kuqezi apo historitë e Romeos me Xhulietën e PD, dhe sot, në vend të angazhimeve serioze po organizon gjyqe popullore, ku demaskon e shkarkon live “armiqtë e popullit” në emër të popullit.

Njerëzit presin punë, investime, përmirësim të shkollave e spitaleve, rend, siguri, ujë dhe energji dhe kryeministri u jep një remake të pleniumeve të Enver Hoxhës, që kur fliste klasa dridhej burokracia. Udhëheqësi po ia shpërblen popullit besimin për timonin duke u treguar vendin drejtorëve, burokratëve, aparatçikëve që i kanë pirë gjakun pa dijeninë e tij. Sepse udhëheqësi nuk ka ditur asgjë nga këto që paskan ndodhur në qeverinë e tij, ai ka patur shumë halle mbi kokë. Veç Shqipërisë, atij i është dashur të ruajë paqen dhe prosperitetin në rajon, të këshillojë kancelaren gjermane se çfarë duhet bërë në Ballkan, të ndihmojë Vuçiçin dhe të orientojë Zaevin, të bëjë fushatë kundër Trumpit dhe të parashikojë të ardhmen e Turqisë bashkë me Erdoganin... Por tashmë, kryeministri i rizgjedhur po kthen shpresën te shqiptarët: ai po e shpartallon administratën e paaftë.

Kjo skemë bajate, që e prodhojnë liderët të cilët kanë vetëm ambicien për të qeverisur e për të dominuar por jo aftësinë për të punuar e drejtuar, po e fut vendin në një rrugë pa krye ku përgjegjësia për drejtimin e vendit nuk u kërkohet atyre që janë votuar por atyre që janë emëruar. Në fakt, kjo mund të jetë edhe ëndrra e Edi Ramës, të qeverisë por të mos marrë përgjegjësi.

A mundet një kryeministër që dështimin katër vjeçar në shëndetësi t’a shesë në publik si vepër armiqësore të një grupi drejtorësh? Të gjithë e dinë që nuk ishin drejtorët ata që nënshkruan milionat e eurove për gjoja check-up falas, sterilizim, dializë, laboratorë apo për aferat e medikamenteve, pajisjeve kirurgjikale, automjeteve, etj, ndërkohë që nuk u bë asnjë investim serioz në infrastrukturë për plot katër vjet. E po kështu, aferat që zbulohen çdo ditë me pronat, legalizimet, lejet e ndërtimit, zaptimin e bregdetit e hapësirave të gjelbërta, nuk janë vepër e ndonjë zyrtari lokal, që linçohet në mënyrë të neveritshme përpara turmës që duartroket, por vullnet i kupolës që qeveris vendin.

Strategjia e kryeminstrit për të shuar etjen e qytetarëve për më shumë mirëqënie duke u hedhur kokat e prera të disa burokratëve dhe për t’i përdorur këto si koka turku për të mbuluar mëkatet e veta, është e qartë. Kryeministri po e nis mandatin e dytë duke larë duart jo vetëm nga dështimet e kaluara por edhe angazhimet e ardhshme. Udhëheqësi nuk mund të japë vetë llogari, ai vetëm e kërkon atë në emër të popullit. Ai është destinuar të mbajë timonin dhe jo të përgjigjet për destinacionin. Ata që ia besuan këtë timon, nuk është çudi të kënaqen thjesht duke ardhur vërdallë dhe duke u përmbushur me gjyqet popullore ndaj atyre që i vënë shkopinj në rrota timonierit. Treni ynë prej dekadash sillet rrotull duke na lënë në vend të fundit në garën me popujt e tjerë. Nuk mund të jetë gjithnjë një rastësi. Ne prodhojmë timonierë, por jo mjete që na çojnë përpara./Mapo/

    Data: 05 Gusht 2017 14:15
    Autori: Armand Shkullaku
    • MBI BETEJËN E HUMBUR 0

    Të tjera