Kthehu lart

A është e gatshme Kosova për investime nga jashtë?

A është e gatshme Kosova për investime nga jashtë? Autori: Agim Kuleta GazetaExpress

(Tregimi i parë) Në qershor të vitit 2016, në adresën time elektronike mbërriti një mesazh përmes të cilit një bashkatdhetar, biznesmen nga Zvicra, shprehte dëshpërimin e tij për pamundësimin e realizimit të një investimi nga institucionet lokale të njërës nga komunat e Kosovës.

Megjithëse pezmi i tij ishte mjaft dominues në çdo rresht të shkrimit të tij, megjithatë ndjehej një frymë e lehtë e shpresës së fundit. Ai kishte arritur të kompletonte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë lejen për ndërtimit e një hidrocentrali dhe pengesë e vetme për ta hedhur lopatën e parë me beton në themelin e fabrikës kishin dalë institucionet qeverisëse lokale. Natyrisht, frustrimi i tij ishte krejtësisht legjitim. Një investim milionësh po bllokohej me një lehtësi krejt të padurueshme. Për më tepër, me një vendim të pabazuar në ligj. Sot, ky zotëri që Kosovës i ofroi atë për të cilin më së shumti ka nevojë ekonomia e saj, investimin direkt, vazhdon betejën e tij. I lodhur por i palëkundur.

Tregimi i dytë

Njëri nga anëtarët e Kryesisë së Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në kohën kur procesi i privatizimit udhëhiqej nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), kishte privatizuar qindra hektarë tokë bujqësore. Infrastruktura ligjore e asaj kohë kishte lejuar mundësinë që kjo agjenci të përfundojë procesin e privatizimit të aseteve të ndryshme, pa pasur kurrfarë obligimi që ato të lirohen paraprakisht nga uzurpimet që kishin ndodhur para këtij procesi nga njerëz të papërgjegjshëm. Kjo do të thoshte që investimi i paraparë në atë aset të mbetej i parealizuar për arsye absurde. Për shkak të fuqisë së individit përmbi fuqinë e shtetit. 

Për shkak të një marrëzie brutale të kohës. Arsyeja pse vendosa ta shpalosë pikërisht këtë tregim është zbulimi i një paradoksi tmerrësisht të padurueshëm. Përveç nxitjes së bashkëpunimit midis tyre, qëllimi i rrjetëzimit të bizneseve shqiptare nëpër botë është edhe mobilizimi i kapaciteteve investive të diasporës sonë për të investuar në vendlindje që do të thoshte edhe promovim i mundësive investive në vendlindje edhe nga investitorët e huaj. Për ironi, pikërisht njërit nga anëtarët e kryesisë së këtij rrjeti, i uzurpohet prona dhe i pamundësohet investimi.

Si mund të presim ne që ky afarist të punojë në promovimin dhe nxitjen e investimeve nga jashtë kur vet përballet me vështirësi të tilla banale. Megjithatë, ky bashkatdhetar yni, sot vazhdon të qëndrojë përtej pritjeve tona. Ai sot, në kontakte me të tjerët, vazhdon të jetë shumë pozitiv në raport me vendlindjen e vet, pavarësisht që në brendinë e tij ai vuan nga mungesa e atyre gjërave pozitive.

Pse nuk ka investime të diasporës në Kosovë?

Kjo është ajo pyetja sugjestive që shtrohet shpesh, si nga mediat ashtu edhe nga njerëzit e zakonshëm të interesuar për këtë temë. Kjo është pyetja edhe që më nxiti të rrëfej të dy tregimet. Pyetje që ngërthen shpjegim kompleks të situatës.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, shuma e investimeve vjetore nga jashtë, shumica dërrmuese e të cilave përbëhet nga diaspora jonë, vazhdimisht ka shkuar duke u rritur. Nga 57 milion që kanë qenë në vitin 2011, ka arritur në 180 milion në vitin 2015, ndërsa 129 milion deri në tetor të vitit 2016, me trend stabil rritjeje. Pas dy tregimeve të mësipërme dhe këtyre statistikave përgjigjja më e drejtë konsideroj se do të ishte kjo: investime të diasporës në Kosovë ka dhe ato janë shumë më tepër se sa që ne, si shtet, krijojmë mundësi për to. Pra, ka njerëz që kanë investuar dhe do të vazhdojnë të investojnë në Kosovë. Disa me vështirësi të mëdha e disa edhe pa to. Se sa do të jetë e lartë apo e ulët e shuma e këtyre investimeve varet nga ne, jo nga ata. Ata janë të gatshëm, për ne kam shumë dyshime. 

E mira do të triumfojë

Diaspora jonë është potenciali më real për investime në Kosovë. Ajo është dera nëpër të cilën më së lehti mund të hyjnë investitorët e huaj. Për shkak të aspektit emocional ata nuk i marrin parasysh shumë aspekte të cilat i merr parasysh çdo investitor i huaj. Pengesat, nga ato më banalet për këtë shekull, si ato të fqinjëve smirëzinj të pronave ku synohet të bëhet investimi, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e punëtorëve të kualifikuar e deri te ato më serioze si mosfunksionimi i sistemit gjyqësor dhe korrupsioni, janë pengesë për çdo investitor të huaj, por nuk kanë qenë të tilla për shumë investitorë nga diaspora. Kjo situatë duhet të jetë alarm e jo relaksim për ne. Kjo situatë tregon se sa pak duhet të bëjmë për të arritur shumë, e nuk jemi duke bërë. Tregon se çfarë arritjeje të jashtëzakonshme do të bënim sikur t’i kryenim vetëm detyrat tona të zakonshme, e ne nuk jemi duke i kryer as ato elementare. Ne organizojmë konferenca, forume e aktivitete tjera me qëllim të tërheqjes së investimeve, ndërkohë që investitorët e gatshëm për investime i pengojmë apo nuk ua heqim pengesat për t’i realizuar ato. Realisht, ajo që po bëjmë ne sot nuk është më shumë se sa ballafaqim i tregimeve tona, për mundësitë e investimeve, me tregimet rrënqethëse të njerëzve që kanë provuar të investojnë në Kosovë e janë penguar në format më të ulta e absurde. Mesazhi i cilit tregim është më i fuqishëm, nuk është e vështirë të dihet.

Tregime të tilla për investimet në Kosovë ka sa të duash. Megjithatë, për të qenë korrekt nuk janë të  gjitha të errëta. Ka shumë tregime suksesi por konsideroj se për të ecur përpara detyra jonë është të përpiqemi të eliminojmë defektet e jo të mburremi me përparësitë, të cilat edhe ashtu qëndrojnë nën hijen e të parave. Nuk duhet të lejojmë që para syve tanë të zhvillohet beteja e investitorëve për të investuar në Kosovë, por, këtë betejë të pakuptimtë duhet ta zëvendësojmë me betejën e Kosovës për të tërhequr sa më shumë të tillë. 

E kjo bëhet vetëm me vullnet dhe veprime konkrete në funksion të realizimit të këtij vullneti. Kjo bëhet vetëm me bashkëpunim të këtyre investitorëve me ata që dëshirën për zhvillimin e vendit e kanë mbi dëshirën për përfitime të paligjshme, e që të dy palët bashkë janë heronjtë tanë të ditëve të sotme. E këta, në bazë të përvojës sime, mund t’i gjesh sot në çdo institucion shtetëror. E rëndësishme është që askush nuk duhet të heshtë. Heshtja është ushqim për krimin. Është shmangie nga ballafaqimi me të keqen e rrjedhimisht mirëmbajtje e saj. 

Të keqes që është rrënjosur duhet patjetër t’i zbulohen rrënjët dhe t’i priten ato. Mundësia e vetme për ta mundur të keqen është përballja me të. Atëherë, vendosmëria e njerëzve të mirë do të triumfojë mbi lakminë dhe papërgjegjësinë e atyre të këqijve.

(Autori është Këshilltar Politik në Ministrinë e Diasporës)

    Data: 27 Korrik 2017 13:18
    Autori: Agim Kuleta
    • Djali i Remzi Hoxhës i shkruan Edi Ramës: 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë…

      Djali i Remzi Hoxhës i shkruan Edi Ramës: 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë… 0

    Të tjera

    • Ballkani nuk u bë dot Zvicër

      Ballkani nuk u bë dot Zvicër 0

    • Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

      Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve 0