Kthehu lart

A duhet t'i besojmë Enver Sahanit?

A duhet t'i besojmë Enver Sahanit? Autori: Berat Buzhala GazetaExpress

Befasisht, i komprometuari financiarisht dhe moralisht, i dënuari nga gjykata, Enver Hasani, të cilin Albin Kurti e kishte pagëzuar si Enver Sahani, është shndërruar në kampion të luftës kundër të keqes. Pra, a duhet t'i besojmë ne atij? Unë them që po. Por...

Priti deri në fund.

Deri në fundin e tij.

Kur e mori në dorë, të zezë mbi të bardhë, aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në të cilën ai ishte zyrtarisht i dënuar për korrupsion, me një vit burg, Enver Hasani tha - nuk e tha gojarisht - se ky në fakt nuk ishte fundi, por ishte fillimi. Si një desperado i vërtetë, Baba, e nisi një luftë nukleare ndaj atyre që ai i konsideron(te) rivalë të tij të vërtetë. Ndaj atyre, pozitën e të cilëve e synonte, pozitën e të cilëve e kishte, respektivisht ndaj atyre që ai i pandeh(te) fajtorë pse ai është gjetur fajtor. Realisht Enver Hasani është një fajtor i papenduar dhe i papendueshëm. Ai mendon që është shpallur fajtor, jo pse realisht është, por pse realisht ia kanë punuar. Fajet për këtë i ka Kryeprokurori Lumezi, nën një pse është kryeprokuror dhe nuk ia ka mbyllur lëndën; dhe nën dy sepse Lumezi e mban detyrën që Hasani e synonte si pozitë të radhës, pas pozitës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, për Hasanin, Lumezi është përgjegjës i dyfishtë.

Përgjegjësi i dytë është rektori Marjan Dema. Edhe ky, sikurse edhe Lumezi, në sytë dhe mendjen e Hasanit, është përgjegjës për dy arsye. E para, sepse e kishte iniciuar rastin, ose sepse nuk e kishte fshehur rastin e tij; dhe e dyta, sepse Dema është rektor, pozitë të cilën ai e kishte mbajtur.

I gjendur nën pranga, me aktgjykim të shkallës së parë, pa pozitë juridike e politike, i izoluar, i dëshpëruar, i thyer, i komprometuar, Enver Hasani vendosi t'i hapë arkivat personale, për të treguar se kush tjetër - pos tij - është hajn dhe falsifikator në këtë shtet.

Pra, nëse i kemi parasysh të gjitha këto të dhëna, mund të konstatojmë pa frikë që Enver Hasani, thënë më së buti, është dëshmitar nga pasioni, e jo nga bindja për respektim të ligjit. Është dëshmitar me motive personale, e jo ndonjë dëshmitar shembullor. Madje, mund edhe të themi se Hasani do të duhej të mbahej përgjegjës për fshehjen e fakteve. Mirëpo, nuk po themi.

Unë them që edhe përkundër të gjitha këtyre rrethanave rënduese për të, përkundër personalitetit të tij jashtëzakonisht të kontestueshëm, mediat duhet t'i trajtojnë me seriozitet faktet që ai i ofron, e jo personalitetin e tij. Duhet ta trajtojnë seriozisht lëndën, e jo subjektin. Rasti Hasani nuk është rasti unik në botën e drejtësisë, kur një person i dënuar, nga dëshpërimi, vendos të flasë. Nëse Aleksandër Lumezi e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës, nëse rektori Demaj ka abuzuar financiarisht, është në të mirën e shoqërisë që ta kuptojë një gjë të tillë, sado vonë.

Personalisht, prej çfarë kam parë e çfarë kam lexuar, e kam krijuar një përshtypje që Lumezi është duke fshehur diçka. Nuk mund të them konkretisht se çka është duke fshehur, por jam i bindur që Lumezi nuk është krejtësisht i gatshëm për ta treguar të vërtetën cullak. Si një vëzhgues jopasionant, pa fakte të bollshme në duar, e kam bindjen që Lumezi e ka të dhënë atë provim të jurisprudencës, por e ka të dhënë në një kohë joadekuate, kur drejtësia kishte rënë në duar të pushtetit të dhunshëm serb. Kurse për "Dosjen Graniti" - kështu e ka pagëzuar Hasani dosjen e Marjan Demajt, e kështu po e transmetojnë edhe gazetarët - nuk është që kam ndonjë ide të qartë. Nisur nga e kaluara dhe e tashmja, nisur nga përkatësia etnike, pra shqiptar, jam i prirë të besoj që edhe Demaj ka mundësi që të jetë i korruptuar. Pra, ka mundësi që Hasani ka të drejtë edhe në këtë rast.

Kjo është sa i përket asaj çfarë po lexojmë e çfarë po shohim ditëve të fundit në media. Është një i dënuar i dëshpëruar, që ka arritur t'i dalë erës në drejtimin e duhur, duke i ushqyer mediat me mish të kuq, për të fituar pak lavdi në fundin e tij. Kurse mediat, për mendimin tim, po bëjnë mirë që po i trajtojnë informatat e tij, sikur qysh trajtohen informatat e secilit dëshmitar tjetër.

Mirëpo, anash prej gjithë kësaj çfarë u tha, unë mendoj që edhe Aleksandër Lumezi e edhe Marjan Dema kanë faje dhe përgjegjësi më të mëdha sesa për ato çfarë i sulmon Hasani. Posaçërisht i pari. Lumezi është fajtor, së paku moralisht, më shumë sesa për diplomën, për mënyrën se si ka operuar deri më tash. Ai, shoku më i ngushtë i Haxhi Dërgutit, emisarit të PDK-së në prokurori, ka dështuar për kaq vite që të shndërrohet në simbol të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Ai, bashkëpunëtori i ngushtë i Bahri Hysenit, emisarit të “Pronto”-s në prokurori, vazhdon të sillet më shumë si model, sesa si një zyrtar i devotshëm i Republikës së Kosovës për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

Pra, Aleksandër Lumezi nuk do të duhej të frikësohej shumë prej fushatës së Enver Hasanit. Ai duhet të frikësohet nga puna e tij. Nga mospuna e tij.

Për Universitetin e Prishtinës nuk besoj që ia vlen të thuhet as edhe një fjalë e vetme.

    Data: 07 Nentor 2017 16:29
    Autori: Berat Buzhala
    • Demokracia në rrezik

      Demokracia në rrezik 0

    Të tjera

    • Humori i zi për politikën e zezë

      Humori i zi për politikën e zezë 0

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

      Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0