Kthehu lart

Zharku i lirë të kthehet në Kosovë, zbardhet vendimi i gjykatës

Zharku i lirë të kthehet në Kosovë, zbardhet vendimi i gjykatës GazetaExpress

Gjykata e Ferizajt ndalon ekzekutimin e dënimit ndaj tij, pas parashkrimit të dënimit

Ish-kryetari i Kaçanikut nga radhët e Partisë Demokratike, Xhabir Zharku, mund të kthehet lirshëm në Kosovë, raporton "Frontal" në T7.

Kjo pasi Gjykata Themelore në Ferizaj përmes një vendimi para katër ditësh, e ka ndaluar ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj Zharkut, për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit.

Në vendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar Frontal thuhet se në rastin konkret ka kaluar dyfishi i kohës që kërkohet me ligj për afatin e parashkrimit të dënimit, pra kanë kaluar më shumë se gjashtë vite që nga shqiptimi i dënimit për Zharkun.

Vendimin e ka konfirmuar për Emisionin Frontal edhe Kryetari i Gjykatës së Ferizajt, Bashkim Hyseni. 

Ai ka shpjeguar procedurat që ka ndjekur gjykata që ai e udhëheq, dhe thotë se institucionet e drejtësëisë kosovare nuk kanë dështuar në këtë rast.

Hyseni ka thënë se Zharku mund të kthehet lirshëm në Kosovë, pasi rasti ndaj tij llogaritet I përfunduar.

EULEX kishte ngritur aktakuzë ndaj Zharkut, pasi dyshonte se ai se në bashkëveprim me disa persona të tjerë verën e vitit 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, kishin përdorur kërcënime serioze ndaj disa personave.

Sipas aktakuzës ata i kishin kërcënuar me vrasje nëse nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit, për privatizimin e një ferme të deleve, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë në vitin 2011 e kishte dënuar Xhabir Zharkun me 3 vite burg, për veprën penale mbajtje në pronësi dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve. Këtë dënim e kishte konfirmuar edhe Gjykata Supreme e Kosovës.

Por, edhe pas gjashtë muajve pas vërtetimit të dënimit ndaj tij nga Gjykata, Zharku kishte qëndruar i lirë. 

Për këtë shkak Gjykata kishte lëshuar urdhër për ta sjellur atë me dhunë në vuajtje të dënimit, por ishte njoftuar nga familja e zharkut se ai nuk ishte në shtëpinë e tij dhe se mund të kishte ikur në Suedi. 

Në vitin 2013 Ministria e drejtësisë i ishte drejtuar autoriteteve Suedeze, por ato kishin refuzuar ekstradimin e Zharkut me arsyetimin se i njejti kishte edhe nënshtetësi suedeze.

Muaj më vonë Kosova kishte kërkuar nga Suedia që Zharku ta vuaj dënimin atje, por sërish kishte marr refuzim, me arsyen se mes Kosovës dhe Suedisë nuk ekzistonte marrëveshje që ekzekutimi i dënimit të transferohet mes shteteve.

Kësisoj, ish kryetarit të Kaçanikut nga viti 2007 deri në maj 2012, Xhabir Zharku, i është dhënë drita e gjelbër për t'u kthyer në vendlindje.

    Data: 15 Maj 2018 20:09
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera