Kthehu lart

Xhavit Haliti nuk duhet të drejtojë më seanca, Gashi duhet të kërkojë falje

Xhavit Haliti nuk duhet të drejtojë më seanca, Gashi duhet të kërkojë falje GazetaExpress

Xhavit Haliti duhet të mos autorizohet më për të drejtuar seancat e Kuvendit pasi po e keqpërdor këtë pozitë. Kështu vlerëson Albert Krasniqi nga KDI-ja, i cili thotë se deputeti i LDK-së, Arben Gashi, duhet të kërkojë falje dhe t’i tërheqë fjalët ndaj Halitit. Nëse këtë nuk e bën, Krasniqi thotë se falje duhet të kërkojë LDK-ja.

Debati i ashpër, degradues e ofendues vazhdon të jetë prezent në pothuajse çdo seancë të Kuvendit të Kosovës. Degradimi i fjalorit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës po thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike, si dhe ligjet në fuqi.

Rasti i fundit ishte në seancën e së enjtes që e lamë pas, kur kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i PDK-së, ka zhvilluar një debat të ashpër e ofendues me deputetin Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që këtij të fundit nuk iu dha e drejta e fjalës për një replikë. Gashi përdori fjalë ofenduese në drejtim të Halitit.

Megjithëkëtë, debati në mes këtyre dy deputetëve nuk ka mbaruar të enjten. Një ditë pas Haliti derisa po votonte për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, është afruar pranë deputetit Gashi dhe e ka goditur më bërryl në bark.

E gjithë kjo situatë ndodhi në praninë e dhjetëra deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të cilët po e përcillnin seancën nëpërmjet kanaleve televizive. 

Organizatat joqeveritare të cilat e mbikëqyrin punën e Kuvendit po deklarojnë se Haliti po e përdorë pozitën zyrtare për qërimin e hesapeve me deputetët e opozitës. Ndërsa për sjelljet e Gashit, karshi Halitit, në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ata deklarojnë se deputeti i LDK-së duhet kërkojë falje.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për Express se rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh që në rast të përdorimit të gjuhës joparlamentare, të nxitjes së dhunës apo përdorimit të gjuhës të pahijshme, ofenduese, shpifëse, kërcënuese ose fyese, kryesuesi i seancës t’i tërheq vërejtjeje për sjelljen deputetit, dhe si masë  të kërkojë nga deputeti të tërheq fjalët, të ia ndërpres fjalën si dhe të largoj deputetin nga seanca e asaj dite. 

Krasniqi është shprehur se deputeti i LDK-së, Arben Gashi, do të duhej që t’i kërkonte falje deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, si dhe t’i tërheqë fjalët ofenduese karshi tij. Nëse Gashi këtë veprim nuk e bën, atëherë sipas Krasniqit do të duhej që Grupi Parlamentar i LDK-së të kërkojë falje.

“Nëse ka përpjekje për të vendosur rend dhe standarde të etikës në Kuvend, në rastin e incidentit në mes të deputetëve Haliti dhe Gashi, do të duhej që të kërkohej nga deputeti Gashi të tërheqë fjalët ofenduese që ka bërë në drejtim të kryesuesit Haliti, dhe nëse nuk do ta bënte këtë do të duhej që Grupi Parlamentar të distancohet nga kjo gjuhë”, ka thënë Krasniqi.

E për veprimin e Xhavit Halitit, nga KDI-ja thonë se po keqpërdoret pozita e nënkryetarit të Kuvendit. Sipas Albert Krasniqit, Haliti në seancat e fundit ka keqpërdorur pozitën e kryesuesit për qërim të hesapeve personale me deputetët e opozitës.

“...do të duhej që kryetari Veseli të mos e autorizojë më për të kryesuar seancat në mungesë të tij, por që me këtë detyrë ta ngarkojë ndonjërit prej nënkryetarëve të tjerë", sqaron tutje Albert Krasniqi nga KDI-ja. /GazetaExpress/

    Data: 21 Maj 2018 15:22
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera