Kthehu lart

Xhavit Haliti e pranon se ka marrë para nga Ahmet Krasniqi, por nuk tregon sa milionë

Xhavit Haliti e pranon se ka marrë para nga Ahmet Krasniqi, por nuk tregon sa milionë GazetaExpress

Anton Quni tha dje në "Pressing" të T7 se Xhavit Haliti kishte marrë në luftë 8 milionë euro nga FARK-u. Seancën e sotme, Haliti e hapi me mllef ndaj deklaratës së Qunit, dhe e akuzoi atë se po gënjente kur po thoshte se koloneli i FARK-ut ia kishte dhënë 8 milionët. Megjithatë, nënkryetari i Kuvendit e pranoi se kishte pasur kontakt me kolonel Krasniqin, e edhe që kishte marrë para. E diskutoi shumën, por Haliti tha se me këto punë prezent ka qenë Isa Mustafa e Bujar Bukoshi

Si nënkryetar i Kuvendit, që sot drejtoi vazhdimin e seancës plenare, Xhavit Haliti shfrytëzoi foltoren për të demantuar atë që kishte thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni, mbrëmë në emisionin "Pressing" në T7.

“Një deputet i Kuvendit të Kosovës ka gënjy dje publikisht, më mirë të them mbrëmë në një emision televiziv përmes të cilit ka thënë se mu mi ka dhënë dikush 8 milionë marka, mi ka dhënë Ahmet Krasniqi. Është gënjeshtër e kulluar”, ka thënë Haliti.

Tutje nënkryetari i Kuvendit i kërkoi Qunit të dëshmonte nëse vërtet kishte marrë 8 milionë marka. E, nëse kjo do të ishte e vërtetë, Haliti u zotua se jep dorëheqje.

“Është gënjeshtër prej atyre kuzhinave të tyre dhe nuk është mirë me përdor emrin e Ahmet Krasniqit të ndjerë, në qoftë se ki argumente zotëri i nderuar që po i jep vetit zor që din diçka për UÇK-në edhe ke qenë dikun në UÇK, unë po të them se nëse i kam marrë 8 milionë marka, unë prej sot nuk jam në këtë Kuvend, në qoftë se ti ke gënjy a je i gatshëm me dhanë dorëheqje, nëse ki argumente që unë i kam marrë 8 milionë”.

“Duhet ta kesh parasysh që në struktura politike dhe ushtarake ka pasë bashkëpunim të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe UÇK-së dhe strukturat politike dhe ushtarake të UÇK-së nuk janë marrë me kalamajtë që kanë nejt nëpër thera. Unë për të biseduar dhe për t’u marrë vesh kam pasur veç një njeri, veç Bujar Bukoshi. Juve s'ju kam njoftë, unë veç masi u kry lufta kam marrë vesh kush je ti”, i ka thënë më tutje Haliti Qunit.

Kur i tha të gjitha çfarë kishte, Haliti i dha dy minuta deputetit të LDK-së për t’u sqaruar.

Quni tha se për këto para kishte folur edhe më herët, mirëpo vetëm dje në Pressing, tha në mënyrë të saktë se për sa të holla bëhej fjalë.

“Kur e kemi diskutuar Ligjin për Veteranët edhe kur unë e kisha fjalën një ndër tjerat që e kam potencuar ishte që ju personalisht keni marrë të holla nga koloneli Ahmeti Krasniqi, në atë kohë kam thënë që është në pyetje një shumë shtatë shifrore kurse mbrëmë e kam potencuar më saktësisht”, tha Quni.

Ai u zotua se do të siguronte prova që do të dëshmojnë atë që kishte deklaruar mbrëmë, shkruan Gazeta Express. 

“Unë nuk e di çka ka të keqe nëse ky fond është ndarë për ndihmë të UÇK-së. Nuk është asgjë sekrete nuk jam i vetmi që e kam thënë, kanë folë për këtë çështje edhe shumë të tjerë, të idealit, të partisë, të organizimit. Por nëse ju dëshironi fakte edhe më shume unë do të siguroj. Tani nuk jam i sigurt a janë në pyetje 6,7,8, por mundem me i siguru të gjitha faktet edhe protagonistët që të saktësojmë me ditë, me datë, me ngjarje me vend etj. etj., që ju këtë shumë e keni pranuar personalisht me autorizimin e kolonel Ahmet Krasniqit”, tha deputeti i LDK-së.

Haliti në fund i tha Qunit se ai as nuk kishte marrë pjesë në takimet ku janë dhënë paratë, ndërsa ka përmendur se për “këto punë” kanë qenë të pranishëm Bujar Bukoshi e Isa Mustafa.

“Ti nuk di asgjë për këtë punë, as ata shokët tu, ka qenë prezent Agim Mehmeti është biseduar me Bujar Bukoshin edhe Isa Mustafa. /Express/


    Data: 17 Prill 2018 12:01
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera