Kthehu lart

Vazhdon drama me aferën e shahut: Pikëpyetje të mëdha për Pacollin dhe amerikanin që nuk ekziston

Vazhdon drama me aferën e shahut: Pikëpyetje të mëdha për Pacollin dhe amerikanin që nuk ekziston Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

Për të qenë në krye të Federatës Botërore të Shahut, rusi Kirsan Ilyumzhinov zgjodhi zëvendëskryeministrin e Kosovës Behgjet Pacolli si zëvendës të tij. Ilyumzhinov, një mik i mirë i Pacollit dhe një person që beson se është rrëmbyer nga jashtëtokësorët, ka futur në ekipin e tij, pas Pacollit edhe një amerikan që në fakt nuk ekziston

Gazeta Express ka shkruar të mërkurën për lidhjet në mes të zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli me rusin që u sanksionua nga SHBA’ja pasi ka pasur lidhje të ngushta me diktatorin Bashar Al Assad. Ilyumzhinov, gjithashtu është një mik i mirë me Presidentin Vladimir Putin.

Ilyumzhinov, një mik i mirë edhe i Behgjet Pacollit, ka krijuar një ekip me të cilin pretendon sërish ta udhëheqë Federatën Botërore të Shahut, ashtu siç bëri që 23 vite.

Madje, vetë Pacolli tha për Express se e njeh mjaftë mirë Ilyumzhinovin. Kjo u dokumentua edhe në bazë të disa fotografive të Pacollit dhe Ilyumzhinovit, të publikuara në artikullin e së mërkurës nga gazeta.

Rusi i komprometuar nga SHBA’ja, ia beson Behgjet Pacollit pozitën e zëvendës Presidentit të Federatës Botërore të Shahut.

Por, në këtë ekip bashkë me Pacollin, Ilyumzhinov ka futur edhe një person që nuk ekziston.

Në dokumentin e Federatës që Express e ka publikuar të mërkurën, pjesë e ekipit del të jetë edhe njëfar Glen Stark.

Pas publikimit të lajmit në Gazetën Express, ekipi i “Chess.com” ka kontaktuar me redaksinë, duke treguar se kanë bërë hulumtim për emrin e këtij personi, i cili doli të jetë imagjinar.

Pas nxjerrjes së të dhënave nga faqja e internetit të Glen Stark, profilin në Twitter, në Facebook dhe madje CV’ja e tij, të gjitha dalin të jenë të rreme.

Website i Glen Stark gstark.com, një domain i krijuar më 18 prill

CV-ja e Glen Stark mund të gjendet në faqen e tij të internetit dhe pas një hulumtimi të shpejtë tregon se diçka nuk është në rregull.

Në CV i shkruan se është nënkryetar i Bordit Ekzekutiv të Zyrës Amerikane të Inovacionit, Bashkëthemelues dhe Partner i Grupit “Meridian Capital”, ish-partner dhe bashkëthemelues i Partnerëve të Ndërmarrjeve Kimike, Anëtar i Bordit të Institutit Lauder në Universitetin e Pensilvanisë dhe Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Amerikë.

Zyra e Inovacionit është e krijuar nga administrata Trump në mars të 2017, e drejtuar nga Jared Kushner. Këshilltarë të tjerë të presidentit janë gjithashtu pjesë e kësaj zyre, por jo edhe Glen Stark. Në fakt, nuk ekziston fare “Bordi Ekzekutiv” i këtij organi.

Emri i Glen Stark nuk mund të gjendet në asnjë faqe interneti të organizatave të përmendura në CV’në e tij. Nuk ka as anëtarë të quajtur Glen Stark në Shoqatën Shkrimtarëve të Amerikës.

Pas një hulumtimi nga Chess gjendet numri i telefonit të Glen Stark, por personat të cilët poseduan këtë numër, thanë se ky person, me këtë numër ku u kontaktua, quhet Gary.

Fotografia e profilit e aktorit Jeffrey Dean Morgan në Whatsapp

Fotoja e profilit në Whatsapp i këtij numri të telefonit, është e aktorit amerikan Jeffrey Dean Morgan, dhe pas kësaj u bë e qartë se kemi të bëjmë me dikë që fsheh identitetin e tij të vërtetë.

Zëri në telefon kishte një theks rus, por zotonte gjuhën angleze.

Ai tha se kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik në Shtetet e Bashkuara 30 vjet më parë dhe konfirmoi se emri i tij është Gary.

Pra, pse Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, futi në listë, aty ku është edhe Behgjet Pacolli, një emër të rremë?

"Puna që bëj për qeverinë amerikane është legale. Kam të bëjë me teknologjinë dhe deri në përfundimin e këtij projekti, deri në fund të qershorit, nuk mund ta zbuloj emrin tim të plotë”, tha ai në linjë telefonike.

"Gary" konfirmoi se puna e tij mund të përshkruhej si e "klasifikuar". Ai mohoi se fshehja e emrit të tij lidhet me faktin se qeveria e SHBA’së i bllokon njerëzit që të kenë lidhje biznesi me Ilyumzhinovin e sanksionuar.

Por, cila është e vërteta e fshehur e CV’së së tij?

"Gjithçka është legjitime," tha njeriu që pretendon të jetë Gary dhe njeriu që qëndron prapa emrit Glen Stark.

"Në fund të qershorit mund të zbuloj emrin tim të vërtetë dhe gjithçka do të jetë në rregull”, tha ai.

Megjithatë, del se as emri “Gary” nuk është pjesë e Grupit Meridial Capital e as bashkëthemelues i Partnerëve të Ndërmarrjeve Kimike.

I pyetur se pse Ilyumzhinov nuk e përmendi se Glen Stark nuk është një emër i vërtetë, Gary u përgjigj: "Nuk e di, ai vetëm përdori informacionin që ia dërgova".

Emri i Glen Stark u shfaq fillimisht në një intervistë me Ilyumzhinov në dhjetor 2017. Presidenti i FIDE përmendi se ai do të takonte Stark, i cili ishte "një nga investitorët" dhe erdhi në Moskë me biznesmenët amerikanë që po konsiderojnë investime në Rusi.

"Ata janë të gatshëm të investojnë në bujqësi, ushqim dhe në industrinë farmaceutike," tha Ilyumzhinov.

E pas të gjithë këtij skandali, po qëndron edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po pritet të bëhet pjesë e ekipit të rusit Kirsan Ilyumzhinov, në garën për Federatën Botërore të Shahut (FIDE), shkruan Gazeta Express.

Ilyumizhnov, i cili ka qenë në krye të kësaj federate për dy dekada, është njëri prej personave më të komprometuar në botën e sportit.

Bordi Presidencial i FIDE’s më 8 prill të 2018, kishte kërkuar dorëheqjen e Kirsan Ilyumzhinov pasi që SHBA’ja e sanksionoi. Për dorëheqjen e Ilyumzhinovit nënshkruan 14 pjesëtarë të Bordit./M.K/GazetaExpress/


    Data: 17 Maj 2018 16:16
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera