Kthehu lart

Trajtimi i komunitetit LGBTI, përmirësim vetëm sipërfaqësisht

Autori: Artan Haraqija GazetaExpress

Mbi 65 % e artikujve gazetareskë nëpër mediat e Kosovës, janë konsideruar pozitivë, sipas një hulumtimi që është prezantuar sot nga organizata Qendra për Emancipim Shoqëror (QESH).

“Portretizimi i komunitetit LGBT në mediat online”, i përkrahur nga fondi shtetëror amerikan, USAID dhe ATRC ka monitoruar pesë media “online” të Kosovës në periudhën nga janari 2014 deri në mars të vitit 2016.

Hulumtimi përmend edhe raste kur mediat, përfshirë Gazetën Express, para tre vjetëve, përmes artikujve kanë publikuar tituj sensacionalë apo edhe duke përdorur gabimisht terminologjinë, derisa është raportuar për komunitetin LGBT.

“Titujt bombastikë dhe lajmet e përcjella me foto shokuese, kanë qenë një tjetër problem që është hasur gjatë analizës”, ka thënë drejtori i QESH-it, Liridon Veliu, duke shtuar: “Në shumicën e herëve kur është raportuar për komunitetin LGBT janë përdorur tituj sensacionalë, të cilët shpesh janë shkruar me shkronja të mëdha ose janë shoqëruar me foto vetëm për të tërhequr vëmendjen e lexuesit”.

Megjithatë, vitin e kaluar, Gazeta Express në bashkëpunim me një tjetër organizatë që lufton për të drejtat e LGBTI-së, Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), e kanë prodhuar emisionin “Mallkimi LGBTI”, në kuadër të dokumentarëve të emisionit “Zona Express”.

#ZonaExpress: "Mallkimi LGBTI"

Uploaded by Gazeta Express on 2016-05-29.

Dokumentari që premierën e ka pasur në televizionin “Klan Kosova”, deri më tash në “YouTube” është parë nga gati 75 mijë njerëz. Ky përbën bashkëpunimin e parë të këtij lloji në mes të një mediumi të madh kosovar dhe një organizate që merren me çështjen LGBTI.

“Është e vërtetë që tash vërehet një përmirësim në mënyrën e raportimit për LGBTI-në në mediat e Kosovës. Siç e shihni edhe në hulumtimin tonë, edhe në periudhën të cilën e kemi monitoruar (janar 2014 – mars 2016) ka dallime. Në vitin 2014, 58 % e raportimeve kanë qenë pozitive, ndërsa një vit më vonë, kjo shifër ka shkuar në mbi 65 %”, ka thënë gjatë prezantimit të këtij hulumtimi, Liridon Veliu.

Shumica e mediave në Kosovë, në versionet “online” të tyre, e kanë ndaluar publikimin e komenteve të cilat shumë shpesh kanë pasur përmbajtje ofenduese apo edhe nxitëse kundër komunitetit LGBTI në Kosovë.

Në vitin 2016, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që nga mbrëmë është edhe kandidati i një koalicioni të madh politik për postin e kryeministrit, e kishte ofenduar kryeshefin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Mehën, duke i thënë “peder”.

Pas reagimit të organizatave, QESH, CEL dhe CSGD, AAK-ja kishte kërkuar falje. Ndërsa së fundi ka pasur edhe një rast në gjykatat e Kosovës kur është dhënë dënim ndaj një personi, i cili e ka sulmuar fizikisht një pjesëtar të komunitetit LGBTI.

Kjo dhe të tjera zhvillime si kjo janë vërejtur nga organizatat e sipërpërmendura, ndonëse ky përmirësim e ka edhe një rreng tjetër.

“Ajo që na pengon tej mase është se në rastet kur duam të rrisim apo vendosim kontaktet e para me përfaqësues politikë, duhet patjetër ndërhyrja apo vizita e një zyrtari ndërkombëtar që kjo të ndodhë. Është pengesë e madhe që patjetër duhet ndërhyrja apo ndërmjetësimi i një ndërkombëtari që ne të flasim me njëri-tjetrin”, tha sot gjatë prezantimit të hulumtimit në fjalë, Agim Margilaj, nga Qendra për Zhvillimin e Grupit Social (CSGD).

Margilaj e kujtoi një hulumtim të NDI-së (Institutit Amerikan për Demokraci), i cili në vitin 2015 e ka nxjerrë Kosovën si vendin me nivelin më të lartë të homofobisë. Atëkohë, vetëm 3% e të anketuarve kanë thënë se janë të gatshëm ta pranojnë në familjen e tyre një pjesëtar të komunitetit LGBTI.

Të dhënat e tilla i bëjnë tejet të kujdesshëm në vlerësimet që japin edhe këto organizata, pavarësisht se janë vërejtur përmirësime në atmosferën në të cilën shkruhet apo diskutohet për kauzën LGBTI.

Ndërsa, edhe klima politike në të cilën gjendet Kosova momentalisht, nuk është fare e përshtatshme për aktivitete në të mirë të LGBTI-së. P.sh. Marshi kundër Homofobisë dhe Transfobisë, i cili që disa vite është mbajtur rregullisht më 17 maj, kësaj radhe është shtyrë për një datë tjetër.

“Motoja e këtij Marshi për këtë vit do të jetë ‘Dashnia e bën familjen’. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që familja është institucioni kryesor i një shoqërie, gjithashtu është edhe vlerë e padiskutueshme”, ka thënë Blert Morina nga CEL, duke shtuar se “kjo vlerë duhet të ruhet dhe të avancohet edhe më tutje… duke bërë thirrje që t’i doni fëmijët, pavarësisht orientimit seksual”.  /GazetaExpress/



    Data: 17 Maj 2017 13:15
    Autori: Artan Haraqija

    Të tjera