Kthehu lart

Tetë vjet pas krimit brenda familjes në Obri, ç’ndodhi me motrat vrasëse dhe familjen e viktimës

Tetë vjet pas krimit brenda familjes në Obri, ç’ndodhi me motrat vrasëse dhe familjen e viktimës © GazetaExpress Shtëpia e familjes Kurtaj në Obri të Epërme Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

Krimi brenda familjes Kurtaj, i kryer para 8 viteve, kur Afërdita vrau vajzën e axhës, u ka lënë plagë të hapura edhe sot e kësaj dite familjarëve të viktimës nga fshati Obri e Epërme. Afërdita, e kishte vrarë kushërirën e vet, vajzën e axhës, Luljetën, për shkak se kjo e fundit ia kishte zbuluar asaj një aferë jashtëmartesore. Për këtë vrasje u dënuan dy motra, Afërdita dhe Adelina, por edhe personi me të cilin vrasësja kishte marrëdhënie jashtëmartesore, Mehmet Krasniqin.

Gazeta Express ka qëndruar sot tek familja Kurtaj dhe ka dëgjuar rrëfimin e Gëzim Kurtajt, vëllait të Luljetës, e cila atëkohë ishte 21-vjeçare, për krimin që u krye më 24 gusht 2010, nga familjaret e tyre të afërta, motrat Afërdita Rexha dhe Adelina Kurtaj.

Pos që Luljeta Kurtajn e rrahën për vdekje, motrat Afërdita dhe Adelina nuk u ngopën me kaq. Ato kanë pranuar në gjykatë se pas kryerjes së krimit kanë dashur ta fshehin trupin e viktimës, e kështu kishin vendosur ta thërrisnin Mehmetin, me të cilin Afërdita mbante lidhje, dhe i kërkuan atij ndihmë për ta larguar trupin nga shtëpia. Trupin e viktimës, e lidhën dhe e mbështollën me çarçaf të bardhë dhe e hodhën në “Urën e Haxhisë” në Zajm të Klinës.

Gëzimi për Gazetën Express tregoi të gjithë ngjarjen. Pasi që rasti ka ndodhur para 8 vitesh, vlen të theksohet se babai i së ndjerës Xhafer Kurtaj kishte ndërruar jetë pas vdekjes së vajzës së tij Luljetës. Po ashtu, pas një kohe që Afërdita veç ishte duke vuajtur dënimin në burg, ajo u diagnostifikua me kancer dhe vdiq në burg. Tani, në vuajtje të dënimit gjendet vetëm motra tjetër, Adelina, shkruan Gazeta Express.

Afërdita Rexha ishte nënë e tre fëmijëve dhe ishte e martuar në Komoran të Drenasit.

Familja Kurtaj rrëfen se ende nuk e dinë saktë arsyen se pse familjaret e tyre e kishin vrarë Luljetën, por thanë se motrat Afërdita dhe Adelina kanë marrë dënimin e merituar.

“Zoti na sheh të gjithëve, na gjykon për ato që i bëjmë. Ne nuk e dimë arsyen pse ato e vranë motrën time dhe këtë vetëm Zoti e di”, tha vëllai i së ndjerës, Gëzimi.

Luljeta Kurtaj atëkohë punonte si gazetare në një radio lokale të Drenasit. Vëllai i saj i tha sot Express’it se atë ditë që ndodhi krimi, e prisnin që motra të kthehej nga puna. Kështu kaloi një javë dhe ajo nuk u kthye. Babai i së ndjerës Xhafer Kurtaj, tash i vdekur, kishte bërë çmos për ta gjetur Luljetën, e kështu lajmi për gjetjen e trupit të saj u shkoi atyre pas një jave.

Gëzim Kurtaj tregoi sot se trupin e motrës së tij e kishte gjetur një peshkatar në lumin Drini i Bardhë.

“Të nesërmen, policia na ka thirrur për të konfirmuar kufomën edhe e kemi parë që është Luljeta”, tregoi ai, duke shtuar se nuk kanë qenë fare në dijeni se kush e ka kryer këtë krim e as çfarë kishte ndodhur me motrën e tyre që u gjet e vdekur.

“Në ditën e tretë të pamës që e kemi hapur për motrën, na kanë kallxu që Afërdita edhe Adelina e kanë mbyt, po ma shumë s’kemi ditur”, rrëfeu ai për Express.

Por, si u kuptua që Afërdita dhe Adelina e kishin kryer këtë krim?

Policia e Kosovës atëkohë, pas marrjes së informacionit nga peshkatari që e kishte gjetur trupin e Luljetës në ujë, e ka gjetur një telefon në trupin e saj. Telefonatat e fundit që u kryen nga ai telefon ishin numrat e motrave Afërdita dhe Adelina.

Policia kishte arritur të zbulonte se nga një numër telefoni ishin dërguar disa mesazhe në telefonin e babait të Luljetës dhe tezes së saj në emër të Luljetës, e cila tashmë ishte e vdekur. Në këto mesazhe që dërgoheshin në emër të Luljetës thuhej se ishte rrëmbyer dhe ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore.

Mirëpo, motrat që e kryen krimin në polici e kishin pranuar se mesazhet i kanë shkruar vetë ato nga numri i Luljetës, pasi e kishin kryer krimin. Qëllimi i vetëm për këtë gjest, motrat thanë se e bënë që familja e Luljetës të heqin dorë nga kërkimi i vajzës së tyre.

Me pranimin e fajit ato kanë treguar se në ndihmë për ta larguar trupin e viktimës kishte qenë edhe Mehmet Krasniqi, personi me të cilin Afërdita kishte aferë jashtëmartesore.

Ajo kishte pranuar se bashkë me Mehmetin dhe me Adelinën e kanë transportuar trupin dhe e kishin hedhur në lumë. Policia Mehmetin e kishte arrestuar në fshatin Drenoc.

Atij i ishte bastisur shtëpia dhe objektet përcjellëse dhe në oborrin e shtëpisë ishte gjetur vetura, me të cilën dyshohet të jetë transportuar kufoma e Luljetës. Mehmet Krasniqi pas intervistimit nga ana e policisë kishte pranuar se kishte ndihmuar në zhdukjen e trupit.

Pas pranimit të kryerjes së krimit, Gjykata Themelore në Pejë i kishte dënuar dy motrat dhe ndihmësin e tyre me burg. Afërdita u dënua me 19 vjet burg, Adelina u dënua me 18 vjet burg dhe Mehmet Krasniqi me 6 vjet burg. Ky i fundit tashmë e ka vuajtur dënimin dhe tani gjendet në liri./GazetaExpress/

    Data: 13 Shkurt 2018 18:43
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera