Kthehu lart

Televizioni T7, nga nesër me skemë të re programore

Televizioni T7, nga nesër me skemë të re programore GazetaExpress

Televizioni T7, i cili ka hyrë vrullshëm në tregun medial të Kosovës, për vetëm tre muaj të ekzistimit, sipas sondazheve dhe matjeve nga platformat televizive, nga nesër vjen me një skemë të re programore. Vera, kampionati botëror i futbollit dhe lajmet e fundit, do të gërshetohen më së miri në këtë skemë.

Televizioni T7, i cili nisi punën në mars të këtij viti, nga nesër starton me programin veror, kurse gjatë javës së ardhshme zbulohet komplet skema e re programore. 

Vera, kampionati botëror i futbollit dhe lajmet e fundit, do të jenë të gërshetuara në këtë skemë të re.

“Promenadë Vere” do të jetë një show veror i Fidan Jupollit dhe Elita Rudit. Muzikë, argëtim, sport, politikë, showbiz dhe gjithçka tjetër që ju duhet gjatë ditëve të nxehta të verës do të jenë pjesë e këtij emisioni. “Promenadë Vere” vjen te ju nga e hëna deri të premten, nga ora 21:00 - 24:00. 

Nga ora 17:00 - 20:00, çdo ditë, Arsim Lani vjen me magazinën e tij informative, “Frontal Live”. Informacionet e fundit, të ftuarit kryesorë të ditës vijnë në një format plotësisht të ri, në tri orë program të drejtpërdrejtë. 

Express Morning me Kaltrina Mikushnicën” do të nisë nga ora 8:00-10:30 nga e hëna deri të premten. 

Në skemën e re programore risjellim për ju edhe 55 dokumentarët e emisionit “Zona Express”, për të cilët autori Leonard Kerquki ishte shpërblyer me Çmimin e parë të Bashkimit Evropian për Gazetari Hulumtuese.

Dokumentarët shfaqen nga ora 20:00, nga e hëna deri të premten. 

Në fundjavë, ndërkaq, do të vijnë te ju emisionet tashmë të etabluara të Televizionit T7. “Prizma”, “Pulla”, “AutoWomen”, “Human” vijnë në prime-time çdo të shtunë dhe të diel. 

E diela do të jetë e rezervuar edhe për serialin e mirënjohur “Kombinati”. 

Ndërkohë, sonte mbyllin sezonin e parë emisioni “Pressing” me Leonard Kerqukin, "Tête-à-Tête" me Berat Buzhalën dhe DPT te Fidani. Këto tri emisioni, rikthehen në shtator.

Mos e ndërroni kanalin!

    Data: 14 Qershor 2018 16:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera