Kthehu lart

Televizioni i Zvicrës raporton për "lidhjen zvicerane" të elitës politike në Kosovë

Televizioni i Zvicrës raporton për "lidhjen zvicerane" të elitës politike në Kosovë GazetaExpress

“Fantazmat e të kaluarës, raporti i pasqaruar me Serbinë dhe barrierat e larta të vizave: Tri pikëpamje kosovare mbi pavarësinë”, janë tri tërësitë tematike që merr në fokus emisioni "Rundschau"

Magazina politike zvicerane me shikueshmëri të lartë “Rundschau” që emetohet nga transmetuesi publik i Zvicrës SRF në edicionin e sontëm i kushtohet 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Me titullin “10 vjet pavarësi-Evropianët e rinj të Kosovës”, magazina i bën një “radiografi” realitetit kosovar në prag të jubileut 10 vjeçar të pavarësisë, shkruan albinfo.ch. “Fantazmat e të kaluarës, raporti i pasqaruar me Serbinë dhe barrierat e larta të vizave: Tri pikëpamje kosovare mbi pavarësinë”, janë në fakt tri tërësitë tematike që merr në fokus ky emision.

Rreth “fantazmave të së kaluarës”, emisioni interviston Xhavit Halitin, nënkryetarin aktual të Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së, të cilin e prezanton si sinonim të asaj që nga të jashtmit njihet me emërtimin pezhorativ “Swiss Connection” në Kosovë.

“Ai bën pjesë në mesin e të fuqishmëve në Kosovë, dhe është cak i kritikave: i korruptuar, i dyshuar për krime lufte dhe i vënë në lidhje me kriminalitetin e organizuar. Xhavit Haliti, nënkryetar i Parlamentit të Kosovës dhe eminenca gri, mbrapa presidentit Thaçi”. Ky është përshkrimi hyrës i bërë nga “Runschau” për Halitin. Ndërkohë që ai vetë thotë për emisionin: “Sikur ta kisha fuqinë (pushtetin) e plotë, Kosova do t`i kishte punët më mirë”.

Në emision më tutje prezantohet pikëpamja sipas të cilës shërbimet inteligjente të perëndimit dhe Dick Marty akuzojnë UÇK-në për “kidnapimin, sidomos të serbëve të Kosovës dhe bartje të tyre në Shqipërinë e veriut, ku u janë nxjerrë organet nga trupat dhe me to është bërë tregti”. Ajo për çfarë nuk ka dilema, vazhdon emisioni, është se pas luftës në Kosovë janë zhdukur pa gjurmë qindra persona.

Ndërsa Haliti shprehet në mënyrë të hollësishme për akuzat. Ai pranon gabimet e bëra. Fillimisht e ka marrë tepër pak seriozisht Dick Martin, thotë Haliti. “Kosova duhej ta mbështeste atë. Kështu, raporti i tij mbështetet mbi informacione të rreme nga shërbimi sekret serb i cili udhëheqjen e UÇK-së e paraqet si kanibaliste. Serbia udhëheq luftë sekrete (speciale) kundër Kosovës”, thotë ai.

Xhavit Haliti po ashtu mbështet Gjykatën Speciale të Hagës, të cilën Kosova, si rezultat i raportit të Marty-t, është detyruar ta pranojë. Ai vetë nuk ka dilemë, nëse do të akuzohet, do të paraqitet vullnetarisht në gjykatë. “Kam personalitet të pastër”, thotë ai.

“Xhavit Haliti me bashkëpunëtorët e tij e ka ngritur UÇK-në nga ekzili zviceran. Që nga mbarimi i luftës, ky “Swiss Connection” ka dominuar në përcaktimin e fateve të Kosovës”, thuhet në emision. Në këtë “Connection” numërohen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Azem Syla etj. të gjithë njerëz me pozitat më të larta në periudhën e pas luftës në Kosovë.

Ndërkohë, emisioni i jep fjalën edhe Shpëtim Hajdarajt, të birit të veprimtarit të LDK-së, të vrarë pas luftës, Smajl Hajdaraj. “Kriminelët nuk janë patriotë”, thotë ai. Ndërsa Xhavit Haliti kërkon që përfundimisht të bëhet zbardhja e këtij krimi. “Smajl Hajdaraj ka qenë një mik”, thotë ai.

Në bllokun e dytë emisioni merret me barrierën e vizave të cilës vazhdon t`i nësnhtrohet Kosova dhe si ilustrim për këtë merr një ekspert të IT, Armend Ukshinin, i cili punon për kompani të jashtme, kryesisht amerikane. Ai thotë se po të mos ishin vizat, mundësitë për të dhe të rinjtë tjerë do të ishin të pakufizuara dhe kreativiteti në biznes do të ishte më i madh. Për secilin udhëtim jashtë vendit, atij i duhet të qëndrojë në radhë para ndonjërës nga ambasadat perëndimore në Prishtinë.

Ndërsa Luljeta Aliu, e cila sipas përshkrimit të bllokut të tretë të emisionit “mund të kishte qenë diplomatja e parë zvicerane me gjuhë amtare shqipen”, në vitin 2008, të pavarësimit të Kosovës është kthyer për të jetuar në Kosovë, në vendin e prindërve të saj. Aliu ka mbarurar në Cyrih politologjinë dhe aktualisht punon për një disertacion të doktoratës. Paralelisht ajo është aktive në skenën politike të Prishtinës dhe lufton për një drejtësi më të madhe në të drejtën familjare.

Ajo e sheh në rrezik pavarësinë e Kosovës. Serbia ka edhe më tutje tepër shumë ndikim në Kosovë, veç tjerash falës asociacionit të komunave serbe që dirigjohet nga Beogradi. E Beogradi, nuk e njeh Kosovën e pavaru. Ndërsa presidenti serb Vucic, sipas Aliut, po luan një lojë të dyfishtë në mes të lindjes dhe perëndimit. Një lojë e rrezikkshme kjo, thotë Aliu. Rusia përpiqet që përmes Serbisë të mbajë ose madje edhe të rrisë më tutje, ndikimin e saj në Ballkan.

    Data: 14 Shkurt 2018 21:42
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera