Kthehu lart

Të shtëna me armë mes të miturve e dhunë në familje, Policia jep detaje

Të shtëna me armë mes të miturve e dhunë në familje, Policia jep detaje GazetaExpress

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, ka arrestuar 22 persona për vepra të ndryshme penale, si: të shtëna me armë, armëmbajtje pa leje, dhunë në familje.

Vetëm në Prishtinë, Policia ka arrestuar tre të dyshuar të moshës së mitur, të cilët pas një mosmarrëveshjeje me tre persona viktima të mitur, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me pistoletë në drejtim të viktimave, por pa ndonjë pasojë. Në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një pistoletë dhe një gëzhojë. Me vendim të prokurorit tre të dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

Një kanosje me armë zjarri pati edhe në rrugën Llapi të Prishtinës, ku një person ka pranuar trajtim mjekësor pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshjeje është kanosur me armë zjarri si dhe është sulmuar fizikisht nga i dyshuari. Me vendimin e prokurorit është bastisur depoja e lokalit të personit të dyshuar, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar tre fishekë kalibra të ndryshëm.

Për armëmbajtje pa leje u arrestua edhe një person në fshatin Ropotovë e Madhe të Gjilanit. I dyshuari është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër, ndërkohë arma me 16 fishekë është konfiskuar.

Për dhunë në familje, policia ka arrestuar edhe 2 persona në Prizren. Njëri nga të dyshuarit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime trupore e tjetri ka sulmuar motrën e tij.

Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit bën të ditur se në Komoran është raportuar një vdekje e dyshimtë. Një person ka raportuar se një femër është gjetur pa shenja jetë.

Njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion.

Në një prononcim për Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës tha se Policia për të gjitha rastet ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Njësitet policore po punojnë në vazhdimësi në menaxhimin e situatës së sigurisë në gjithë vendin, mbajtjen e rendit publik, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, si dhe parandalimin dhe luftimin e veprave penale në përgjithësi. Janë raportuar incidente të llojeve të ndryshme dhe aksidente në trafik gjatë 24 orëve të kaluara të cilat raste janë menaxhuar nga Policia si dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas procedurave ligjore”, tha Hoxha.

Për të gjithë ata të cilët nuk kanë respektuar rregullat në komunikacion, Policia ka shqiptuar gjithsej 656 tiketa trafiku. /Express/

    Data: 14 Shkurt 2018 09:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera