Kthehu lart

Të gjitha detajet për sulmin kundër Vehbi Kajtazit

Të gjitha detajet për sulmin kundër Vehbi Kajtazit GazetaExpress

​Gazetari dhe kryeredaktori i "Insajderit", Vehbi Kajtazi, është sulmuar fizikisht në qendër të Prishtinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në një nga lokalet në kryeqytet. Policia menjëherë pas sulmit ka arrestuar Faton Ramadanin, si të dyshuar për sulmin nga i cili u përgjak në fytyrë gazetari i njohur hulumtues.

Vehbi Kajtazi ishte duke u larguar nga një kafene në kryeqytet në momentin kur një person u afrua te gazetari dhe e goditi në kokë, duke e përgjakur në zonën e ballit kryeredaktorin e gazetës online "Insajderi". Kështu e ka rrëfyer për Gazetën Express, sulmin ndaj Kajtazit, pak minuta pasi ndodhi ngjarja

Policia e Kosovës rreth 10 minuta më pas ka arritur në vendin e ngjarjes, ku ka arrestuar Faton Ramadanin, i cili sipas dyshimeve të para ndodhej në tavolinë me sulmuesin e Kajtazit, i cili është larguar me vrap, menjëherë pas sulmit. 
Faton Ramandani është pjesëtar i familjes së njohur Kiçina.  

Kajtazi sapo ishte sulmuar është parë të futet brenda lokalit në tarracën e të cilit u grushtua, ndërsa më pas është parë në gjendje të mirë. Pak minuta pas ai është intervistuar nga Policia.

Megjithatë, atij i janë vërejtur shenja në fytyrë, të mbetura pas përgjakjes, raporton Gazeta Express nga vendi i ngjarjes. Pak minuta më vonë, me të arritur ambulanca Kajtazi është futur brenda saj për të marrë trajtim mjekësor për lëndimet, duke u larguar nga vendi ku u sulmua

Derisa, Policia ka vazhduar intervistimin edhe të personave tjerë që shoqëroheshin me të arrestuarin Ramadani, dhe sulmuesin i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes pasi ka kryer sulmin fizik ndaj gazetarit hulumtues.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të gazetës "Insajderi", Parim Olluri, i cili në një deklaratë për Gazetën Express ka thënë se sulmi fizik ndaj Kajtazit lidhet me shkrimet që mediumi që ata drejtojnë ka pzblikuar për deputetin e Nismës, Milaim Zeka

“Sulmi është i lidhur me shkrimet ndaj Milaim Zekës”, ka thënë Olluri, për Gazetën Express.

Alibia e Ollurit mbështetet në atë se Policia ka ndalur Faton Ramadanin pas ngjarjes, si një prej shoqëruesve të sulmuesit të Kajtazit, i cili ende nuk është kapur nga Policia.

Ramadani është mik i ngushtë i deputetit të Nismës për Kosovën, që deri pak para zgjedhjeve të fundit ishte edhe vetë gazetar, Milaim Zeka. 

Për këtë të fundit, gjatë këtyre ditëve Kajtazi ka publikuar një seri shkrimesh të cilat nxjerrin në pah dëshmi sesi deputeti Zeka po hetohet nga organet e drejtësisë për mashtrim me viza pune në Gjermani. /GazetaExpress/

    Data: 13 Tetor 2017 15:31
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera