Kthehu lart

Sulmuesi në Paris kishte qenë 15 vjet i burgosur për tentim vrasjeje të policëve

Sulmuesi në Paris kishte qenë 15 vjet i burgosur për tentim vrasjeje të policëve GazetaExpress

Policia franceze ka kontrolluar një shtëpi, që besohet të jetë pronë e të dyshuarit për sulmin terrorist, ku mbeti i vdekur një polic dhe dy të tjerë të lënduar rëndë. E gjithë ngjarja ndodhi vetëm dy ditë para zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Sulmuesi 39-vjeçar, tanimë i identifikuar me emrin Karim Cheurfi, ishte i njohur për shërbimin sekret të Francës edhe më parë. Mediat raportojnë se ai ka qëndruar në burg për 15 vjet, pasi ishte pjesëmarrës në tri tentime vrasjeje – dy prej të cilave ndaj zyrtarëve të Policisë, në vitin 2001.

Në natën e mbrëmshme, në qendër të Parisit, ky sulmues doli nga vetura dhe qëlloi drejt një furgoni policor, duke vrarë njërin nga policët.

Më pas, ai u qëllua për vdekje kur po tentonte të ikte në këmbë. Sipas deklaratës së agjencisë propagandistike të "Shtetit Islamik", ky sulm ishte produkt i kësaj organizate, ndërsa sulmuesi pjesëtar i ISIS-it.

Burimet nga Policia franceze kanë bërë të ditur se Cheurfi ka qenë i arrestuar në muajin shkurt, nën dyshimet se kishte planifikuar sulm ndaj zyrtarëve policorë, por ishte liruar për shkak të mungesës së fakteve.

Megjithëkëtë, ai nuk ishte pjesë e ‘Listës së zezë’ të Francës, të cilët shihen si rrezik i sigurisë kombëtare në shtetin francez.

Ndryshe, Franca gjatë dy viteve të fundit, ka qenë cak i sulmeve terroriste me 230 njerëz të vrarë në to.

Autoritetet franceze janë shprehur të shqetësuara se sulme të tilla mund të ketë edhe në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, ka deklaruar se Qeveria ka marrë masat e duhura të sigurisë në zgjedhje, ndërsa pas sulmit ka qenë plotësisht e mobilizuar.

Për sulmin e së enjtes mbrëma kanë pasur reagime të menjëhershme edhe kandidatët presidencialë. Liderja e ekstremit të djathë Marine Le Pen, ka vazhduar gjuhën e saj të ashpër për rikthimin e kontrollit të kufijve francezë dhe të të huajve që hyjnë nga Bashkimi Evropian.

Sipas Le Pen, këto sulme janë një luftë e vazhdueshme dhe e pamëshirshme kundër Francës.

Ndërsa, kandidati liberal, Emannuel Macron, sulmet i ka quajtur përpjekje për të krijuar shqetësime dhe për të penguar procesin demokratik të zgjedhjeve. Se sa do të ndikojnë vërtet në procesin zgjedhor, Macron ka thënë se këtë nuk e di askush.

Deri më tani, sondazhet në Francë kanë treguar se favoritë për të vazhduar në rrethin e dytë të zgjedhjeve, që mbahen më 7 maj, janë pikërisht Le Pen e Macron, edhe pse dy kandidatët tjerë, Fillon dhe Jean-Luc Mélenchon nuk janë shumë larg tyre.  /Express/

 

 

    Data: 21 Prill 2017 14:03
    Autori: GazetaExpress
    • Merkel IV: Kancelarja e përjetshme

      Merkel IV: Kancelarja e përjetshme 0

    Të tjera