Kthehu lart

Shoqata e Pacientëve reagon ashpër ndaj Qeverisë për ndarjen e 30 mijë eurove Bujar Bukoshit

Shoqata e Pacientëve reagon ashpër ndaj Qeverisë për ndarjen e 30 mijë eurove Bujar Bukoshit GazetaExpress

Kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, ka reaguar ndaj financimit të Qeverisë për shërimin jashtë vendit të Bujar Bukoshit me 30 mijë euro. Kodra ka thënë se kryeministri nuk do të duhej të diskriminonte pacientët me subvencionimin për shërim.

“Është gjë e mirë kur Kryeministri përkujdeset për shëndetin e qytetarëve të tij, por kjo duhet të ketë një standard dhe të bëhet për të gjithë njësoj, pa diskriminim, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë!”.

“Subvencionimi i pacientëve të caktuar nga Qeveria e Kosovës për trajtim jashtë vendit, është diskriminim i skajshëm ndaj pacientëve të tjerë, të cilët mund edhe të vdesin nga pamundësia për të patur ndikim tek Kryeministri!”, ka shkruar Kodra.

Kodra ka reaguar ashpër tutje duke thënë se njeriu i fundit që do të duhej të financohej, është Bukoshi.

“Ky njeri është i fundit që është dashur të ketë këtë privilegj, pasi që një pjesë të madhe të përgjegjësisë për degradimin e shëndetësisë e bartë edhe vetë si ish-ministër i shëndetësisë!”, ka deklaruar Kodra.

Ai ka bërë thirrje që praktikat e tilla të ndërpriten, sepse janë kundërligjore, johumane dhe diskriminuese.

“Megjithatë, ky rast e ka vetëm një të mirë, atë që ua bënë me dije të gjithë politikanëve se një ditë do të jeni pacientë dhe do të keni nevojë për këtë shëndetësi!”, ka përfunduar ai. 

    Data: 07 Dhjetor 2017 12:10
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera