Kthehu lart

Rusia e lumtur që asnjë çështje e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa "aminin" e Serbisë

Rusia e lumtur që asnjë çështje e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa "aminin" e Serbisë GazetaExpress

Partia politike e kryetarit rus, Vladimir Putin, Rusia Unike, e ka përkrahur sot Listën Serbe dhe përpjekjet e saj që duke vepruar në institucione të Kosovës të luftojë për të drejtat dhe përmirësimin e pozitës së popullit serb në Kosovë, thuhet në kumtesën e Listës, të cilën e përcjellin mediet serbe.

Në takimin e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, me delegacionin e Rusisë Unike në Moskë, të cilin e ka udhëhequr zëvendëssekretari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie Sergej Zheleznjak, pala ruse ka theksuar se uniteti i arritur politik serb duhet të konfirmohet edhe në zgjedhjet lokale.

"Rusia respekton politikën e Serbisë në Kosovë. Më vjen mirë që Lista Serbe ka përforcuar pozicionet e veta dhe që të gjitha çështjet e Kosovës do të zgjidhen me mendimin e popullit serb. Kjo është mundësi e madhe për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë. Për këtë arsye edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, Rusia Unike ofron përkrahje të plotë për Listën Serbe që këtë luftë ta vazhdojë me kapacitetin e plotë”, citon RTV të ketë thënë Zheleznjak, transmeton Koha.net.

Gjuriq në takim ka theksuar se për herë të parë nga viti 1999, Qeveria e Kosovës varet nga votat e serbëve dhe sipas tij, ky është shans për përmirësimin e pozitës së serbëve dhe mbetjen e tyre në Kosovë.

Rakiq ka falënderuar kolegët rusë për përkrahjen e palëkundur duke theksuar se lidhjet e forta me Federatën e Rusisë janë inkurajim dhe nxitje e madhe për popullin serb dhe e ka ftuar Zheleznjaktu t’i vizojë serbët në Kosovë.
"Ky takim është dëshmi e lidhjeve të pashkëputshme të popullit serb e rus. Jemi shumë falënderues për përkrahjen e Listës Serbe dhe popullit serb në Kosovë. Do ta zhvillojmë bashkëpunimin ndërpartiak rajonal në të ardhmen”, ka thënë Rakiq.

    Data: 14 Shtator 2017 13:57
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera