Kthehu lart

Policia e Kosovës s’jep informacione për kosovarin që u plagos nga një grup mafioz në Ekuador

Policia e Kosovës s’jep informacione për kosovarin që u plagos nga një grup mafioz në Ekuador Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

U qëllua mbi të me katër plumba në qytetin ekuadorian, Guajakil. Remzi Azemi, kosovari që dyshohet se u sulmua nga një grup mafioz për shkak të pazareve të kokainës, ishte me gruan dhe vajzën e tij 3-vjeçare në veturë derisa ndaj tij u krye sulmi me armë. Makina me të cilën udhëtonte familja Azemi megjithatë ishte e blinduar. Për këtë person, Policia e Kosovës refuzon të japë informacione.

Në mëngjesin e së martës së kaluar ndaj kosovarit Remzi Azemi u bë një atentat mafioz në Ekuador. Sulmi, dyshohet se ndodhi për shkak të pazareve të kokainës në këtë shtet.

Rreth orës 5.30 të mëngjesit, dy persona dyshohet se ndoqën me motor një makinë të tipit “Ford Explorer”, pronë e Remzi Azemit. Sulmuesit kryen sulmin me armë përmes dritares së makinës. Plagët që mori Azemi ishin në qafë, një në këmbë, një në klavikulë dhe një në krah. Kështu ka treguar Policia Kombëtare e Ekuadorit.

Në një përgjigje të Policisë së Kosovës për Gazetën Express thuhet se nuk mund të jepen detaje për Remzi Azemin, bazuar në ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave personale të një personi, derisa ai person është apo mund të jetë pjesë e ndonjë procedure penale.

Drejtoria e përgjithshme e PK’së ka thënë se po punojnë sipas detyrës zyrtare në verifikimin e informacioneve të tilla.

“Policia e Kosovës në të gjitha rastet duke përfshirë edhe këto raste punon sipas detyrës zyrtare në verifikimin e informacioneve të tilla. Në këto raste bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e të dhënave personale nuk mund të jepen informacione për të kaluarën e një personi derisa ai/ajo është, apo mund të jetë pjesë e ndonjë procedure penale”, shkruan në përgjigjen e PK’së për Express.

Autorët e krimit, sipas mediave në Ekuador, për kryerjen e sulmit kanë përdorur një motoçikletë, nga e cila kanë shtënë me armë në dritaren e veturës së Azemit, e cila ishte e blinduar.

Në veturë, bashkë me Remzi Azemin ishin vajza e tij 3-vjeçare dhe bashkëshortja e tij, por asnjëra nuk është lënduar nga ky sulm.

Shefi i Qarkut të Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Romel Navarrete, ka thënë se shtetasi kosovar është jashtë rrezikut për jetë dhe është dërguar në shtëpi pas trajtimit mjekësor.

"Ne nuk mund të supozojmë, nuk e dimë a ishte përpjekje për vrasje apo veç plaçkitje. Janë duke u zhvilluar hetime lidhur me këtë çështje”, ka thënë Navarrete për mediat ekuadoriane.

Ky është rasti i dytë që shqiptarë në Ekuador bien pre e sulmeve brenda një harku të shkurtër kohor. Në muajin maj të këtij viti në të njëjtin qytet, mbeti i vrarë Ilir Hidri, që gjithashtu dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e drogës./GazetaExpress/


    Data: 17 Nentor 2017 17:30
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera