Kthehu lart

PDK e Prishtinës - Shpend Ahmetit: I dështuar, humbe mbi 100 milionë euro të prishtinasve

PDK e Prishtinës - Shpend Ahmetit: I dështuar, humbe mbi 100 milionë euro të prishtinasve GazetaExpress E diel, 13 Gusht 2017 12:33

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, sot ka prezantuar humbjet e dhjetëra miliona eurove të qeverisjes së Shpend Ahmetit, për shkak të paaftësisë së tij, keqmenaxhimit dhe keqplanifikimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Muhamet Selmani, ka thënë se nëse analizohet buxheti i Komunës së Prishtinës, që ishte planifikuar në këto katër vjet, shohim se Shpend Ahmeti gjatë tërë kohës i ka shërbyer vetëm partisë së tij dhe jo qytetarëve të Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës, për këto 4 vjet ka pasur në dispozicion një buxhet për 305.52 milionë euro, ndërsa ka arritur të realizojë vetëm 204.47 milionë euro, duke bërë kështu që kryeqyteti të mbetet pa 101 milionë investime kapitale dhe shërbime të tjera. Nëse një kryetar komune dështon t’i realizojë 101 milionë euro investime që vetë i ka planifikuar, atëherë ky nuk ka sesi të quhet ndryshe përveçse një kryetar i dështuar, ku dembelisë së tij ia kanë parë sherrin gjithë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ai.

Një qytetar i këtij vendi, sipas Selmanit, kurrë nuk do të lejonte që kryeqytetit tonë që ka nevojë për miliarda euro investime, t’i humbnin mbi 100 milionë euro. Aq më keq, sipas tij, që me miliona euro të buxhetit i kanë paguar bandat e tyre për ta shkatërruar dhe djegur Prishtinën.

“Se ata që menaxhojnë me Shpend Ahmetin dhe qeverisjen në Prishtinë janë më të vërtetë të padijshëm dhe nuk ju ka interesuar fare qyteti dhe qytetarët, tregon edhe fakti tjetër që ata e kanë marrë qeverisjen e qytetit me një buxhet prej 80.78 milionë euro, kurse po e mbyllin me një buxhet prej 70.77 milionë euro”, ka thënë Selmani.

Edhe nëse analizohen të hyrat vetanake të Komunës së Prishtinës, që kanë qenë të planifikuara në këto 4 vjet, Selmani ka thënë se shohim humbje milionëshe si pasojë e paaftësisë, menaxhimit dhe planifikimit të keq.

“Vetëm nga të hyrat vetanake, humbjet e shkaktuara nga keqqeverisja e Vetëvendosjes, kapin shumën prej 30.88 milionë euro për tre vjet e gjysmë. Ne shpresojmë që kjo humbje të zbutet në këta muaj të mbetur, mirëpo ajo që është e pakthyeshme, si rezultat i qeverisjes së bandave të Vetëvendosjes, është se Prishtina vetëm në tre vjetët e kaluar ka humbur rreth 20 milionë euro, plus me humbjet e këtij viti ato po kapin shumën mbi 30 milionë”, ka thënë ai.

Asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Muhamet Selmani, ka thënë se për katër vjet qeverisje, Shpend Ahmeti planifikoi edhe 141.79 milionë euro investime të ndryshme në projekte kapitale, që nuk i realizojë kurrë, sepse ato ishin plane e projekte të tij vetëm sa për t’i mashtruar qytetarët.

“Nga këto plane, ai realizoi vetëm 66.50 milionë euro investime, ndërsa i la pa i investuar gjithsej 75.28 milionë euro të këtyre projekteve. Pra, më shumë i la pa investuar, se që i investojë në projektet e planifikuara kapitale. Këto dështime, nuk duan komente më shumë, sepse po flasin vetë shifrat e tyre”, ka thënë ai.

Mjetet e këtyre projekteve të parealizuara, sipas Selmanit, kanë shkuar në financimin e bandave të Vetëvendosjes dhe financimin e aktiviteteve të tyre kriminale.

“Po i përmendi vetëm disa prej projekteve kapitale, që këta i kanë filluar në vitin 2014 dhe për çdo vjet kanë ndarë mjete buxhetore, por që edhe pas 4 vjetëve ende asnjërin nuk e kanë përfunduar. Për shembull, shkolla në Arbëri, shkolla në Kalabri, shkolla e muzikës “Prenk Jakova”, shkolla në Veternik, shkolla Mati-1, Qendra për Persona me Aftësi të Kufizuara, pishina gjysmë olimpike e qytetit, platoja mbi kurriz, rruga “Enver Maloku”, si dhe shumë projekte të tjera”, ka thënë ai.

Selmani është marrë edhe me parkun afër palestrës “1 Tetori” dhe çerdhet, me të cilat mburret qeverisja e Shpend Ahmetit.

Ai ka thënë se parku afër palestrës “1 Tetori” nuk është financim i komunës, por financim i Helwetasit zviceran, kurse për çerdhe, komuna kishte planifikuar 1 milion euro në këto katër vjet, ndërsa i ka investuar vetëm 392 mijë euro.

Asamblisti i PDK-së ka prezantuar edhe një analizë të shpenzimeve të rritura të luksit, të cilat, gjatë tërë fushatës elektorale, duke iu referuar qeverisjes paraprake, Ahmeti i kishte kritikuar dhe ishte zotuar se do i minimizonte.

“Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu dhe të tjerët, në buxhetin e çdo viti mashtruan qytetarët, duke prezantuar shifra të ulëta për këto shpenzime luksi, ndërsa në realitet shpenzimet ishin çdoherë mbi 100% të planifikimeve”, ka thënë ai.

“Vetëm për gjashtë muaj në vitin 2017, te shpenzimet e veçanta kontraktuese, shohim se mbi 1 milion euro të taksave të prishtinasve kanë shkuar në kontratat e tyre politike, e cila mjafton si fakt për prokurorinë që t’i niste menjëherë hetimet për shpërdorimin e parasë publike”, ka thënë ai.

Në fund, Selmani ka thënë se e dinë që Shpend Ahmeti dhe askush prej Vetëvendosjes nuk guxon të dalë në debate publike për t’u ballafaquar rreth keqpërdorimeve të tyre, por meqë qytetarët e Prishtinës janë manipuluar në vazhdimësi prej qeverisjes së tyre, ata nuk do të ndalen deri sa këtë bandë kriminale ta çrrënjosin prej administratës së Prishtinës.


    Temat:
    Data: 13 Gusht 2017 12:33
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera