Kthehu lart

Para Thaçit, Gjykatën Speciale e kritikuan ashpër edhe Haradinaj e Limaj

Para Thaçit, Gjykatën Speciale e kritikuan ashpër edhe Haradinaj e Limaj GazetaExpress

Gjykata Speciale, me mandat për hetimin dhe gjykimin e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, në periudhën kohore nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000, prej kohësh pritet të procedojë me arrestimet dhe gjykimet e para.

Fillimi i punës së kësaj gjykate, e njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave me Kushtetutën e Kosovës, pёr gjykimin e pretendimeve të paraqitura nё raportin e Kёshillit tё Evropёs tё vitit 2011, pёr shkelje tё rёnda tё sё drejtёs ndёrkombёtare.

Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovёs miratoi Nenin 162 tё Kushtetutёs sё Kosovёs dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar, pas njё Shkёmbimi Letrash midis Presidentes sё Kosovёs dhe Pёrfaqёsueses sё Lartё tё Bashkimit Evropian pёr Politikё tё Jashtme dhe tё Sigurisё nё vitin 2014.

Sot në Prishtinë, nga disa organizata joqeveritare në vend, është bërë prezantimi i një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale.

Në një konferencë, ku u prezantua raporti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se raporti i senatorit zviceran, Dick Marty, që ngriti për herë të parë pretendimet për gjoja krime lufte nga ish-pjesëtarë të UÇK’së, ka qenë i motivuar politikisht dhe jo aksidental.

Ai madje ka thënë se ky raport u botua një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010 në Kosovë, dhe, sipas tij, votimi në Këshillin e Evropës i këtij raporti ndodhi në kohën kur po zhvilloheshin negociatat për formimin e qeverisë së re.

Thaçi, gjatë një fjalimi, madje ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke thënë se kjo e fundit ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë, ndërsa bashkëpunimi i saj me Kosovën është minimal, përkatësisht nuk ka bashkëpunim fare.

Ai madje u ka bërë me dije të pranishmëve në konferencën e organizuar se rreth 50 për qind e kosovarëve janë të gatshëm të protestojnë kundër Gjykatës Speciale, pasi që kjo do të merret vetëm me krimet e supozuara të UÇK’së.

Megjithëkëtë, presidenti Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është një avantazh për Kosovën.

“Shpesh thuhet se mbi Kosovën qëndron një re e zezë të cilën duhet ta largojmë. Të jemi të qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia, dhe askush më mirë se kosovarët nuk mund ta largojnë atë re të zezë. Pra, Gjykata Speciale është një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë, e ritheksoj ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ai.

E, si asnjëherë më parë, Thaçi ka goditur shtetet mike të Kosovës, të cilat kanë kërkuar krijimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se si këmbim ato kishin premtuar një sërë përfitimesh për Kosovën.

Por, Thaçi ka thënë se asnjë nga këto premtime, si: anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, liberalizimi i vizave dhe premtime tjera nuk janë përmbushur.

Kundërshtar i Gjykatës Speciale është edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Shefi i ekzekutivit, vetë i gjykuar dy herë për gjoja krime lufte nga Gjykata e Hagës, për t’u shpallur dy herë i pafajshëm, ka qenë shumë i zëshëm kundër Speciales, sa ishte në opozitë.

Lajm të keq për Kosovën e cilësonte vite më parë Haradinaj themelimin e Speciales.

“Mos të harrojmë, kjo gjykatë ka edhe disa dimensione tjera. Kosova është një vend që duhet të jetë pjesë e organizmave të ndryshme ndërkombëtare. Një gjykatë e tillë vetëm për Kosovën që s’ka ndodhur as për Kroacinë e as për Bosnjën është një lajm i keq. Vetë emri Gjykatë për kosovëën është problem për imazhin e Kosovës”, deklaronte udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më 2014.

Madje, Haradinaj fajësonte tani partnerin e tij në qeverisje, PDK’në, dhe udhëheqësin e atëhershëm të saj, Hashim Thaçi, për themelimin e Speciales. Sipas tij, Specialja është dhuratë që PDK i ka bërë Kosovës.

Kundër Speciales, Haradinaj është deklaruar edhe sa ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet e qershorit të sivjetmë. Ai ka thënë se krijimi i kësaj gjykate është vendim i padrejtë për Kosovën.

“Ajo është një vendim i padrejtë për Kosovës nuk e di pse ka ardhë deri këtu bëhet diskriminim i viktimave”, ka thënë Haradinaj.

Kundërshtar i Speciales është edhe zëvendëskryeministri i vendit, Fatmir Limaj. Edhe Limaj disa herë është deklaruar kundër kësaj gjykate.

Udhëheqësi i Nismës për Kosovën, që bën pjesë në koalicionin qeverisës të vendit, bashkë me PDK’në dhe AAK’në, deklaronte më 2015, si opozitar, se Specialja prek sovranitetin e Kosovës.

Madje, Limaj parashikonte edhe se Gjykata Speciale do ta kthejë Kosovën në protektorat.

Limaj - ish-komandant i UÇK’së, po ashtu i akuzuar për krime lufte dhe më i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës - po ashtu ka parashikuar se kjo gjykatë do të merret me Kosovën të paktën 20 vjet.

Kjo, sipas Limajt, do ta shndërrojë Kosovën në “Republikë Banane”, një term që përdoret për shtetet jostabile.

Edhe në janarin e këtij viti, Limaj kontestonte legjitimitetin e Speciales, duke deklaruar se kjo gjykatë u themelua me akuzat e Serbisë.

“Gjykata Speciale është iniciuar mbi bazën e dosjeve të Serbisë”, ka thënë ai. /Express/

    Data: 09 Tetor 2017 20:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera