Kthehu lart

Oksigjeni, shkaku i vdekjeve në QKU?

Oksigjeni, shkaku i vdekjeve në QKU? GazetaExpress

Këtë të hënë u raportua se të enjten e kaluar në QKUK kanë ndodhur katër vdekje gjatë operacioneve, dhe u dyshua se ato nuk ishin të natyrshme, por shkaku i problemeve gjatë trajtimit mjekësor.

Për këto vdekje tani është ngritur një ekip hetimor brenda QKUK-së, e ato po hetohen edhe nga Prokuroria dhe Policia.

Gazeta Metro, nga burime brenda QKUK-së, ka mësuar se hetimi i rastit ka rezultuar se dy nga katër vdekjet e ndodhura atë ditë dyshohet se kanë ndodhur shkaku i problemeve me oksigjenin që u është dhënë pacientëve që i ishin nënshtruar operacionit.

Siç ka mësuar Gazeta Metro, nga raporti që ka bërë ekipi hetimor, rezulton se atë ditë janë operuar 17 raste, prej të cilave tetë sosh janë përballuar me problem të ngjashëm, i cili ka pasur të bëjë me oksigjenin. Të tetë këto raste ka rezultuar se kanë marrë oksigjen nga i njëjti sistem, ndërsa rastet tjera te të cilat nuk është paraqitur ky problem, nga një sistem tjetër i oksigjenit.

Nga këto tetë raste, sipas raportit hetimor, dy persona të moshuar kanë vdekur, pasi nuk kanë arritur të marrin veten. Ndërsa, gjashtë rastet tjera, që gjithashtu kanë pasur probleme me frymëmarrje, është arritur të rikthehen në gjendje normale.

Kjo ka ngritur dyshimin se vdekja e këtyre dy viktimave nuk ka qenë e natyrshme, por mund të ketë ndodhur shkaku i problemeve me oksigjenin që atyre u është dhënë gjatë operimit.

Ky dyshim, ka bërë, që ekipi hetimor të urdhërojë që viktimave dhe të gjashtë personave tjerë që kanë pasur të njëjtin problem, t’u merren mostrat e gjakut, për analizë. Gjithashtu, është izoluar dhe plumbuar oksigjeni që u është dhënë pacientëve që kanë pasur këtë problem, dhe i njëjti pritet të dërgohet në ndonjë laborator jashtë vendit, për t'ia bërë analizat. Si vende të mundshme, për këto analiza po shqyrtohen Shqipëria ose Mali i Zi, pasi Kosova nuk posedon një laborator të tillë, ka bërë të ditur ky burim për Gazetametro.net.

Për rastin, Gazeta Metro ka kontaktuar edhe zyrën për informim të QKUK-së, por zëdhënësi Shpend Fazliu ka thënë se në këtë fazë nuk mund të japin më shumë informacione sesa nga ajo që është thënë në komunikatën për media. Ai ka thënë se me rastin, tani janë duke u marrë edhe organet e hetuesisë, dhe rasti tani ka kaluar në një nivel tjetër hetimi, që nuk i takon QKUK-së.

Ndërsa, në njoftimin e QKUK-së, thuhet se pas diskutimeve edhe konsultimeve me ekipet dhe personat relevantë, u vendos që përmes komisioneve të formuar nga QKUK-ja lidhur me këtë çështje, të bëhen hulumtimet e detajuara të bazuara në raporte profesionale përkatëse.

Edhe Prokuroria që ka konfirmuar se është duke e hetuar rastin e 3 vdekjeve të dyshimta në QKUK, nuk ka pranuar të japë detaje shtesë, duke kërkuar nga mediet që t’i lënë hapësirë punës hetimore.

Me rastin po merret edhe ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili sot ka bërë të ditur se ka kërkuar hetime të detajuara dhe profesionale për rastin e vdekjeve në QKUK, që ndodhen të enjten, disa ditë para se ai të merrte detyrën.

Ministri Ismaili ka bërë të ditur se për këtë rast ka ndërmarrë veprimet konkrete, duke përfshirë urdhërimin e të gjitha inspektorateve të MSH-së të shkojnë në QKUK për të filluar hetimet e pavarura dhe të detajuara.

Si rezultat i kësaj bëhet e ditur se ekipet kanë izoluar të gjitha pajisjet dhe janë plumbuar të gjitha mostrat. Gjithashtu, është rekomanduar që analiza këtyre mostrave t’u bëhet jashtë vendit.

    Data: 13 Shtator 2017 15:10
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera