Kthehu lart

Në Serbi zhduket gazetari që hulumtonte vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Në Serbi zhduket gazetari që hulumtonte vrasjen e Oliver Ivanoviqit GazetaExpress

Deputeti nga Vojvodina, Nenad Çanak, sot në Twitter ka shkruar se mbrëmë në Bella Cerkë, është zhdukur gazetari Stefan Cvetkoviq. Çanak, siç njofton B92, ka sqaruar se është gjetur automobili i tij me motorin e ndezur, me dyer të hapura dhe ora e dorës pa rrip afër veturës.

“Të gjithë telefonat i ka pasur të shkyçur”, ka shkruar Çanaku.

Cvektoviq gjatë majit, thotë B92, kishte mbajtur një konferencë shtypi në të cilën kishte thënë se ai ishte mbajtur gjashtë orë në pikën kufitare në Jarinë dhe se pas kësaj nga Policia e Kosovës kishte marrë dokumentin me të cilin konfirmohej se ai ishte me urdhër të prokurorit special që udhëheq hetimet për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviqit, ishte mbajtur në stacionin e policisë afër kufirit dhe atje ishte marrë në pyetje.

Cvetkoviq atëbotë kishte thënë se në Kosovë kishte shkuar me detyrë gazetarie, pasi siç kishte thënë, po punonte në hulumtimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Zhdukjen e gazetarit e ka konfirmuar edhe Policia e Serbisë në Bella Cerkë, e cila ka shtuar se po bëhen hetime për gjetjen e tij.

    Data: 14 Qershor 2018 11:11
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera