Kthehu lart

Mungojnë dy të akuzuar për mashtrim dhe korrupsion, njëri punonte në Komunën e Prishtinës

Mungojnë dy të akuzuar për mashtrim dhe korrupsion, njëri punonte në Komunën e Prishtinës Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

Mungesa e Bahtijar Sallahut dhe Nazmi Lutës ka bërë që të shtyhet seanca e së premtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Gjyqtari Arben Hoti, ka lëshuar urdhër për seancën e radhës për këta të akuzuar që nuk ishin prezentë, të sillen me polici në Gjykatë. Prokuroria e Shtetit ka lëshuar aktakuzë kundër gjashtë personave, dy prej tyre akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, derisa ishin duke punuar në Komunën e Prishtinës në vitin 2014.

Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Aktakuza thotë se Selman Krasniqi dhe Bahtijar Sallahu, derisa ishin duke punuar në Komunën e Prishtinës në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile, të dy kanë keqpërdorur detyrat dhe autoritetin zyrtar me qëllim përfitimi për të pandehurin Tefik Vitija. Edhe ky i fundit është i përfshirë në aktakuzë për shkak të bashkëpunimit me Krasniqin e Sallahun.

Prezent ishte edhe dëshmitari, Fehmi Gashi, mirëpo për shkak të mungesës së dy të akuzuarve, gjyqtari shtyu seancën për 27 nëntor të këtij viti, raporton Gazeta Express.

Aktakuza thotë se këto dokumente janë plotësuar më pas sipas nevojave të klientëve, dhe të njëjtat janë përdorur si origjinalë. Të pandehurit tjerë, Ersin Bushra, Nazmi Luta dhe Ramadan Rukovci akuzohen nga Prokuroria e Shtetit se kanë shërbyer si ndërmjetësues për gjendjen e klientëve për të pandehurin Tefik Vitija. Ky i fundit gjithashtu akuzohet për “mashtrim”.

E në këtë mënyrë, të njëjtit në bashkëkryerje, kanë kryer vepër penale për të cilën ngarkohen nga Prokuroria e Shtetit “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Selman Krasniqi akuzohet për “falsifikim të dokumenteve” dhe Ersin Bushra për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".

    Data: 13 Tetor 2017 15:32
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera