Kthehu lart

Mund të jemi duke jetuar në një multivers të mbushur me alienë, tregon studimi i ri

Mund të jemi duke jetuar në një multivers të mbushur me alienë, tregon studimi i ri GazetaExpress

Mund të ketë plot alienë – që jetojnë në universe tjera, sipas një studimi të ri.

Nëse jetojmë në një univers që është vetëm një prej shumë të tillëve, brenda një multiversi, kjo është pyetje që e ka munduar për kohë të gjatë mendjen e astronomëve, shkruan Independent, transmeton Periskopi. Pasi shtrohet kjo pyetje, ngrihet një tjetër: a mund të përmbajnë këto universe jetë në vete?

Një studim i ri ka treguar se nëse multiversi ekziston ai do të ishte i mbushur me shembuj të shumtë të jetëve të ndryshme aliene.

Shkencëtarët kanë përdorur simulime kompjuterike të cilat kanë treguar se pjesët e tjera të multiversit mund të ishin shumë më të jetueshme se që e kemi menduar më parë.

Por kjo, po ashtu, krijon probleme të mëdha për vetë idenë e multiversit. Në fakt, çudia e universit tonë më mirë do të shpjegohej nga një ligj natyror i pashkruar, thonë ata.
Ideja e multiversit erdhi sepse me termet e fizikës, universi ynë është me fat të madh që thjesht ekziston.

Teoritë e fundit thonë se duhet të ketë më shumë energji të errët brenda universit tonë se që është menduar. Ky është një problem sepse të shtosh më shumë energji të errët do të çonte në një zgjerim aq të shpejtë sa çdo materie do të dobësohej para se të mund të formonte yjet, apo planetet që na vyejnë për të jetuar.

Si përgjigje për një gjë të tillë, disa kanë thënë se në fakt ne mund të jemi duke jetuar brenda një multiversi. Ka në fakt shumë universe të ndryshme – shumica prej të cilave do të kishin më shumë energji të errët dhe që nuk mund të ishin të jetueshme – dhe ne jetojmë në një prej tyre që funksionoi në mënyrën e duhur.

Por studimi i ri sugjeron se mund ta kemi mbivlerësuar fatin tonë. Ai thotë se mund të jetë e mundshme për yjet dhe planetet që të formohen edhe nëse ka shumë më shumë energji të errët.

“Pyetëm veten se sa energji e errët duhej që të ishte e mundur jeta”, tha Pascal Elahi, hulumtues në Universitetin e Australisë Perëndimore. “Simulimet tona treguan se zgjerimi i përshpejtuar i shtytur nga energjia e errët zor se ka ndonjë impakt në lindjen e yjeve e planeteve që të krijohen kushtet për jetë. Edhe nëse rrisim energjinë e errët me mijëra herë kjo nuk do të mjaftonte që universi të vdiste”. 

    Data: 17 Maj 2018 09:30
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera