Kthehu lart

Ilir Meta thotë se nevojitet një hekurudhë Durrës-Prishtinë

Ilir Meta thotë se nevojitet një hekurudhë Durrës-Prishtinë GazetaExpress

Ndërtimi i një hekurudhe Durrës-Prishtinë, është e nevojshme për të ulur kostot e importit të mallrave nga Kosova. Kështu deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në një fabrikë mielli në Kosovë.

Gjatë vizitës në fabrikën e miellit “Universal Food” në Fushë Kosovë, Ilir Meta u takua me pronarin e kompanisë, Ibrahim Aksoy, me të cilin bisedoi për zgjerimin e aktivitetit tregtar të prodhimit të miellit në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Kryetari i Kuvendit e përgëzoi Aksoy për investimin e bërë, ndërsa shprehu bindjen se midis dy vendeve nevojitet ndërtimi i një hekurudhe Durrës-Prishtinë në mënyrë që kostot e prodhimit të këtyre produkteve të ulen si për shtetin e Kosovës, ashtu edhe për tregun e Shqipërisë, i cili do të mund të importonte më shumë mallra nga Kosova.

Gjatë vizitës dy ditorë në Kosovë, Meta shoqërohej nga bashkëshortja e tij, njëkohësisht edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Monika Kryemadhi, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal MInxhozi.

Ministri Panariti, theksoi nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve në mënyrë që të arrihet përballimi i kërkesës për produktet shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, kryetari i Kuvendit, vizitoi edhe një kantinë vere në Rahovec të Kosovës. Teksa uroi pronarin e kantinës “Stone Castel”, Hysen Geci, për investimin e bërë, Meta theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në mënyrë që produktet e kësaj kantine të eksportohen edhe më shumë tregun shqiptar.

Kryetari i Kuvendit, zhvilloi edhe një vizitë edhe në ambientet e reja të televizionit “Klan Kosova” ku u takua me drejtorin e përgjithshëm Baton Haxhiu.

Godina e re e televizionit ishte vendosur në ish-fabrikën e armortizatorëve në Prishtinë dhe ishte ndërtuar tërësisht me materiale të ricikluara.

Meta përgëzoi Haxhiun për investimin e bërë, dhe theksoi se ide të tilla për të përdorur materiale të ricikluara, duhet të vihen në zbatim edhe në Shqipëri pasi ulin koston e investimit si edhe krijojnë ambiente moderne me standarde bashkëkohore.

    Data: 21 Dhjetor 2014 17:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera