Kthehu lart

Meta - Haradinajt: Ka ardhur koha që të bëjmë më shumë për Kosovën e Shqipërinë

Meta - Haradinajt: Ka ardhur koha që të bëjmë më shumë për Kosovën e Shqipërinë GazetaExpress

Në vijim të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua sot me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dalibor Jevtiq dhe Dardan Gashi.

Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore, Presidenti Meta theksoi se ka ardhur koha që këto marrëdhënie të pasurohen më shumë dhe çështjet e prekshme e konkrete të gjejnë zgjidhje për qytetarët e të dy shteteve veçanërisht nëpërmjet agjendës së përbashkët të dy qeverive, duke u fokusuar tek infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e çdo barriere burokratike ndërmjet dy vendeve tona.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e trajtimit të të gjitha çështjeve dypalëshe, të cilat mund të marrin udhë përmes vendimmarrjes politike gjatë takimit të ardhshëm të dy qeverive, transmeton Gazeta Express.

Ai u shpreh plotësisht në mbështetje të këtij procesi me rëndësi jetike si për qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë, ashtu edhe në dobi të marrëdhënieve strategjike e vëllazërore ndërmjet nesh.

Gjithashtu, Presidenti Meta e siguroi edhe kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e fortë e të gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe anëtarësimin e plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizave nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës dhe, duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një sfidë tashmë të pashmangshme, shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.

Ndërsa, duke vlerësuar nevojën e vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta u shpreh se vijimi dhe konkretizimi i këtij dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për këto dy vende por edhe për të gjithë rajonin sigurinë dhe të ardhmen e tij.

    Data: 12 Tetor 2017 08:58
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera