Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë muajit nëntor, ndërsa Serbia tashmë ka filluar aktivitetet diplomatike për të parandaluar pranimin e Kosovës në këtë organizatë, shkruan "Novosti".
Moska tani është partneri kryesor i Beogradit dhe do të lobojë që Kosova të mos jetë pjesë e agjendës e cila do të themelohet në vjeshtë, transmeton Lajmi.net.
Muajin e kaluar Kosova u njoftua se kërkesa për anëtarësim ishte përfshirë në draft-agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 87-të të INTERPOL-it.
Drejtori i Policisë serbe, Vladimir Rebiq, së fundi ka qëndruar në selinë e INTERPOL-it ku tha se Serbia do të bisedojë me të gjithë anëtarët e kësaj organizate në mënyrë që t’i bindë ata që Kosova të mos "aderojë" në këtë organizatë.
Ndryshe Komiteti Ekzekutiv është përgjegjës për përgatitjen e agjendës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Policisë, dhe aktualisht kryesohet nga Meng Honwei i Kinës.
12 anëtarë të tjerë janë nga Algjeria, Koreja, Rusia, Kanadaja, Franca, Belgjika, Brazili, Amerika, Moldavia, Singapori, Afrika e Jugut dhe Nigeria.
Vjeshtën e kaluar, autoritetet kosovare hoqën dorë nga INTERPOL-i duke pranuar se nuk e kishin mbështetjen e mjaftueshme për anëtarësim.