Kthehu lart

Markoviq ankohet për infrastrukturën që lidh Kosovën me Malin e Zi

Markoviq ankohet për infrastrukturën që lidh Kosovën me Malin e Zi GazetaExpress

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, është ankuar rreth infrastrukturës që lidh Kosovën dhe Malin e Zi. Markoviq në konferencën e përbashkët me kryeministrin Haradinaj ka kërkuar bashkëpunim të dy vendeve në fushën e tregtisë.

Por ai është shprehur se është i pakënaqur me infrastrukturën që lidh këto dy vende. Ka thënë se përmirësimi i infrastrukturës do t’i shtonte mundësinë për afrimin e vlerave kulturore të dy vendeve si dhe do t’i zhvillonte dy vendet ekonomikisht.

“Cilësia e infrastrukturës që lidh Kosovën dhe Malin e Zi është e pakënaqshme. Ne duam të japim një nxitje të fortë për përmirësimin e infrastrukturës që do të na afrojë më shumë dhe do të mundësojë potencialet, vlerat dhe kulturat tona për të dy vendet, por në të njëjtën kohë do të zhvillojnë ekonomitë tona. Prandaj, projektet infrastrukturore do të jenë në krye të agjendës ekonomike të Qeverisë kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Kosovën “, tha kryeministri Markoviq, citohet në njoftimi i Qeverisë së Malit të Zi.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se dy kryeministrat janë dakorduar që të marrin një vendim të shpejtë dhe cilësor për demarkacionin.

“Kosova dhe Mali i Zi janë shembull i fqinjësisë së mirë në rajon. Kryeministri Dusko Markovic u zotua që do t’i japë çdo lloj ndihme Kosovës në perspektiven e saj euro-atlantike. Si politikanë të përgjegjshëm jemi dakorduar që të marrim një vendim të shpejtë dhe cilësor për demarkacionin e kufirit ndërshtetëror”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Data: 14 Shkurt 2018 22:53
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera