Kthehu lart

Lluka nuk e mohon se çmimi i rrymës mund rritet

Lluka nuk e mohon se çmimi i rrymës mund rritet GazetaExpress

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nuk e ka mohuar rezultatin e Institutit GAP se çmimi i rrymës mund të rritet për 44 për qind, nga ai aktual me nisjen e prodhimit nga termocentrali “Kosova e Re”.

Por, ka thënë se qeveria do ta monitorojë procesin tenderues për ndërtimin e termocentralit dhe varësisht nga kostoja e ndërtimit të tij do të përcaktohet edhe kredia që do ta marrë kompania, raporton KTV.

Për këtë ka thënë se po punohet që çmimi për megavat të mos jetë 80 euro, i cili është vendosur në kontratë si çmimi më i lartë.

Lluka ka shtuar se është duke u punuar që deri në vitin 2023 të eliminohen humbjet teknike, si dhe kyçjet ilegale, të cilat deri tash u janë faturuar qytetarëve.

Por, Agron Demi nga Instituti GAP tha në KTV se kjo do të jetë rritja minimale nëse operatorët e shpërndarjes së rrymës nuk e rrisin koston edhe më shumë.

Investime pritet të ketë edhe në Termocentralin Kosova B, ndërkohë që edhe kostoja e mbylljes së Termocentralit Kosova A do t’u faturohet qytetarëve.

Ministri Lluka e ka pranuar se kreditë për projekte, që kanë të bëjnë me thëngjillin, janë me interes më të lartë për rreth 20 %. Ministri Lluka po shpreson që Qeveria të gjejë mundësi për një kredi me normë më të ulët, por përcaktimi i normës për projektet me thëngjill është bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik OECD.

    Data: 16 Prill 2018 20:22
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera