Kthehu lart

LDK-ja mbledh nënshkrimet për të hetuar kontratat lobuese të Thaçit

LDK-ja mbledh nënshkrimet për të hetuar kontratat lobuese të Thaçit GazetaExpress

Grupi Parlamentar i LDK-së procedon kërkesën për themelimin e Komisionit hetimor, i cili do të hetojë shpenzimet pa bazë ligjore për aktivitete lobuese të Presidencës dhe Qeverisë

Pasi Gazeta Express publikoi letrën që i kishte dërguar avokati britanik, Geoffrey Nice, Qeverisë dhe Presidencën për borxhin rreth 500 mijë euro që i kishte Presidenti Hashim Thaçi, deputetët e LDK-së, kanë mbledhur nënshkrimet për të proceduar kërkesën e formimit të një komisioni hetimor lidhur me shpenzimet pa bazë ligjore.

“Kohë më parë mediat e shkruara dhe elektronike në vend raportuan lidhur me shuma të mëdha parash publike të shpenzuar për gjoja aktivitetet lobuese. Për më tepër letra e publikuar e z. Geoffrey Nice përmendte edhe terme financiare të cilat ishin dakorduar jashtë rrugëve formale për të tilla shërbime”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në konferencën e rregullt javore pati ngritur këtë çështje duke paralajmëruar formimin e Komisionit hetimor për të hetuar këto raportime.

Andaj sot, me iniciativën e deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme dhe është proceduar kërkesa për themelim të Komisionit Hetimor në lidhje me fondet e ndara nga Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për lobim.

Ky Komision do të hetojë të gjitha mjetet e ndara nga Buxheti i Kosovës për çështje lobuese nga viti 2010 e deri më sot.


    Data: 17 Prill 2018 11:42
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera