Kthehu lart

Ky është shkaku i helmimit të mbi 100 nxënësve në Mitrovicë

Ky është shkaku i helmimit të mbi 100 nxënësve në Mitrovicë GazetaExpress

Rreth 120 raste me simptoma të helmimit kanë kërkuar dje ndihmë në Spitalin e Mitrovicës. 

Prej tyre kryesisht nxënës. Ky helmim dyshohet se ka ndodhur pasi ata kanë blerë tosta afër gjimnazit “Frang Bardhi”. Ndërkohë që QKUK-ja sot ka pranuar pacientë nga ky helmim.

Mirëpo, këto dyshime nuk ka pranuar t’i komentojë drejtori mjekësor i spitalit të Mitrovicës, Zahir Musa.

Ai, megjithatë, ka treguar se edhe gjatë ditës së sotme kanë pranuar pacientë.

“Gjendja nuk është alarmante, është më e qetë, ka edhe disa raste, sepse ato probleme kanë me i pas edhe 2-3 ditë, disa kanë shkuar për QKUK, për shkak të disa rrethanave tjera, çdo gjë është nën kontroll”, thotë ai, duke treguar se numri i atyre që janë nisur për QKUK është 5-6 pacientë.

Musa thotë se disa kanë shkuar me dëshirën e tyre në QKUK, ndërsa të tjerët me preferencën e mjekut.

Shumica nga të helmuarit janë nxënës të gjimnazit, mirëpo të helmuar ka edhe nga shkolla ekonomike dhe ajo e mjekësisë.

Disa nga nxënësit e helmuar i kanë thënë Gazetës Metro se janë helmuar pasi janë ushqyer me tostat e blerë në lokalet afër gjimnazit. Në pjesën e sheshit afër gjimnazit gjenden 3-4 lokale që shesin tosta. /Metro.net

    Data: 14 Shtator 2017 13:46
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera