Kthehu lart

Komploti në Mal të Zi, dëshmitari: Rusët më paguan për ta rrëzuar qeverinë

Komploti në Mal të Zi, dëshmitari: Rusët më paguan për ta rrëzuar qeverinë GazetaExpress

Një dëshmitar kyç në procesin gjyqësor të komplotit për grusht shteti në Malin e Zi pohoi përpara gjykatës se ishte paguar nga agjentë të shërbimeve të inteligjencës ruse për të organizuar rrëzimin e qeverisë.

Qëllimi i këtyre përpjekjeve, sipas Sasha Sindjeliç, ishte të pengohej anëtarësimi i vendit në NATO. Sipas organit të akuzës, Sindjeliç është personi i vetëm që pati kontakt direkt me dy oficerët e shërbimit sekret të Moskës, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të akuzuar si organizatorët e komplotit që duhet të vihej në jetë ditën e zgjedhjeve, 16 tetor 2016.

Në seancën dëgjimore të transmetuar “live” nga disa televizione malazeze, Sindjeliç tregoi se si kishte vendosur kontakte me Shishmakovin e dha detaje mbi takimet e shumta të tyre në Moskë nga viti 2015 deri në atë pasues, si dhe organizimin e logjistikës së grushtit të dështuar të shtetit.

Në njërin prej mesazheve që mori nga rusi pak muaj përpara zgjedhjeve thuhej: “Boll. Nuk më tolerojnë më. Në Malin e Zi, autoritetet duhen përmbysur. Gjukanoviç me gjithë bandën e tij”. Sipas hetuesve, të dhënat e të cilëve kanë rrjedhur në media, Sindjeliç ka marrë nga rusët 200 000 euro dhe paratë i ndau më pas me pjesën tjetër të pjesëtarëve të grupit të ngarkuar me vënien në jetë të puçit. Gjyqi në Podgoricë, i mbajtur nën masa të rrepta sigurie, cilësohet si procesi më i madh në rajonin e Ballkanit për shkak edhe të implikimit rus në këto ngjarje.

Në të kaluarën, Moska ka qenë jo vetëm kritikuese e ashpër e hyrjes së Malit të Zi në NATO, por jo rrallëherë kishte kërcënuar ish-Republikën Jugosllave nëpërmjet zyrtarëve rusë, që të mos bashkohet me Aleancën Veriatlanike.

    Data: 27 Tetor 2017 09:18
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera